Trafik droge, burim aksidenti dhe rrezik për qytetarët: Pse duhet pezulluar dhënia e licencave për taksi në Tiranë

2 Dhjetor 2025, 21:56Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Foto ilustruese

Mbi 5 mijë licenca për shërbim “taksi” janë dhënë në Tiranë kohët e fundit, duke sjellë një kaos në këtë shërbim. Çdokush që ka një autoveturë, apo mjet motorrik, e kupton mjaft mirë situatën ku ndodhet aktualisht kryeqyteti, ku taksitë kanë pushtuar jo vetëm korsitë e dedikuara, por të gjitha rrugët apo parkimet.

Dhënia e licencave pa kriter nga Bashkia e Tiranës ka sjellë një kaos me këtë shërbim, ku firma apo individë të pa kualifikuar, tashmë janë bërë një mjet rreziku për kalimtarët, ata me automjete apo këmbësorë.

Situata duket se ka dalë jashtë kontrollit, pasi mjafton të shohësh rrugët, vendqëndrimet apo trafikun, për të kuptuar se “boll është boll”. Por, kjo situatë ka një “fajtor”, Bashkinë e Tiranës, e cila në vend që të sigurojë një mjedis sa më paqësor për të jetuar, për trafikun e mjeteve apo për këmbësorët, vijon që të shtojë mjetet pa asnjë kurrfarë verifikimi.

Burime nga Bashkia e Tiranës thanë për VoxNews se situata duket mjaft alarmante, pasi aktualisht institucioni nuk ka një “kokë”, çka ka sjellë që drejtorët përkatës të veprojnë të lirë. Nuk ka një kontroll dhe nuk ka asnjë llogaridhënie, teksa në çdo sektor tashmë funksionon “miku” e ndoshta edhe ryshfeti. Por, të rrezikosh jetën e banorëve apo të fusësh në kaos një qytet të tërë, duket se vetëm këta të babëzitur mund t’a bëjnë!

Të njëjta burime shpjegojnë se nuk ka një kontroll të dokumenteve që dorëzojnë individë apo edhe firma të caktuara, të cilat shpeshherë japin të dhëna të rremë. Ka dyshime tepër të mëdha se, nga 5000 licencat e dhëna, një pjesë e mirë e shoferë nuk kanë as dëshmitë e taksistit. Që të marrësh këtë dëshmi, duhet të regjistrohesh dhe të bësh patentën e klasit D në Drejtorinë e Transportit Rrugor.

Një tjetër shkelje e rëndë, ku burokratët e këtij sektori në Bashkinë e Tiranës as kanë marrë mundimin që të verifikojnë taksitë. Gjithkush justifikohet se duhet një kontroll nga DPSHTRR-ja apo Policia e Shtetit, por fakt është se dokumentet dhe licenca jepet nga Bashkia e Tiranës. Nëse kjo bashki, punonjësit e drejtorisë përkatëse, janë të paaftë për të verifikuar këto dokumente, përse vijojnë të japin licenca?!

Disa prej tyre kanë plotësuar formalisht dokumentet, kanë marrë një dëshmi apo një drejtues teknik fiktiv, teksa më pas me ndërhyrje apo edhe me ryshfete, kanë marrë këtë licencë. Më pas, licencën e kanë “shitur” te të tjerë, pasi ata vetë plotësojnë apo bëjnë bilance pune fiktive.

Disa prej kapove apo pronarët me letra të këtyre licencave as nuk jetojnë në Shqipëri, pasi merren me aktivitete të tjera.

Shtimi i licencave ka sjellë konsumimin e veprave të tjera kriminale. Policia e Shtetit ka ndërmarrë disa aksione dhe ka vënë në pranga shoferë të cilët merren me shpërndarje të lëndëve narkotike. Taksixhinjtë dhe këto firma janë bërë korrierët më të mëdhenj të drogërave, të cilat qarkullojnë në Tiranë. Taksitë i çojnë në lokalet e natës, në hotele, bare apo restorante. Madje, i dërgojnë edhe në banesa.

Por, nga ana tjetër, pavarësisht se ka dyshime të mëdha për trafik droge, Bashkia e Tiranës vijon të japë licenca! Tashmë ka ardhur koha që dhënia e këtyre licencave të pezullohet, duke qenë se kemi të bëjmë me kaos, rrezik apo edhe trafik të lëndëve narkotike. Madje, këtyre veprave iu shtohet edhe shërbimet e luksit, trafiku i qenieve njerëzore.

Individët apo firmat që kanë marrë licenca për “taksi” janë kthyer në tutorët më të mëdhenj të biznesit të prostitutave. Femra nga të gjitha anët e botës kanë ardhur në Tiranë dhe bëjnë punën “më të vjetër në botë”. Pikërisht taksitë me licenca i dërgojnë në destinacione.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video