Standardi i dyfishtë i SPAK: I dha tender pa garë të njëjtës kompani, për të cilën hetoi dhe dënoi ish-drejtorin e RTSH

24 Maj 2023, 23:51Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ish-drejtori i Përgjithshëm të RTSH, Thoma Gëllçi

Emisioni “Inside Story” ka zbuluar sonte standardin e dyfishtë të SPAK në hetime.

Bëhet për një çështje që bëri bujë të madhe, arrestimin dhe dënimin e ish-drejtorit të Përgjithshëm të RTSH, Thoma Gëllçi.

Ai u hetua nga SPAK dhe u dënua me një vit dhe 4 muaj nga Gjykata e Posaçme, për një tender për pajisjet me vlerë 86 milionë lekë

“Po Thoma Gëllçi çfarë bëri, që është çështje që bën mu, asgjë. Bëri detyrën, shtyu dy javë njoftimin e tenderit, pa u marrë fare me tenderin. E morën dhe e rrasën brenda dhe i bëftë mirë burgu. Mezi shpëtoi kokën dhe iku. Saimir Tahiri nuk shpërdoroi detyrën, pse e bëri SPAK këtë gjë, sepse është nën presionin, të fusë brenda, të krijojë një model . pra ky  është presioni politik, po të doni ju dhe diplomatik që për mua është ku e ku me presionin e medias që thonë ata”, thotë Ylli Manjani.

Sot e kësaj ditë Thoma Gëllçi pretendon pafajësinë. Përgjegjësia penale është njëra anë e medaljes së historisë që u trumbetua me forcë nga Prokuroria e Posaçme. Nëse i referohemi të dhënave zyrtare nga Prokurimet Publike, në këtë histori del standardi i dyfishtë i SPAK. Prokuroria akuzoi dhe dënoi Gëllçin për favorizimin e kompanisë “TBS 96”. Por i njëjti institucion i ndjekjes penale i ka dhënë një tender të negociuar dhe pa garë të njëjtës kompani, për të cilën hetoi ish-drejtorin e RTSH.

Kompania “TBS 96” është përzgjedhur për tenderin me objekt shërbim mirëmbajtjen e sistemit të përgjimit në Prokurorinë e Posaçme për një periudhë dyvjeçare. Kjo kompani për llogari të saj ka siguruar plot 60 milionë lekë të reja nga kontrata. Të dhënat zyrtare zbulojnë pagesat nga Thesari i Shtetit për kompaninë “TBS 96” nga Prokuroria e Posaçme gjatë muajve të fundit. janë dy pagesa nga 7.5 milionë lekë të reja për mirëmbajtjen e sistemit të përgjimit dhe një pagesë e tretë prej 2.5 milionë lekësh për blerje shërbim celularësh.

Teorikisht, rastin e hetimit dhe dënimit të Thoma Gëllçit, edhe kompania që fitoi tenderin me një vlerë prej 20 milionë lekësh më shumë se oferta më e ulët duhet të ketë qenë nën hetim nga SPAK.

Pavarësisht kësaj, standardi i ndjekur është i dyfishtë dhe kompania në fjalë, ironikisht ka thithur para publike nga vetë organi i akuzës. Subjekti në fjalë është hetuar edhe për çështje të tjera, për mospërmbushje të detyrimeve për tenderat publikë. Në vitin 2020 është paditur nga opozita në SPAK për një procedurë te cilësuar sekret për furnizim me respiratorë gjatë shpërthimit të pandemisë.

Video