Erion Habilaj
Ekrem Bardha është biznesmen i njohur shqiptaro-amerikan, filantrop dhe një nga njerëzit më me ndikim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për sa i përket çështjeve të Shqipërisë.
Historia e jetës së tij është mbresëlënëse dhe nga ato që të frymëzojnë. Është larguar nga Shqipëria në moshë të re ne vitet ’50 duke iu arratisur regjimit të kohës, pas disa ndalesave në Greqi dhe Gjermani është vendosur në Michigan, ShBA.
Atje ndërtoi jetën e tij, si fillim duke punuar punë nga më të ndryshmet e deri kur erdhi dita që u bë një nga biznesmenët shqiptarë më të suksesshëm në Amerikë. Disiplina dhe serioziteti në punë dhe ambiciet për të qenë dikush, e kanë bërë që të eci përpara.
Paralelisht përmirësimin e aftësive të tij në punë dhe biznes ai u mor shumë edhe me çështjen shqiptare atje duke u kthye në një personalitet i cili mbronte dhe donte vendin e tij. Pavarësisht mënyrës se si është larguar nga Shqipëria, pavarësisht përndjekjes që kanë patur familjarët e tij para viteve ’90 ai është njëri pa mllefe. Pa parti. Pa urrejtje.
Për të ka qenë gjithmonë e rëndësishme Shqipëria.
Jeta, puna dhe kontaktet më shumë njerëz të rëndësishëm në SHBA e kanë bërë të vendosi prioritete në jetë. Gjatë bisedës me Ekrem Bardhën, kuptojmë se, njeriu sado larg të shkojë, sado lartë të ngjitet, sado i pasur të jetë, balta më e ëmbël se mjalta i duket vetëm në vendlindjen e tij. Që nga momenti kur u arratis nga Shqipëria, iu deshën të priste 40 vite për të prekur sërish këtë tokë.
Ndaj, vitet e fundit pjesë të madhe të kohës e kalon në Shqipëri. Malli zbut edhe gurin, thonë, dhe malli bën të ndjeshëm edhe z. Bardha kur i kujton vendlindjen…
Më poshtë një intervistë që i kam marr zotit Ekrem Bardha që vjen sot me rastin e 90 vjetorit të lindjes së tij.
-Z. Bardha, faleminderit për këtë bisedë.
-Unë ju falënderoj për ftesën që më bëtë.
-Ju jeni vazhdimisht mes Amerikës dhe Shqipërisë, ku e gjeni gjithë këtë energji…?
E di se mund t’ju duket një përgjigje ndoshta e dëgjuar, por në fakt është kështu. Kam pritur një kohë të gjatë, shumë të gjatë që të kem mundësinë të vij në atdheun tim. Nuk dua t’i humbas vitet larg atdheut, këtu më thërrasin shumë gjëra dhe kam krijuar shumë lidhje, jo vetëm shoqërore, por edhe të një mjedisi që më bën të ndjehem mirë. Gjithçka është ndryshe në vendin tënd.
-Jeni larguar herët nga Shqipëria, kur ishit fare i ri dhe jeni ndër të rrallët që mbani lidhje kaq të ngushta me vendin tuaj, çfarë ju lidh me Shqipërinë, që ju ka bërë të mos shkëputeni kurrë?
Jam larguar nga Shqipëria, jo se nuk e doja, përkundrazi, e kam dashur shumë dhe e dua edhe më shumë. Nuk kam dashur regjimin komunist dhe kjo më ka ndarë nga vendi im. Në Shqipëri kam gjithçka, që nga varret e të parëve të mi, nga kujtimet, disa prej tyre shumë të dhimbshme, si është për shembull pushkatimi nga regjimi komunist i vëllait tim, Samiut; kam vitet që kam kaluar në rininë e hershme, por edhe malli. Disa herë, gjatë kohës që nuk mund të vija në Shqipëri, i jam afruar asaj, kam ardhur buzë kufirit dhe kam parë viset tona, një herë, bashkëshortja ime Lumturia u fut në një lum që ndante kufirin dhe kaloi në pjesën shqiptare të lumit, për të mbledhur gurë të vendlindjes, që i kam ende në shtëpinë time, në Detroit.
