INTERVISTA / Zv.Presidenti i PE, Fabio Massimo Castaldo: Europa do ta paguajë shtrenjtë zvarritjen e Ballkanit

26 Maj 2022, 14:54Fokus SHKRUAR NGA ALQI KOçIKO
Fabio Massimo Castaldo

Anëtari i Parlamentit Europian Fabio Massimo Castaldo, përfaqësues i Lëvizjes 5 Yjet në Itali, deri në janarin që lamë pas ishte zv.president i PE-së.

Albanian Daily News kishte zhvilluar edhe një intervistë të mëhershme me të para dy viteve, ku u trajtuan vështirësitë shqiptare në procesin e integrimit në BE, zhvillimet rajonale por edhe marrëdhëniet dypalëshe Shqipëri-Itali.

I ndodhur në Tiranë, këtë herë në një sfond aspak zyrtar, madje sportiv, për të ndjekur finalen e Conference League në futboll, z.Castaldo megjithatë na dha mundësinë e një bisede mjaft interesante, nën dritën e një serie zhvillimesh të reja dramatike në kontinent dhe brenda vetë BE-së.

Ndiqni intervistën:

-Zoti Castaldo, le ta nisim këtë bisedë me një pyetje të drejtpërdrejtë. Presidenti francez Emmanuel Macron ka hedhur së fundi idenë e krijimit të një “Komuniteti Politik Europian”, duke shpjeguar edhe çfarë ka parasysh me këtë. Nga Gjermania erdhi një sinjal i vakët pozitiv, por vetë projekti ngre shumë pikëpyetje. Do doja një koment tuajin.

-Shikoni, e kuptoj arsyetimin që qëndron pas këtij propozimi të zotit Macron në fjalën përmbyllëse të konferencës “E ardhmja e Europës”. Por më duhet të them se unë ushqej shumë rezerva ndaj kësaj ideje. Së pari, sepse komplikon kuadrin institucional brenda Bashkimit Europian. Ne i kemi ndërkaq të përcaktuara hapësirat dhe etapat që shërbejnë si stacione të vlerësimit të progresit të vendeve drejt integrimit të plotë. I kemi ato, si brenda vetë BE-së, me marrëveshjet e Stabilizim-Associmit dhe dhënien e statusit të vendit kandidat, - etapa këto të ndërmjetme në rrugëtimin e çdo vendi drejt anëtarësimit të plotë, që shoqërohet me harmonizimin e bazës ligjore (acquis comunnautaire) – ashtu edhe jashtë Unionit, me Këshillin e Europës. Ky i fundit, duke u fokusuar në të drejtat e njeriut dhe shoqërinë demokratike, ofron një koordinim më shumë në këtë drejtim.

Kësisoj, them se me idenë e Macronit do të rrezikonim drejt një Europe me “më shumë marshe” sesa mundemi të menaxhojmë, jo me dy por me disa shpejtësi, dhe rrjedhimisht me më shumë hapësira për konfuzion. Por mbi të gjitha, do rrezikonim – dhe kjo është e pathëna që fshihet pas propozimit – që anëtarësimi i një vendi në “Komunitetin Politik Europian” të mos jetë një stad kalimtar drejt anëtarësimit në BE, por një stacion final, ose një qëndrim tejet i gjatë në këtë fazë. Thënë ndryshe, një mbajtje larg e vendeve aspiruese.

Ndaj këtu duhet të dallojmëdisa kategori. Janë disa vende që kanë zgjedhur të mos i bashkohen rrugëtimit drejt anëtarësimit në BE, por të bashkëpunojnë në disa sektorë me BE-në si partnerë. Këto vende e kanë bërë zgjedhjen e tyre të lirë, dhe këtu kam parasysh Britaninë e Madhe, apo Norvegjinë. Kjo është një gjendje ekzistuese dhe ky status hibrid që propozon Macron nuk sjell asgjë të re.

Kemi nga ana tjetër vende që dëshirojnë në mënyrë legjitime të bëhen pjesë e BE-së, mes tyre ato të Ballkanit Perëndimor. Nëse i plotësojnë kriteret e Kopenhagës, ato duhen ndihmuar të bëhen pjesë e Unionit dhe jo të sillen vërdallë duke u dhënë një status hibrid. Kështu rrezikojmë të hapim lojra të tjera gjeopolitike, duke u dhënë hapësira lojtarëve të tjerë, që janë ndërkaq të pranishëm në Ballkan dhe Europë. Kemi Kinën psh, me investime infrastrukturore kyçe, si linja hekurudhore nga Pireu në Budapest, apo me të famshmen, ose famëkeqen autostradë qënis nga porti malazez i Barit dhe shkon në Serbi.

