Ka kohë që veprimtaria e Presidentit Ilir Meta është kufizuar brenda gardhit të Presidencës, ku aktiviteti kryesor është ndarja e dekoratave dhe kthimi i ndonjë ligji të miratuar nga mazhoranca socialiste dhe hera-herës ndonjë konferencë shtypi ku Meta hedh akuza për komplot ndaj tij të aktorëve vendas e të huaj.
Akuzat ndaj këtyre aktorëve u hodhën edhe në konferencën për shtyp, kur Meta kujtonte ‘kohët e largëta’ si Kryeministër kur takonte zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian. “Ishin burra shtetit ata, jo si sot”, tha Meta.
Se si ishin udhëheqësit e BE-së në fillim të viteve 2000 e se si janë sot, Voxnews.al nuk mund të heqë një paralele apo një krahasim.
Por, një paralele e krahasim mund të hiqet te qëndrimi i tyre karshi Metës. Nëse në atë kohë, Meta herë si Kryeministër dhe herë si ministër e deputet takohej me drejtues të BE-së, sot kur ndodhet në majën e piramidës së shtetit shqiptar askush nuk po ja kapërcen gardhin e Presidencës.
Katër javët e fundit janë ato që vulosin izolimin e SHBA dhe të BE ndaj Metës. Shqipëria është vizituar së fundmi nga tre zyrtarë të lartë, dy të BE dhe një i Departamentit të Shtetit. Në të trija rastet, Meta u shmang nga agjenda e tyre.
Komisioneri i Zgjerimit, Oliver Varhelyi nuk u takua me Presidentin, më pas as zv.Sekretarja për Europën dhe Euroazinë e DASH, Karen Donfried dhe së fundmi edhe Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel.
Asnjëri prej tyre s’e kaloi gardhin e Presidencës dhe jo për mungesë të dëshirës së Ilir Metës, siç kreu i shtetit ka kohë që argumenton mungesën e takimeve të niveleve të larta me zyrtarë të BE, apo të SHBA. Presidenti herë ka folur se këto takime nuk janë realizuar për çështje agjende dhe herë për arsye protokolli.
E vërteta duket se nuk është asnjëra prej tyre. Agjenda dhe protokolli mund të bëhen pengesë në një, dy, apo tre raste. Por, Meta është shmangur në një seri rastesh të tilla, sidomos në dy vitet e fundit, që s’mund të shpjegohen vetëm me protokollin e agjendën, por me faktin që BE e SHBA i kanë hequr vizën me kohë.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.