Qeveria heq bonusin e bebes për fëmijët e emigrantëve

30 Maj 2023, 11:18Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Edi Rama (Foto - montazh)

Emigrantët shqiptarë nuk do të përfitojnë nga bonusi i bebes, që qeveria jep për çdo fëmijë të lindur, nëse nuk kanë rezidencën në Shqipëri.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqënies Sociale ka propozuar ndryshime në ligjin për asistencën sociale, ku ndërhyhet në dy nene.

Në pikën e parë të nenit të nëntë të ligjit aktual thuhet se përfitues të menjëhershme të ndihmës financiare janë prindi, ose prindërit e fëmijës. Ky nen propozohet që të ndryshojë, duke shtuar si kriter që këta prindër të banojnë në Shqipëri.

Në nenin 11 propozohet të ndryshojë gërma a. Aktualisht neni thotë se nga bonusi nuk përfitojnë shtetasit shqiptarë që banojne jashte vendit si emigrantë me përjashtim të përfituesve sipas pikës 1 të nenit 9, që në këtë rast do të thotë prindërit e fëmijëve të lindur jashtë.

Ministria e Shëndetësisë propozon që neni të ndryshojë dhe nga bonusi të përjashtohen të gjithë shtetasit shqiptarë, që nuk janë banorë në Republikën e Shqipërisë.

Bonusi i bebes është 40 mijë lekë për fëmijën e parë, 80 mijë lekë për fëmijën e dytë dhe 120 mijë lekë për fëmijën e tretë e më shumë.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video