-Ju keni një histori frymëzuese, pasi keni ikur nga Shqipëria gjatë regjimit komunist dhe jeni vendosur pas disa peripecive në SHBA. Pas kaq vitesh, i ktheheni ndonjëherë kujtimeve, si e nisët jetën në tokën e premtuar? Ka qenë e vështirë?
Ne, si familje, jemi larguar nga Shqipëria duke e kthyer kokën pas. Kemi ikur me brengë dhe, megjithëse, si kam shkuar në letrën që lashë kur u larguam, se, “nderi im nuk e do që të kaloj në shtetin grek”, përsëri ishim të detyruar.
Rruga drejt Amerikës nuk ka qenë e lehtë. Përkundrazi, e mundimshme. Që nga presioni i Asfalisë greke për të më bërë bashkëpunëtor të shërbimit grek, çka e refuzova në mënyrë kategorike dhe ky presion zgjati mbi 6 muaj, ditë e natë, e deri tek largimi, fillimisht në shtetin gjerman, e më pas drejt Amerikës.
Unë e kam dashur punën dhe nuk i kam thënë kurrë “jo” asaj. Kam bërë punët më të vështira, që nga larës pjatash, pastaj në një floktore të njohur, duke ecur hap pas hapi, deri tani që familja ime, veç të tjerave, ka në pronësi një zinxhir restorantesh. Nëse një herë të vetme i thua punës “jo”, ajo të thotë dhjetë herë.
-A ju ka ndihmuar dikush në atë kohë, që ju dha dorën…?
Mbi të gjitha të ndihmon sistemi. Amerika është vend i mundësive të mëdha. Pra, të krijon hapësirën për të bërë diçka, për të qenë dikush. Kjo është “dora” e parë që më është dhënë. E dyta ishte serioziteti që ta kërkon Amerika. Duhet të jesh njeri serioz. Pastaj të mësosh. Për të hapur restorantin tim të parë Machdonalds, kam bërë muaj e muaj kurse, punë pa pagesë për një vit, pastaj kam kaluar në provime të ndryshme, deri sa autoritetet e larta të firmës e miratuan futjen time në këtë biznes. Pra, të mësosh, të punosh, të jesh serioz, të fitosh besimin dhe të japësh besim. Ndryshe dështon. Mund të investosh shumë dhe të mos fitosh asgjë. Ka pasur shqiptarë që më kanë ndihmuar, më shumë me këshillat e tyre. Ashtu si unë kam ndihmuar të tjerët, por jo vetëm me këshilla. Edhe financiarisht.
-Ka qenë e vështirë për ju të çanit në botën e biznesit në një vend ku konkurrenca është e lartë?
Natyrisht ka qenë e vështirë. Amerika është vendi i mrekullive, por mrekullitë nuk bien nga qielli. Duhet të krijosh emrin tënd. Përmes shërbimit të lartë, cilësisë, seriozitetit. Dhe guximit. Nëse nuk ke guxim, rri në punën tënde. Kur vendosa të futesha në botën e modës, fillimisht u punësova tek një mjeshtër i madh. Shumë vetë, edhe nga familja, më thanë se ky nuk është zanat për ne, se do të dështojmë. Mirëpo, shpejt, salloni ynë, salloni “Bardha” u bë vendi më i frekuentuar në Detroit, ku vinin elita politike dhe financiare e qytetit, njerëz të shquar.
-Cila ka qenë ajo aftësi që ka spikatur tek ju dhe ju ka bërë të ecni përpara?
Mendoj se në jetën time si njeri i biznesit kam patur tri aftësi apo cilësi: serioziteti në punë. Çdo punë e kam marrë shumë seriozisht. Cilado qoftë. I jam nënshtruar asaj dhe, më pas, e kam nënshtruar atë. E kam parë si sfidë të përkohshme. Pastaj, kujdesi për emrin e asaj që do të merrnim përsipër. Kemi pasur merak që emri “Bardha”, qoftë në sallonet e bukurisë, qoftë në vargun e restoranteve, të ishte i dëgjuar për cilësinë, shërbimin, të renë që përcjell. Ia kemi arritur. Së fundi: për të bërë të pamundurën – të mundur. Kudo qoftë. Kur më propozuan të blej gazetën Iliria, jam menduar gjatë. Nuk kisha përvojë në media, megjithëse i ndiqja dhe lexoja shumë. Më thanë, hiq dorë, nuk është bota jote. E mendova dhe i thashë vetes, “ti, mund ta bësh”. Iliria u bë gazeta më e njohur shqiptaro–amerikane në SHBA dhe përkrahëse e fuqishme e lobimit për pavarësinë e Kosovës. Ajo ka marrë vlerësimet më të larta nga personalitete të elitës politike të Shtëpisë së Bardhë. Pra, atë që e mendoja të pamundur, e bëmë të mundur.
