Garë amerikanë për energjinë në Kosovë

1 October 2026, 17:15Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Garë amerikanë për energjinë në Kosovë

Gara për një nga projektet më të rëndësishme energjetike në Kosovë ka hyrë në një fazë të re. Dy kompani nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dorëzuar ofertat për projektimin dhe ndërtimin e sistemit të baterive për ruajtjen e energjisë.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila njoftoi se tashmë do të nisë procesi i vlerësimit të ofertave. Sistemi i baterive do të ketë kapacitet prej 340 MWh dhe është planifikuar të ndërtohet në dy lokacione – Istog dhe Ferizaj.

Sipas ministres Rizvanolli, synimi është që punimet për realizimin e projektit të nisin gjatë vitit të ardhshëm. “Po i afrohemi realizimit të një prej investimeve më të mëdha në sektorin e energjisë në dekadat e fundit”, deklaroi Rizvanolli.

Projekti është pjesë e Programit Kompakt, me vlerë prej 236.7 milionë dollarësh, i cili financohet përmes bashkëpunimit ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Millennium Challenge Corporation (MCC) dhe Qeverisë së Kosovës.

Investimi synon të kontribuojë në rritjen e sigurisë energjetike të Kosovës, përmes krijimit të kapaciteteve për ruajtjen e energjisë dhe menaxhimin më fleksibil të sistemit energjetik.

Rizvanolli ka falënderuar partnerët amerikanë, MCC-në dhe ekipin e MCA-Kosovës për mbështetjen në realizimin e projektit. “Ky projekt është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të sigurisë energjetike të Kosovës”, tha ministrja.

Tashmë, ofertat e dorëzuara nga dy kompanitë amerikane pritet t’i nënshtrohen procesit të vlerësimit, pas të cilit do të përcaktohet kompania që do të ngarkohet me realizimin e projektit.


Video