Kemi po ashtu Rusinë, historikisht e pranishme, sidomos në botën ortodokse të rajonit, përfshirë Serbinë dhe Republikën Srpska. Padyshim është dhe Turqia, që edhe pse vend i NATO-s dhe zyrtarisht vend kandidat për në BE, nuk ka gjithmonë një axhendë të përputhshme me atë të BE-së. Dhe së fundi, kemi edhe vendet e pasura të Gjirit, Si Emiratet e Bashkuara, Katari apo sauditët, që në disa vende e sektorë të caktuar, kanë shtuar peshën e tyre.

Me fjalë të tjera, çdo ngurrim i yni krijon boshllëqe që plotësohen nga aktorë të tjerë në rajon. E nëse vijojmë kështu, Europa do dobësojë dhe atë fuqi tërheqëse që modeli i saj ushtron si deri më sot, mbi vendet kandidate, dhe do gërryejë dëshirën dhe entuziazmin e popujve për të qenë një ditë pjesë e Unionit, sepse do të ndihen të refuzuar dhe viktima të standardeve të dyfishta. Le të mos harrojmë se Europa pranoi Bullgarinë dhe Rumaninë si anëtare të plota, megjithëse problematikat e këtyre vendeve – që vazhdojnë ende – nuk ishin më të vogla se ato të Ballkanit Perëndimor sot, që po i vonojmë më shumë për arsye të brendshme politike.

Nëse këto vende fillojnë të humbasin vokacionin pro-perëndimor dhe pro-europian që e kanë kaq të fuqishëm, atëherë BE-së do t’i hapet një front shumë i rrezikshëm tek dyert e saj.

-Më duhet të them se kryeministri ynë, zoti Rama, pati fjalë të mira për “statusin e anëtarit të asociuar” të BE-së, në takimin e fundit me zotin Charles Michel, President i Këshillit Europian. Por në rajon nuk kanë munguar komentet se propozimi i Macron është veçse një sajesë, shpikje penguese për të zgjatur edhe më itinerarin integrues të vendeve tona. Dhe erdhi si reagim ndaj thirrjeve të forta, të nxitura edhe nga agresioni rus ndaj Ukrainës, që procesi i zgjerimit të BE-së të kryhet me urgjencë. Ju çfarë arsyesh shikoni tek këto qëndrime të Francës?

-Unë ritheksoj se duhet reaguar mbi bazën e respektimit të marrëveshjeve, standardeve të njëjta për të gjithë, dhe pa trajtime preferenciale. Personalisht besoj se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë treguar me të tepërt se meritojnë hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me BE-në. Kanë kryer hapa seriozë, reforma konkrete, madje të rëndësishmeqoftë për çështjen e emrit në Shkup, që e ndërroi me kushtetutë për të zgjidhur ngërçin me Greqinë – cili vend tjetër e ka bërë - apo reforma e drejtësisë në Tiranë. Dhe tani Maqedonia e Veriut ka ngecur në këtë debat kulturor e historik me Bullgarinë, që për mua nuk ka shumë arsye për të ekzistuar, e rrjedhimisht dhe Shqipëria.

Edhe një saktësim qëështë stërpërsëritur. Flasim për hapje të bisedimeve të anëtarësimit, jo për mbyllje. Pra është veç një fillim i një procesi të gjatë me shumë faza e teknicizma brenda, ku do vlerësohen plotësimet e kushteve nëçdo sektor, sipas kapitujve, ndaj jemi duke bërë një gabim gjeopolitik të një miopie të jashtëzakonshme.

Unë mendoj se pengesa e vetme reale janë zgjedhjet franceze, siç shumëkush e ka marrë me mend, pra janë arsye të brendshme politike e elektorale. Nuk ka lidhje me ato që thuhen, mbi frikën e penetrimit të krimit të organizuar nga vende të Ballkanit Perëndimor në BE, apo arsye të ngjashme me to. Këto rrjete ekzistojnë prej kohësh, se dihet që krimi e gjen rrugën e vet. Dhe ai po luftohet me bashkëpunim më të ngushtë mes vendeve. Këtyre kuajve të frikës u hipën zakonisht e djathta ekstreme europiane, e cila përshkruan rajone apo vende të caktuara me ngjyra të pavërteta vetëm për të mbledhur vota “të lehta” njerëzish të painformuar apo të frikësuar.

