Fredi Beleri fitoi Himarën nga burgu, mandati i tij në “dorën” e PS dhe Celibashit!

15 Maj 2023, 13:12Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Në foto: Fredi Beleri

Fredi Beleri, në burg për blerje votash, u shpall fitues në bashkinë e Himarës me një rezultat shumë të ngushtë kundrejt kandidatit socialist Jorgo Goro.

Koalicioni i ‘Bashkë Fitojmë’ ka fituar me pak vota para, ndërsa kutia e fundit vendosi fatin e fituesit. Kryetari i komisionit u shpreh se diferenca mes Belerit dhe Goros ishte 19 vota.

Ndërkohë, në këtë KZAZ ishte prezent dhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili pas rezultatit pozitiv, u përqafua me mbështetësit e tij.

Gara në këtë bashki luhej jashtë kufijve të Shqipërisë,  kjo vërehej sa votues do të vinin nga Greqia. Vetëm tre ditë para votimeve Fredi Beleri u arrestua në flagrancë, për blerje votash.

Mediat raportuan se nga pikat kufitare me Greqinë kanë ardhur afro 3 mijë votues pro Belerit. Duket se Athina zyrtare ka qenë vendimtare në rezultatin përfundimtar.

Gjykata e Vlorës vendosi të shtunën ta cilësojë të ligjshëm arrestimin e Alfred Belerit, kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Himarës, i akuzuar nga prokuroria për “korrupsion aktiv në zgjedhje”.

Gjykatësja Dorina Stroka caktoi për Belerin masën e sigurisë arrest në burg dhe transferoi çështjen për kompetencë në SPAK.

Ministria e Jashtme greke bëri një reagim sipas të cilit me këtë vendim Shqipëria “praktikisht nuk po ndiqte rrugën drejt Bashkimit Europian”. Në të njëjtën mënyrë reaguan kryeministri grek dhe ministri i jashtëm.

Por çfarë do ndodh me mandatin e Fredi Belerit në rast se gjykata e dënon me burg kryebashkiakun e ri të Himarës Fredi Belerin. Avokati Idajet Beqiri tha për VoxNews se dy janë opsionet në lidhje me fatin e mandatit të Fredi Belerit.

1- PS duhet të bëjë ankesë në KQZ, që kandidati akuzohet për blerje votash dhe të përsëriten zgjedhjet.

2- Në rast se do kemi vendim të formës së prerë nga gjykata e cila dënon me burg, Fredi Belerin atëherë është Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ai që ja heq mandatin.

Eksperti i çështjeve zgjedhore, Kristaq Kume, u shpreh se Beleri e humbet mandatin nëse dënohet për blerje votash. Sipas Kumes, Fredi Beleri mund të firmos edhe nga paraburgimi për marrjen e mandatit.

Reagimi i Ramës:

Në një intervistë televizive edhe kryeministri Edi Rama e ka akuzuar Fredi Belerin për tentativa për manipulim të votave. Rama e cilësoi Belerin një maskara për të cilin shtoi se ka angazhuar njerëz për të kërcënuar emigrantët shqiptarë në Greqi që të votojnë për të më 14 maj.

Rama foli edhe me emra kur thha se 2 personat që po kërcënojnë emigrantët se do iu grisin letrat greke janë Napolon Çakalli dhe Spiro Koka, të cilët i paralajmëroi se do merret personalisht me ta.

Çfarë dha Fredi Beleri për gazetën 'Protothema' në Greqi:

Është jetike për helenizmin e Himarës të kapërcejë të gjitha pengesat, që e pengojnë këtë mundësi, të ketë punë të mira, të gëzojë pasurinë e tij, e cila na është mohuar prej 60 vitesh, për t’iu ofruar arsim në gjuhën amtare, greke të gjithëve.

Zgjedhja ime do të lehtësojë rrjedhën e helenizmit”, pati deklaruar  Beleri për gazetën e madhe greke 'Protothema'. 

Përgjimet që ‘fundosën’ Fredi Belerin:

Detaje të reja janë zbuluar nga arrestimi i kandidatit të koalicionit Meta-Berisha për bashkinë e Himarës, Fredi Beleri.

Mediat raportojnë se i infiltruar i drejtësisë që ka firmosur marrëveshje bashkëpunimi me autoritetet, hyri në diskutim me Belerin pesë ditë para arrestimit në pazaret për shit-blerjen e votës.

