Nga Marenglen Kasmi -VOX News
Më 11 prill, 37 vjet më parë, vdiq udhëheqësi komunist i Shqipërisë, Enver Hoxha. Një ditë më pas, më 12 prill 1985, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Eduard Diereian, ndër të tjera do të deklaronte se “ne (qeveria amerikane – shën. im) kemi deklaruar në raste të ndryshme gjatë dekadës së kaluar se kur dhe në qoftë se Shqipëria do të dëshironte të vendoste marrëdhënie diplomatike, ne do të na gjejë të përgatitur për t’iu përgjigjur”. Sikurse do të shohim në materialin arkivor që po botojmë më poshtë, kjo deklaratë nuk ishte e rastësishme.
Në një material që ministri i brendshëm Hekuran Isai i dërgon Ramiz Alisë, me titull “Studim mbi qëndrimin dhe veprimtarinë armiqësore të SHBA dhe Zbulimit amerikan kundër vendit tonë në fushën politike e propagandistike gjatë pesë viteve të fundit”, që daton më 18.12.1986, bëhet një analizë e hollësishme e politikës amerikane ndaj Shqipërisë në vitet 1981-1986.
Sa më sipër, kuptojmë se Ramiz Alia ishte i mirëinformuar mbi reagimet, qëndrimet e perspektivën e politikës amerikane ndaj Shqipërisë. Duke lexuar këtë material, mund të bëjmë një vlerësim më të plotë për marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë në fundvitet 1980, çka mundësuan edhe hapjen e saj graduale ndaj Perëndimit. “Ekspertë të veçantë të politikës amerikane ndaj Shqipërisë këshillojnë dhe orientojnë se në përpjekjet për t’u afruar me Shqipërinë duhet mbajtur parasysh dallimi midis politikës deklarative të Tiranës dhe asaj që ekziston në fakt, midis asaj që thuhet e asaj që bëhet...”, thuhet ndër të tjera në studim.
Përveç analizave të politikës amerikane që bëhen nga burimet diplomatike, bie në sy që për hartimin e këtij studimi janë përdorur edhe informacione që vinin nga Drejtoria e Zbulimit. Për shembull, në të thuhet se Zërit të Amerikës ju “dha edhe orientimi që lajmet dhe emisionet në shqip të jenë të përgjithshme dhe me një gjuhë të studiuar, me qëllim për të mos nxitur armiqësinë e popullit shqiptar” etj., çka tregon se Sigurimi i Shtetit arrinte të merrte edhe informacione të brendshme.
Materiali është nxjerrë nga Arkivi i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë. Nga studimi po japim më poshtë të plotë vetëm analizën për vitin 1985, ku vdekja e Enver Hoxhës shërbeu si nxitje për riaktivizimin e politikës amerikane ndaj Shqipërisë:
***
[...] Mbas vdekjes së shokut Enver Hoxha, Departamenti i Shtetit dhe zbulimi amerikan aktivizuan shumë specialistë, analistë, zyrtarë të lartë që merren me vendin tonë si dhe ekspertë për çështjet shqiptare e Ballkanike, duke tërhequr mendimet e parashikimet e tyre lidhur me politikën që do të ndiqte RPSSH dhe zhvillimet e mundshme të situatës në vendin tonë. Kjo u bë me qëllim për të rishikuar e orientuar drejtimet e veprimtarisë politike propagandistike të SHBA ne situatën e krijuar.
Zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit amerikan si Mark Palmer, William Warren etj., vunë në dukje rëndësinë e pozitës strategjike të Shqipërisë, shprehën “gatishmërinë e qeverisë amerikane për lidhjen e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë, interesimin e SHBA për një Shqipëri të pavarur e sovrane, përkrahjen për pavarësinë e Shqipërisë dhe integritetin territorial të saj ..., se SHBA nuk e kanë harruar as Shqipërinë dhe as dëshirën e popullit të saj për të ruajtur karakterin e saj kombëtar ...”. Departamenti i Shtetit analizoi gjendjen në Shqipëri dhe nxori konkluzionin se Shqipëria do të ndiqte të njëjtën politikë si dhe më parë, por sipas propagandës amerikane “kohët e fundit po duket përherë e më e fort një prirje ndaj Evropës Perëndimore dhe një tendencë për forcimin e lidhjeve me botën e tretë ...”.