-Keni një këshillë për biznesmenët e rinj, si duhet të jenë ata që të punojnë në këtë terren?
Duhet ta marrin punën seriozisht dhe të jenë besnikë të saj. Nëse e merr lehtësisht, pra, me mendje të fjetur, mbetesh në rrugë. Po ju sjell një shembull: një biznesmen i ri në SHBA donte të hapte një restorant dhe i kërkoi edhe vëllait tim një ndihmë të përkohshme financiare. E takova dhe e pyeta se çfarë dinte për restorantet. Më tha shkujdesur, “ja, e hap, një kuzhinë, shërbim, ecën vetë”. I thashë vëllait, mund t’ia japësh ndihmën, por do i kesh të humbura dhe ky do të dështojë. Dhe dështoi. Të rinjtë në Shqipëri, biznesmenët e rinj, duhet të jenë seriozë, të kenë guxim dhe t’i trajtojnë seriozisht njerëzit me të cilët punojnë.
-Ju u rritët në SHBA, profesionalisht, por edhe si njeri, çfarë ju mësoi ai vend?
Amerika më mësoi shumë gjëra, mbi të gjitha tolerancën në mendim dhe besnikërinë në marrëdhëniet shoqërore e politike. Kur vajta në Amerikë unë isha një djalë ende i ri, që kisha pasur shumë ngjarje në jetë, pasi vetë trajtimi që na ishte bërë kishte qenë mizor. Ne u arratisëm, por e donim Shqipërinë, u arratisëm së bashku me dajallarët, por, edhe shtëpitë që lamë pas na i shembi shteti, i bëri gërmadhë. Pastaj ekzekutoi tim vëlla. Amerika më mësoi t’i shoh gjërat përmes mendimit të pjekur dhe jo urrejtjes. Kisha shkuar me urrejtje, por në takimet që kam pasur me Fan Nolin, Abaz Ermenjin, baba Rexhepin, me shumë atdhetarë shqiptarë, pastaj me politikanë të trupës drejtuese në SHBA, me kongresistë apo senatorë, mësova se një regjim përmbyset përmes mendimit, se pavarësia e Kosovës arrihet përmes përkrahjes së një force të madhe si SHBA.
Në vitin 1966 jam takuar me profesor Abaz Ermenjin. Në Paris. Vloja nga mllefi për komunizmin dhe kisha shkuar të merrja mendimin e tij se çfarë do të bënim. Profesori filloi të më flasë gjatë e gjerë për Kosovën. Nuk po kuptoja me të vërtetë, pse ishte gjithë ai zell i profesorit të nderuar për Kosovën, kur ne kishim problemin e Shqipërisë nën sundimin komunist, një plagë të hapur që duhej mbyllur. I kërkoj ndjesë dhe leje njëkohësisht, nëse mund ta ndërprisja profesorin për një moment dhe i them: “Profesor, me gjithë dhembjen që ndiej për ndarjen e Kosovës dhe për vuajtjet e vëllezërve kosovarë, dua t’ju them se këtë takim e kërkova që të bisedojmë për problemet e Shqipërisë, për hallin e madh që na ka zënë, për shembjen që duhet t’i bëjmë regjimit komunist dhe ndërtimin e një sistemi demokratik. Si një lider i mërgatës politike shqiptare, unë po pres nga ju të më thoni dhe të më jepni shpresë se si do të ndërhyjmë në Shqipëri, për të rrëzuar atë sistem diktatorial, që më detyroi mua dhe mijëra shqiptarë të tjerë të braktisnim vendin tonë nga persekutimi komunist …”.
