A u godit Altin Dumani nga rivaliteti për drejtimin e SPAK?

23 May 2022, 18:31Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

A u godit Altin Dumani nga rivaliteti për drejtimin e SPAK?

Shënim - Në dhjetor të 2019-s, pak më shumë se një javë nga nisja e funksionimit të SPAK në Këshillin e Lartë të Prokurorisë nisën procedurat për përzgjedhjen e drejtuesit të kësaj strukture.

Gara zhvillohej mes tre emrave, Arben Kraja, Altin Dumani dhe Edvin Kondilli. Sipas vlerësimit profesional dhe kontributit në sistemin e drejtësisë, që Këshilli i Lartë i Prokurorisë i kishte bërë në korrik të 2019-s tre emrave të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani konsiderohej si favoriti.

Dumani ishte vlerësuar me më shumë pikë se Kraja dhe Kondilli në këtë garë, madje gjatë dëgjesave publike para KLP-së iu vlerësua edhe platforma e drejtimit të SPAK.

Megjithatë, gjatë votimit të 11 anëtarëve të KLP-së, Arben Kraja mori 6 vota dhe siguroi pozicionin si drejtues i SPAK, ndërsa Altin Dumani mori katër të tilla dhe Edvin Kondilli vetëm një votë.

Mandati i drejtuesit të SPAK është konceptuar trevjeçar nga reforma në drejtësi dhe në fund të këtij viti, Arben Krajës i përfundon ky mandat. Altin Dumani mund të synojë sërish para KLP-së për ta drejtuar këtë strukturë.

Por, ambicia e tij u godit së fundmi nga deklaratat e paprovuara të Besjan Xhixhës në Gjykatën e Posaçme. Xhixha pretendoi se Nuredin Dumani, i arrestuari me dyshimet se mbi shpinë ka të paktën 12 vrasje i kishte garantuar se kishte njohje me ministra, deputetë dhe prokurorë. Te prokurorët ai përmend emrin e Altin Dumanit.

Përveç mbiemrit të njëjtë, nuk ka asnjë provë që të lidhë prokurorin e posaçëm me ‘sipërmarrësin e vrasjeve’ dhe më shumë se sa e vërtetë, deklaratat e Xhixhës tingëllojnë (të paktën për momentin) si goditje ‘nën brez’ ndaj Altin Dumanit.

E gjitha kjo të ngre dyshimet se kjo goditje ka ardhur nga brenda SPAK si pjesë e rivalitetit për drejtimin e kësaj strukture, ku Altin Dumani, të paktën sipas vlerësimit të vetë Këshillit të Lartë të Prokurorisë të tre viteve më parë, konsiderohet si kandidati më i kualifikuar.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video