BE-ja planifikon t’u hapë tregun e përbashkët vendeve kandidate, përfshirë Shqipërinë

30 September 2026, 16:15Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Bashkimi Evropian po përgatit një plan të ri që do t’u mundësojë vendeve kandidate të integrohen gradualisht në tregun e përbashkët evropian, edhe përpara anëtarësimit të plotë në Union.

Sipas një dokumenti të Komisionit Evropian të siguruar nga POLITICO, vendet kandidate do të mund të përfitojnë nga tregtia më e lehtë me BE-në, programet kërkimore dhe forma të tjera bashkëpunimi ekonomik, ndërsa vijojnë procesin e anëtarësimit.

Komisioni e konsideron tregun e përbashkët si një prej mjeteve kryesore për përshpejtimin e konvergjencës ekonomike mes vendeve kandidate dhe BE-së.

Plani parashikon një proces të quajtur “integrim gradual”, përmes të cilit vendet që plotësojnë kushtet rregullatore dhe kanë kapacitete të mjaftueshme për zbatimin e tyre do të mund të marrin pjesë më thellë në fusha të caktuara të ekonomisë evropiane.

Shqipëria, pjesë e vendeve që synohet të përshpejtojnë procesin

Sipas dokumentit, Shqipëria, Ukraina, Moldavia dhe Mali i Zi pritet të marrin “udhërrëfyes” të posaçëm për të përshpejtuar procesin e integrimit në vitet e ardhshme.

Për vendet e tjera kandidate të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Maqedoninë e Veriut, Kosovën, Bosnje-Hercegovinën dhe Serbinë, procesi i anëtarësimit ka avancuar më ngadalë.

Komisioni Evropian argumenton se integrimi më i hershëm ekonomik do të krijonte mundësi për bizneset evropiane, do të forconte zinxhirët e furnizimit dhe do të reduktonte varësitë strategjike.

Përfitimet do të jenë të kushtëzuara

Hyrja graduale në tregun e përbashkët nuk do të jetë automatike dhe përfitimet mund të pezullohen ose të tërhiqen nëse vendet kandidate nuk përmbushin detyrimet e tyre.

Sipas planit, vendet duhet të jenë të harmonizuara me objektivat e politikës së jashtme dhe të sigurisë së BE-së. Një kusht i rëndësishëm do të jetë edhe mbrojtja e teknologjive sensitive dhe kontrolli i eksporteve.

Dokumenti parashikon vlerësimin e rreziqeve që lidhen me infrastrukturën kritike, zinxhirët e furnizimit dhe varësitë strategjike.

Në fokus për bashkëpunim më të ngushtë janë sektorë si gjysmëpërçuesit, teknologjitë kuantike, bioteknologjia, Inteligjenca Artificiale dhe hapësira.

Nëse kushtet nuk përmbushen, pjesëmarrja në këto fusha mund të kufizohet ose të ndërpritet.

Anëtarësimi i plotë mbetet objektivi

Komisioni Evropian thekson se integrimi gradual nuk synon të zëvendësojë anëtarësimin e plotë në BE.

Sipas dokumentit, vendet kandidate duhet të vazhdojnë të përmbushin një proces rigoroz dhe të bazuar në merita, me reforma të qëndrueshme në institucionet demokratike, sundimin e ligjit dhe fusha të tjera.

“Integrimi gradual” shihet si një mënyrë për të përdorur periudhën e pritjes për të afruar ekonomitë dhe institucionet e vendeve kandidate me standardet e BE-së.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha për POLITICO se Prishtina e mbështet integrimin gradual, por kërkon që ai të jetë një rrugë drejt anëtarësimit të plotë dhe jo një proces paralel apo zëvendësues.

BE-ja kërkon edhe reforma brenda Unionit

Plani parashikon ndryshime edhe në mënyrën se si funksionon vetë Bashkimi Evropian në perspektivën e një zgjerimi të ardhshëm.

Komisioni Evropian po shqyrton mundësinë e përdorimit më të gjerë të votimit me shumicë të cilësuar, në vend të unanimitetit, në disa fusha strategjike.

Sipas dokumentit, zgjerimi i BE-së mund të rrisë rrezikun e bllokimeve nëse vendimet vazhdojnë të kërkojnë miratimin unanim të të gjitha vendeve anëtare.

Në këtë kuadër përmenden edhe të ashtuquajturat “klauzola passerelle”, të cilat mundësojnë kalimin nga votimi unanim në votimin me shumicë në fusha të caktuara.

Këto mekanizma mund të përdoren, ndër të tjera, për sanksionet, reagimin ndaj krizave të të drejtave të njeriut dhe misionet civile në zonat e konfliktit, megjithëse aktivizimi i tyre kërkon fillimisht miratimin unanim të vendeve anëtare.

Komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka deklaruar se propozimet e reja, së bashku me mbështetjen politike nga kryeqytetet evropiane, mund të krijojnë mundësinë për një “vjeshtë të zgjerimit”, me ndryshime të rëndësishme në mënyrën se si BE-ja i afrohet vendeve kandidate.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pritet ta prezantojë më tej këtë qasje pas vizitës së saj në Ballkanin Perëndimor. Udhëheqësit e vendeve të BE-së pritet ta diskutojnë zgjerimin dhe përfitimet që mund t’u ofrohen vendeve kandidate në samitin e Brukselit më 15 dhe 16 tetor.


Video