Presidenti Ilir Meta u zgjua këtë të enjte si alien për Tiranën. Kur themi alien e themi në kuptimin ‘i huaj’. Ai postoi në rrjetet sociale një shënim ku ngrinte shqetësimin se si Tiranës i ishte zhdukur pothuajse çdo gjurmë nga ajo e 30 viteve më parë.
Më tej foli për betonizim, prishje të lulishteve e hapësirave të gjelbërta për t’u hapur rrugë ndërtimeve e të tjera e të tjera.
Por, në këto 30 vite Ilir Meta nuk ka qenë i huaj për Tiranën. Ai është zgjedhur deputet në të gjitha legjislaturat që prej vitit 1992 deri në 2017-n, herë si socialist herë si ‘socialist i integruar’ në lëvizjen që krijoi vetë në 2004-n.
Ka qenë Kryeministër për thuajse tre vite, zv.Kryeministër e ministër me Berishën, kryetar Kuvendi dhe tani President. Pra, ndryshe nga një qytetar i thjeshtë i Tiranës (i hershëm apo i vonë, autoktonas apo i ardhur), Ilir Meta ka pasur pushtet, mekanizma, instrumente dhe ndikimin për të ndryshuar qeverisjen e kryeqytetit.
Por, jo! Presidenti krejt papritur gdhihet me shqetësimin e betonizimit të Tiranës pasi në 2000, 2003 dhe 2007 mbështeti Edi Ramën në garat elektorale për këtë bashki. Më pas mbështetjen e kaloi te Lulzim Basha në 2011 dhe sërish të socialistët me Erion Veliajn në 2015.
Pra, nga gjashtë zgjedhjet e fundit vendore, Ilir Meta në pesë prej tyre ka mbështetur, përkrahur e ndoshta edhe vendosur fituesin dhe rrjedhimisht edhe politikat e qeverisjes së kryeqyteti në rang vendor. Prandaj, para se ‘të bëjë si i virgjër’ duke ngritur shqetësimin e betonizimit të Tiranës, Meta duhet të kërkojë ndjesë.
Të kërkojë ndjesë që mbështeti Edi Ramën nga 2003 deri në 2007, ndjesë që mbështeti Bashën në 2011 (këtu duhet edhe ndjesa tjetër për mosmbajtjen e premtimit të Bashës, për të cilin Meta deklaronte me bindje atëherë se do të transformonte qytetin). Ndjesa duhet të kërkohet edhe pse mbështeti Erion Veliajn në 2015 dhe në fund, ndjesa edhe për bojkotin e opozitës në 2019 dhe paaftësisë së tij për të negociuar me palët duke shmangur si djegien e mandateve, ashtu edhe bojkotin.
Të dyja këto akte sot i quan pjesë e marrëveshjes së të keqes mes Ramës e Bashës duke vazhduar me alibinë se atij nuk i kishte treguar gjë Monika Kryemadhi se kishte në plan të digjte mandatet në shkurt të 2019-s.
Sa për Tiranë, me të mirat dhe të këqijat e saj ajo do të vazhdojë të zhvillohet, diku me kritika, diku me pengesa e diku me zhurmë. Diku do të ndërtohet pallat, diku një hotel e diku një lulishte.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.