Profesor Ermenji më dëgjoi me qetësi, duke kuptuar shqetësimin tim dhe më tha: “Megjithëse që të dy jemi kundër sistemit komunist, përsëri Shqipërinë e kemi shtet, kurse problemi më i madh kombëtar ende i pazgjidhur mbetet Kosova”.
Më bëri përshtypje. Unë kisha shkuar t’i flisja për rrëzimin e pushtetit në Shqipëri, ai më fliste për Kosovën.
I thashë vetes, “ ky është antikomunist”?
Prisja të më fliste për regjimin në Shqipëri. Unë nga atje kisha ikur, një vëlla e kishim lënë në burgjet e sigurimit shqiptar dhe nuk e dinim, nëse ishte gjallë a jo.
Unë prisja, por ai nuk po më thoshte asnjë fjalë.
-Po, Shqipëria, e pyeta, më në fund.
-Lere Shqipërinë, u përgjigj. Shqipëria është shtet. I mirë, i keq, komunizëm apo demokraci, është shtet. Problemi është Kosova.
I thashë, “profesor, a mund të ju ndërpres, ju keni qenë eksponent, keni qenë luftëtar, gjithë jetën keni qenë kështu, kur do të çlirohet dhe demokratizohet Shqipëria?
-Lere Shqipërinë,- përsëriti. Problemi i tashëm është Kosova. Kthehuni në Amerikë. Takohuni me senatorë dhe kongresmenë, flisni me ta. E vetmja shpresë për Shqipërinë dhe për Kosovën është Amerika.
Mësova të kem përparësi në jetën time politike. Mësova të jem tolerant, jo, si më tha këto ditë në Drashovicë, një intelektual, që mburrej, se “unë jam nacionalist ekstremist”. I thashë, “këtu prishemi bashkë. Ekstremizmi është i dëmshëm. Me cilët kërkon të jesh ti ekstremist, me vëllezërit tuaj, miqtë tuaj. Shiko, i thashë, në këtë salle, ku jemi mbledhur për Ismail Qemal Vlorën, ka edhe të majtë, edhe të djathtë, edhe ballistë, edhe ish partizanë. Me cilët do të jesh ekstremist”. E kam thënë dhe e përsëris, jam i së djathtës, por Shqipërinë e kam mbi të gjitha.
-Keni ruajtur në karakter ndonjë tipar prej shqiptari që herë pas here e shfaqni, cili është ai?
Po, kam ruajtur dhe herë pas here më është shfaqur. Po ju sjell një shembull. Kur filloi lufta në Kosovë, një politikan i lartë amerikan, Gelbard, filloi ta trajtojë UÇK-në si terroriste. Një ditë, në zyrën e tij, na thirri disa atdhetarë të njohur dhe, pasi u ulëm, fjala e parë që na tha ishte: “UÇK-ja është terroriste”. Unë shpërtheva, si shpërthejnë shqiptarët, “Turp të kesh”. Pastaj shtova se ata djem po luftojnë për atdheun e tyre dhe të kesh turp që i cilëson terroristë. Pas meje e morën fjalën shokët e tjerë dhe kaq ashpër kemi folur, sa menduam se mund të na arrestojnë. Nuk ke çfarë bën herë pas here, delli i shqiptarët shpërthen.
-A keni tentuar ndonjë herë të riktheheni në Shqipëri gjatë kohës që drejtonte Enver Hoxha?
Jo, nuk kam tentuar. Vajza ime, Donika, synoi të vinte në Shqipëri në vitin 1989, përmes një grupi bashkatdhetarësh dhe e kthyen në Aeroportin e Rinasit. E marr me mend edhe tani situatën e saj. Kishte shkelur në tokën e prindërve dhe nuk lejohej të ecte më tej. Me shtetin komunist ne kishim probleme të mëdha. Vëllai im ishte pushkatuar. Ne ishim arratisur. Nuk mund të mendohej kthimi.
-Besoj se jeni i vetmi shqiptar, ose ndër të paktët që jeni takuar me presidentin Nixon. Si ndodhi takimi juaj dhe për çfarë u bisedua?
Edhe tani më duket si një ëndërr. E pabesueshme. Takimi me presidentin amerikan Nixon, në vitin 1968. Ndoshta ishte ndër çastet më të veçanta të jetës sime dhe, padyshim, që ende sot më krijon emocione të fuqishme.