Zgjedhjet franceze mbaruan, por narrativa si të mësipërmet mbeten, dhe nëse nuk luftohen dhe çmontohen nga partitë pro-europiane, nuk do të zhduken kollaj. Prandaj me forcë të madhe kërkoj që Italia të jetë protagoniste, bashkë me shtete të tjera, padyshim Gjermania përfshirë, në nisjen më në fund, të bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Nuk mundemi më të presim akoma, të vazhdojmë të zhgënjejmë popujt; siç thashë më lart, do paguajmëçmim mjaft të kripur nëse e bëjmë këtë.  

-Në vijim të këtij arsyetimi: Duke qenë të qartë mbi arsyet e ngurrimit europian për anëtarësimin e vendeve të reja, ndoshta kalon në plan të dytë apo të tretë ideja e shfaqur me forcë së fundi, e kryeministrit Rama mbi shkëputjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut sa u takon bisedimeve të anëtarësimit. Ju si mendoni, a do të luante ndonjë rol kjo ndarje për Shqipërinë; dhe a do të ishte e drejtë?

- Është një pyetje paksa ‘tinëzare’. Një ndarje e mundshme mbase do t’i jepte një dorë Shqipërisë; nuk e di se sa. Të mos harrojmë, deri pak kohë më parë, menjëherë pas firmosjes së Marrëveshjes së Prespës me Greqinë për emrin, ishte Maqedonia e Veriut ajo që gjendej më afër hapjes së bisedimeve, dhe Tirana po e mbante “të lidhur” fqinjin me problemet e saj. Tani situata është përmbysur, sepse Shkupi duhet të zgjidhë disa çështje me Bullgarinë.

Por unë, përtej çështjes së ndarjes ose jo të Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut, apo edhe hapjes së bisedimeve me njërin vend por jo me tjetrin, mendoj se do të kishim një mesazh dekurajues dhe përçarës për rajonin. Tek e fundit, edhe në Maqedoninë e Veriut ka shumë shqiptarë, mbi një e treta e popullsisë dhe mes tyre do krijoheshin pakënaqësi dhe ftohje ndaj BE-së, aq më shumë me krizën gjeopolitike të tanishme, pas sulmit brutal rus ndaj Ukrainës. Të gjithë e dinë afërsinë e liderit serbo-boshnjak Dodik me Rusinë, ashtu si dhe dyzimin e Serbisë përballë lidhjeve të shumëfishta me Rusinë nga njëra anë, dhe frikës për humbjen e trenit të BE-së nga ana tjetër. Pra, ne duhet të punojmë duke synuar afrimin dhe bashkimin, dhe jo ndarjen dhe përçarjen.

Ndaj dëshira ime është të dyja vendet të hapin bisedimet. Edhe sikur të shkëputej Shqipëria dhe të hapte bisedimet e anëtarësimit, kjo në vetvete do të ishte një dështim për BE-në.

-Zoti Castaldo, Bashkimi Europian ishte i zhytur në debatet e brendshme mbi mënyrën e funksionimit, pakënaqësitë e disa vendeve anëtare, rritjen e forcave populiste, ekzistencën e dy shpejtësive etj, në momentin kur nisi agresioni rus ndaj Ukrainës. Pati një shkundje të rrufeshme dhe reagim të njëzëshëm ndaj këtij sulmi, që u komentua si momenti i të vërtetës për BE-në. Por pas fazës të parë, mungesa e unitetit, sidomos sa u takon sanksioneve kundër Rusisë, po del sërish në pah… A do t’i rezistojë këtij testi Europa?

-Së pari duhet thënë një gjë. Padyshim, në momentet e para edhe vetë Rusia besoj se është zënë pa mendje nga reagimi në unison dhe me ashpërsi i BE-së. Por le të mos e idealizojmë shumë këtë reagim. Sepse poshtë sipërfaqes po lëviznin dhe nisën të dalin lart, përplasjet dhe mungesa e dakordësisë. Sidomos Hungaria, që aktualisht po tenton të bllokojë dhe paketën e gjashtë të sanksioneve, sigurisht me arsyet e veta.

Nga ana tjetër, këto debate mendoj se janë bija tëdifektit që BE-së i duhet patjetër vota unanime e gjithë anëtarëve për të arritur çfarëdolloj vendimmarrjeje ne politikën e jashtme dhe atë të sigurisë. Sot për sot, çdo faktor tjetër botëror gjeopolitik, qoftë Kina, Rusia apo tjetërkush, mjafton të ketë miqësi, afërsi apo kontroll qëndrimesh ndaj vetëm një vendi anëtar të BE-së, dhe mund të bllokojë apo paralizojë vendimmarrjen gjeopolitike e gjithë Unionit. Prandaj fatkeqësisht, reagimet e BE-së përkufizohen shpesh si “too weak, too late”.