Ndërkohë disa analistë amerikanë dhe me origjinë shqiptare, shprehën mendime se situata e re “përmirëson perspektivat për marrëdhënie midis SHBA e Shqipërisë”, por “duhet të kalojë një farë kohe para se të bëhen hapa konkrete”, ndërsa “Bashkimi Sovjetik nuk do të mundet të vendosë kontrollin e tij ndaj Shqipërisë ...”.
Disa senatorë amerikanë si Lundeen, Donnelly etj, janë shprehur se në kuadrin e interesimit të SHBA për një Shqipëri sa më pak ë lidhur me Lindjen, në situatën aktuale në qeverinë amerikane mendohet se duhen inkurajuar shtetet perëndimore që kanë marrëdhënie diplomatike e tregtare me Shqipërinë për t’i thelluar e zgjeruar ato, me qëllim që Shqipëria të mos ndjejë nevojën e afrimit dhe zgjerimit të marrëdhënieve me Lindjen.
Edhe gjatë vitit 1985 u botuan disa skenarë në formë studimi mbi rrezikun e mundshëm të një intervencioni sovjetik ndaj Shqipërisë, por Mark Palmer, drejtor drejtorie në MPJ amerikane, u shpreh se “cilatdo qofshin planet e Moskës, Uashigtoni dëshiron që Shqipëria të ruajë pavarësinë e saj”.
Analistë të ndryshëm amerikanë për problemet e Evropës Lindore dhe Ballkanike, në disa studime që kanë bërë mbas vdekjes së shokut Enver kanë shprehur mendime se rreziqet dhe planet ekspansioniste të Bashkimit Sovjetik ndaj Ballkanit e Shqipërisë mund të evitoheshin po të bëhej e ditur publikisht se ekziston një plan politik e ushtarak i SHBA dhe NATO-s për të kundërvepruar shpejt ndaj situatave të papritura në zona me interes strategjik siç është Shqipëria.
Edhe disa organe kryesore të shtypit amerikan kanë patur komente me burim nga Departamenti i Shtetit për çështjen se “as NATO e as SHBA nuk kanë përkrahur zyrtarisht pavarësinë e Shqipërisë” etj. Ndërsa vëzhgues e analistë të veçantë të politikës amerikane në drejtim të vendit tonë janë shprehur se “në kuadrin e planeve strategjike, Amerikës dhe NATO-s i intereson që, në pamundësi për t’u afruar me Perëndimin, Shqipëria të qëndrojë siç është, pavarësisht nga regjimi në fuqi, mjafton që ajo të mos kalojë e vihet nën kontrollin e rusëve...”.
Nga të dhënat del se gjatë vitit 1985 e në vazhdim, organet e propagandës amerikane janë orientuar që të mos botojnë vetëm shkrime negative, por edhe pozitive mbi vendin tonë, të përdoret një gjuhë e kujdesshme, të mos përdoren terma ofenduese për shokun Enver dhe kur duhet përmendur emri i tij t’i referohen me zoti Hoxha.
Mbas vdekjes së shoku Enver qeveria amerikane ka ndjekur ndaj vendit tonë politikën “presim e shohim ç’ mund të ndodhë” se “Shqipëria do të hapet ngadalë më drejtim të Perëndimit” dhe pas rregullimit të problemeve të pazgjidhura e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me RFGJ e Anglinë, do t’u vijë radha edhe marrëdhënieve me SHBA. Qysh më 12 prill 1985, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Eduard Diereian, ndër të tjera tha se “ne kemi deklaruar në raste të ndryshme gjatë dekadës së kaluar se kur dhe në qoftë se Shqipëria do të dëshironte të vendoste marrëdhënie diplomatike, ne do të na gjejë të përgatitur për t’iu përgjigjur”.