40 mijë lekë të vjetra janë dhënë për 8 vota, ndërsa mësohet se Fredi Bleri i kishte premtuar bashkëpunëtorit të policisë se nëse do ua blinte votat këtyre 8 personave do t’i jepte 40 mijë lekë për 8 votuesit dhe 30 mijë lekë për atë vetë.

Sipas TCH, për ta bindur personin që bashkëpunoi me drejtësinë i është treguar dhe lista e zgjedhësve që bashkëpunëtori i drejtësisë tha se i kishte gati. Ndihmësi i Belerit dyshohet se është personi që në vëzhgimet ambientale ia çon paratë bashkëpunëtorit të drejtësisë.

Ky i fundit u vonua në takim dhe në një moment ndihmësi e telefonon Belerin duke i treguar se personi nuk gjendej aty. Beleri shprehet “prit një minutë” dhe më pas bashkëpunëtori i drejtësisë shfaqet në vendtakim për të marrë paratë nga ndihmësi i Belerit.  

Sipas dosjes së hetimit rezulton që paratë për tetë vota u dhanë në një WC dhe se ky moment është vetëm me audio dhe jo i filmuar dhe me kamera sikurse takimet e tjera nën vëzhgim nga një grup i Policisë së Shtetit të dërguar nga Tirana.

Qytetarët e Himarës: Na premtoi nga 10 mijë lekë për votat, por s’pranuam

Qytetarë të Himarës që u shoqëruan nga policia, pas daljes nga DVP Vlorë deklarojnë se janë kontaktuar nga njerëz të Fredi Belerit për të shitur votën. Ata thonë se u ishte ofruar nga 10 mijë lekë për person në familje për t’i dhënë votën Fredi Belerit.

“Ishte Beleri dhe na tha do të japim lekë. Nuk dua lekë i thashë. 100 mijë lekë për votë më tha. Isha unë nusja dhe mamaja. Ne nuk pranuam. Nuk kemi marrë lekë.”- tha Gligon Mërkuri, qytetar.

Ndërkohë një qytetare tjetër tha se nuk i ka thënë gjë Fredi Belerit, por i ka thënë Niko Panajoti, që t'ja japë votën Fredi Belerit, kundrejt 10 mijë lekëve.

“Na thanë do u japim secilit nga 10 mijë lekë për të votuar Belerin. Vetë ai nuk më ka thënë gjë, por më kanë thënë Niko Panajoti ”jepja votën Fredi Belerit”. Erdhën sot na morën në 3 pa 10 nga shtëpia.”- tha një tjetër qytetare.

Kush është Fredi Beleri, kryebashkiaku i ri i Himarës i arrestuar për blerje votash;

Për afro tri dekada emri i tij është lidhur me një prej ngjarjeve më të rënda, që cënoi sovranitetin e vendit, “Masakrën e Peshkëpisë”. Është arrestuar, liruar, hetuar e gjykuar për atë ngjarje, dosja e të cilës përfundon gjithmonë duke u mbyllur me siglën “pa autor”.

Paradoksi qëndron në faktin se në vitin 1994, kohë kur Sali Berisha ishte president i Republikës, Beleri ishte një nga personat e akuzuar për “Masakrën e Peshkëpisë”.

Pavarësisht asaj që kishte ndodhur në Gjirokastër, ai mori guximin dhe kandidoi për kryetar të Bashkisë së Himarës në zgjedhjet lokale të 2015-ës, në siglën e PBDNJ.

Edhe pse e mori me votë përgjigjen e himariotëve, duke mos arritur të fitonte, ai e provoi sërish në vitin 2019, por, para 4 vitesh, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve refuzoi kandidimin e Alfred Belerit si kandidat i pavarur për zgjedhjet e 30 qershorit 2019 në Bashkinë e Himarës.

Shkak për këtë vendim ishin shkeljet që iu gjetën në formularin e dekriminalizimit. Në vitin 2006, Gjykata e Vlorës e ka dënuar me 3 vjet burg për thirrje urrejtjeje nacionaliste. Ai është hetuar tri herë për “Masakrën e Peshkëpisë”, një herë në Greqi dhe dy herë në vendin tonë.

Tashmë dosja është e arkivuar, ashtu si edhe në rastet e mëparshme, me siglën “Pa autor”. Fredi Beleri dhe dy të dyshuarit e tjerë të kësaj ngjarjeje, prej asaj date u liruan nga akuzat e ngritura ndaj tyre.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video