-Dhe zgjidhja do të ishte ndryshimi i kësaj lloj vendimmarrjeje, apo jo…

-Sic doli dhe ne konferencën për të Ardhmen e Europës, zgjidhja e vetme është që të miratojmë një vendimmarrje me shumicë të cilësuar, në mënyrë që të kemi një BE të zhdërvjellët dhe efikase nëçështjet e jashtme dhe sigurisë së përbashkët. Nga ana tjetër, duhet të ecim përpara shpejt me çështjen e mbrojtjes së përbashkët europiane, ku hapat e parë janë hedhur së pari me EDIDP (European defence industrial development programme)dhe pastaj me EDF (European defence fund), si dhe me mobilitetin ushtarak (Military mobility) për të cilën kam qenë edhe relator në Parlamentin Europian.

Jane hapa padyshim të spikatur, që ndihmojnë në krijimin e një baze industriale ushtarake të përbashkët, dhe një operativitet më të madh, Por nuk mjaftojnë.

Spektri i Strategic Compass, plani strategjik ushtarak miratuar së fundi, për mendimin tim duhet të ishte më ambicioz. Në vend të një force të ndërhyrjes së shpejtë prej 5-6 mijë trupash, unë besoj se duhet të flisnim për të paktën 50-60 mijë trupa, siç u fol në Helsinki në vitin 1999, një forcë multioperacionale frenuese me asete dhe veprim detar, ajror dhe tokësor, madje dhe kibernetik, dhe padyshim me një buxhet serioz që i përgjigjet këtij niveli.Këto fonde do mund të mblidheshin përmes borxhit të përbashkët të Unionit, por një rrugë tjetër është dhe tranzicioni sa më i shpejtë dhe efikas drejt energjisë së rinovueshme dhe burimeve alternative të gazit, si prej vendeve e Gjirit, Algjerisë etj, për t’u shkëputur sa më shpejt nga varësia ruse. Ndërkaq vende me hapësira më të mëdha manovrimi financiar, si psh Gjermani, do mund të kontribuonin më shumë në këtë drejtim.

Janë edhe këto tema shumë të rëndësishme që do të diskutohen në Qershor, dhe shpresoj të bëjmë zgjedhje kurajoze. Theksoj se për këto çështje duhen integruar edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, që duhet të jenë të lidhura edhe ato me rrjetin energjetik kontinental dhe tëçliruara nga varësia ruse. Italia për shembull, e ka kryer lidhjen e interkonjeksionit me Malin e Zi, duke siguruar kështu kontakt me gjithë rajonin.

-Po, Italia. Më lejoni të ndalem një sekondë. Roli i Italisë në Ballkanin Perëndimor ka qenë më i dukshëm disa vite më parë…

- Po, edhe Italia në këtë pikë duhet të reflektojë më shumësa i përket rolit të saj në rajon. Unë kam nënvizuar në disa artikuj të mi, se disa nisma që kanë qenë le të themi, tradicionale por që kanë humbur disi forcën dhe dinamizmin e tyre, si Iniciativa e Europës Qëndrore, apo ajo Adriatiko-Joniane, ndoshta duhen gërshetuar dhe përbashkuar në një format unik, më të zhdërvjellët, më të shkathët, me një Itali më protagoniste që mund të organizojë, fjala vjen, çdo vit, një samit të madh për Ballkanin Perëndimor, kur të bashkërendojë më mënyrë sistemike veprimtaritë e gjithë botës institucionale, diplomatike, të mbrojtjes, por edhe të shoqërisë civile, e pa harruar kryesoren, të investitorëve, biznesit të madh e atij të vogël. Pra çdo aktor qëështë i interesuar të luajë një rol si motor integrues i vendeve të rajonit në BE.

Në këtë kuptim, do doja të shikoja një Itali totalisht protagoniste dhetë angazhuar në këtë drejtim, dhe unë si vëzhgues modest me rol institucional europian do bëj më të mirën.

-Le ta mbyllim me arsyen e pranisë suaj në Tiranë, finalen e Conference League. Çdo të thotëky event për kryeqytetin dhe Shqipërinë?

-Është një vitrinë e bukur dhe një rast i mirë për Shqipërinë. Stadiumi është modern dhe pajisur me të gjitha kushtet dhe shërbimet. Duke qenë se flasim për një ngjarje sportive me shikueshmëri botërore, është e sigurtë që autoritetet dhe populli shqiptar do bëjë të pamundurën për të treguar edhe një herë mikpritjen e tij, atë virtyt që shqiptarët e kanë të shenjtë dhe që i ka bërë të famshëm në gjithë botën. Shpresoj në një ndeshje të bukur, e padyshim dhe në një angazhim tëdy tifozerive për ta respektuar këtë mikpritje të ngrohtë./Albanian Daily News

Video