Gjatë vitit 1985 departamenti i Shtetit mori masa edhe për zgjerimin e veprimtarisë propagandistike në drejtim të vendit tonë nëpërmjet “Zërit të Amerikës”, duke shtuar si personelin ashtu edhe orët e transmetimit në gjuhën shqipe, por ndërkohë u dha edhe orientimi që lajmet dhe emisionet në shqip të jenë të përgjithshme dhe me një gjuhë të studiuar, me qëllim “për të mos nxitur armiqësinë e popullit shqiptar”. Po ashtu, në zbatim të një vendimi të qeverisë amerikane për “forcimin e modernizimin e transmetimeve të SHBA për jashtë shtetit”, edhe Drejtoria e Transmetimeve Ndërkombëtare (BIB) të SHBA ka marrë në shqyrtim mundësinë e transmetimeve në drejtim të Shqipërisë. Në diskutimet e bëra për këtë problem u hodhën mendime “se mos ndoshta një veprim i tillë do të nxitë më shumë ndjenjat dhe emocionet e popullit shqiptar në Shqipëri e Jugosllavi” dhe nuk është vendosur akoma, por “për këtë çështje po zhvillohen bisedime brenda administratës për të marrë vendimin përkatës”.
Edhe “Zëri i Amerikës”, përveç transmetimeve me valë të shkurtra, do të transmetojë edhe me valë AM dhe FM, duke aplikuar transmetimet me rreze nëpërmjet satelitit.
Mbas vdekjes së shokut Enver qeveria dhe zbulimi amerikan e kanë ndjekur situatën dhe qëndrimin e politikën e vendit tonë me një interes akoma më të madh se me parë. Sipas shumë studimeve e shkrimeve nga ekspertë për probleme shqiptare e ballkanike, gjatë kësaj periudhe Shqipëria ka ndërmarrë hapa të rëndësishme, por të kujdesshme për t’u futur në rrugën e një politike ndërkombëtare: ajo ka ndjekur një politikë bazuar më shumë në realitetin politik dhe ekonomik të vendit se sa në ideologjinë marksiste-leniniste.
Bazuar në analizat e bëra, propaganda dhe ekspertët amerikanë theksojnë se treguesit flasin se nga njëra anë Shqipëria do të mbrojë fort pavarësinë e saj dhe nga ana tjetër ajo po shkon drejt një kooperimi më të madh ekonomik, kulturor dhe politik me Perëndimin; se nga Shqipëria pas vdekjes së shokut Enver, nuk është treguar asnjë interesim për përmirësimin e marrëdhënieve politike me bllokun e Lindjes. Në këtë kuadër, propaganda amerikane ka theksuar se “objekti i politikës amerikane dhe perëndimore duhet të jetë të ndihmojë Shqipërinë që të kundërshtojë planet e presionet e sovjetikëve për ta futur atë në bllokun sovjetik dhe të lehtësojnë hapjen e Shqipërisë drejt Perëndimit, duke treguar kështu ndjeshmëri për mirëqenien e saj kombëtare dhe shqetësimet e saj ...”. Ekspertë të veçantë të politikës amerikane ndaj Shqipërisë këshillojnë dhe orientojnë se “në përpjekjet për t’u afruar me Shqipërinë duhet mbajtur parasysh dallimi midis politikës deklarative të Tiranës dhe asaj që ekziston në fakt, midis asaj që thuhet e asaj që bëhet ... Përmirësimi i vazhdueshëm i marrëdhënieve me Tiranën do të kontribuonte për stabilitetin në Ballkan ...”. [...]


©Copyright Vox News
Ky artikull i historianit Marenglen Kasmi është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.