
Subjektet politike shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja do të garojnë së bashku në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të Serbisë.
Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas një takimi të zhvilluar të martën në mbrëmje në Zyrën e Kryeministrit në Prishtinë.
“Sot, në Zyrën e Kryeministrit, përfaqësuesit e subjekteve politike pjesëmarrëse nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja arritën marrëveshjen për listën e përbashkët Koalicioni Shqiptar, për zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi”, ka shkruar ai.
Kurti ka falënderuar përfaqësuesit e subjekteve politike për gatishmërinë për të bashkëpunuar pavarësisht dallimeve politike, por ka vlerësuar se bashkimi politik te “Koalicioni Shqiptar” nuk mjafton për shkak të asimetrisë të së drejtave në Serbi.
“Serbët në Kosovë i kanë të garantuara 10 nga 120 ulëset në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e me këtë qasje, shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës do të duhej të kishin së paku 5 vende të garantuara në Parlamentin e Serbisë”, ka shkruar ai.
Kurti është zotuar se do të vazhdojë t’u qëndrojë pranë shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, duke theksuar se angazhimi i institucioneve do të vazhdojë për të drejtat, identitetin dhe mirëqenien e qytetarëve të Luginë së Preshevës.
Ndryshe, një përpjekje e ngjashme për bashkimin politik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës ishte bërë edhe në vitin 2020, kur ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj, ndërmjetësoi marrëveshjen mes partive shqiptare për listën e përbashkët “Alternativa Demokratike Shqiptare – Lugina e Bashkuar” që pastaj fitoi dy mandate.