Procesi i vettingut hapi shumë petë të shtruara ndër vite nga gjyqtarët dhe prokurorët, që e kishin shndërruar në një biznes familjar sistemin e drejtësisë.
Pati nga ata që deklaruan se të ardhurat që nuk i justifikonin ua kishin dorovitur në dasma, të tjerë ishin të zhytur në borxhe te familjarët, e deri te prindërit pensionistë.
Pjesën më të madhe të tyre kosa e vettingut e largoi, por sita e imët në dukje u kalua nga disa dhe arsyetimi ka qenë jo se provohej që ishin të pastër qelibar, por se nuk u provoheshin dot njollat dhe denoncimet ndaj tyre.
Njëri prej atyre që e kaluan këtë sitë ishte edhe prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, Arenc Çela. Çela u përball me vettingun në muajt e parë të vitit të kaluar me dy seanca dëgjimore.
Ndaj tij u ngritën shqetësime mbi vendimmarrjen për të mos hetuar dy kallëzime që i kishin mbërritur në adresë. Kallëzimi i parë lidhej me një rast dhune në familje, kur një person nga Fushë-Kruja ishte paditur pasi kishte rrahur me leva hekuri bashkëshorten e tij.
Çela shkoi në gjykatë vetëm me akuzën e dhunës në familje. Por, gjykata ja ndryshoi dhe e riklasifikoi atë në vepër penale “tentativë vrasjeje”, duke e dënuar të pandehurin me 22 vite burg.
Çështja e dytë për të cilën Çela u mbrojt para vettingut lidhej me kallëzimin e një qytetari për shoqërim me dhunë nga ana e policisë. Prokurori tha se për këtë rast nuk kishte nisur hetimet nisur nga bindja e brendshme.
Këto dy raste vunë në dyshim profesionalizimin e tij, ndërsa për pasurinë vettingu gjeti një bilanc negativ prej 450 mijë lekësh, që Prokurori Arenc Çela e justifikoi si borxh që ua kishte marrë në disa raste prindërve të vet.
Dyshimeve që ngrihen për pasurinë dhe profesionalizmin u shtohet edhe fakti që Arenc Çela ka bashkëshorten, Arbena Ahmeti të emëruar nga Presidenti Ilir Meta si gjyqtare në Gjykatën e Lartë prej shkurtit të këtij viti. Pra, nëse drejtësia, apo çështje të caktuara i vendosin përballë burrë e grua, drejtësia kthehet në një sipërmarrje familjare, ku bashkëshorti akuzon dhe gruaja dënon.
Gjatë vettingut, Arenc Çela kaloi edhe kriterin e kontakteve të papërshtatshme. Ndërkohë, ai është nipi i Maksim Çelës, pjesë e bandës së Lushnjes dhe i dënuar me 25 vite burg në 2006 për vrasjen e një efektivi policie dhe vendosje tritoli në stadiumin e qytetit.
Megjithatë, Arenc Çela e kaloi vettingun me shumicë votash të KPK-së dhe pas dy seancave dëgjimore.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.