Këtë takim ma ndërmjetësoi kongresisti Broomfield, i cili ishte mik i presidentit Nixon. Në atë periudhë junta e gjeneralëve grekë, e sapoardhur në pushtet me grusht shteti, kishte filluar të bëhej një kërcënim i madh për Shqipërinë, ku nën thirrjet nacionaliste dhe shoviniste, kishte rishfaqur megaloidenë e vjetër greke për aneksimin e Shqipërisë së Jugut për të ashtuquajturin Vorio Epir. Kolonelët po përgatiteshin për ndërhyrje ushtarake në Korçë dhe Gjirokastër.
Isha i arratisur nga Shqipëria, por vendosja të bëja diçka për vendin tim. E dija krejt mirë se çfarë mund të thoshte një agresion grek dhe, aq më tepër, nëse do të ndodhte, një aneksim grek. Çamëria nuk do të ishte tragjedia e vetme.
Iu drejtova kongresistit Broomfield.
Ai e dalloi gjendjen time të tendosur dhe më pyeti:
-Përse je kaq i shqetësuar?
I tregova për situatën.
U interesua edhe më tej.
-Përsërite edhe një herë, më tha.
Më dëgjoi me vëmendje të madhe.
I thashë se doja të sensibilizoja qeverinë amerikane për kanosjen që po i bëhej Shqipërisë nga junta e gjeneralëve.
Nacionalistët, legalistët dhe zogistët shqiptarë në Amerikë, kishin frikë se një aneksim i tillë kishte shumë mundësi të ndodhte. Edhe pse unë e urreja diktaturën komuniste, përpjekja ime, brenda mundësive që kisha si qytetar amerikan, ishte të bëja diçka për vendin tim nga ky kërcënim.
I thashë se komuniteti shqiptar në Detroit është shumë i shqetësuar për rrezikun që i kanoset Shqipërisë nga Junta greke.
-Çfarë mund të bësh për këtë çështje jetike për atdheun tim?, e pyeta.
-Cila është kërkesa juaj?
-Them se duhet bërë një reagim në Kongresin Amerikan.
U mendua për disa sekonda.
-Në qoftë se je kaq i shqetësuar,të sugjeroj të takohesh me presidentin amerikan, Nixon.
Unë shtanga. Nuk e besova. Si ishte e mundur?
-E kam me gjithë mend, shtoi ai.
-Mund të realizohet ky takim?, e pyeta, ende i shtangur.
-Me siguri, që po.
Isha në zyrën e tij. Ai u ngrit, shkoi në tryezën e tij të punës dhe bisedoi me presidentin Nixon. I tregoi se për çfarë ishte fjala dhe i kërkoi takim.
Pastaj u thye nga unë dhe më tha:
-Presidenti e konfirmoi takimin. Do të bëhet ditën hënë, në Uashington DC.
M’u duk e pabesueshme. I tregova familjes, por jo të tjerëve. Nuk mund ta besoja kurrsesi. Dita më është dukur pambarim e gjatë dhe fjalët që doja të thoja më silleshin ndër mend. Më duhej të zgjidhja fjalët më të përshtatshme, më të sakta, për të zgjuar interesimin e tij.
Shkuam në Uashington bashkë me kongresistin Broomfield, që të dielën. Takimi ishte në orën 11 të mëngjesit. Udhëtuam nga zyra e kongresistit drejt Hotelit Hilton, ku do të bëhej takimi. Nuk e dija se ku ishte hoteli, dhe, po të mos isha me kongresistin, do e kisha vështirë ta gjeja. Kaq i shtangur isha.
Mendova se do të më pushojë zemra. Anglishten nuk e flisja mirë. Mendoja, “kur nuk e flas mirë në një ambient të zakonshëm, si do ia bëj në një takim me presidentin amerikan”?
Broomfield e dinte këtë dhe më tha të kem besim.
Në takim isha unë, kongresisti Broomfield dhe presidenti Nixon. Kur, shoqëruesit e tij i treguan për ardhjen tonë, u ngrit në këmbë dhe bëri disa hapa drejt nesh. Ai ishte njëri ndër miqtë më të ngushtë të zotit Broomfield, të cilin e respektonte, ia dëgjonte fjalën dhe këshillohej me të.
Kisha një emocion të papërshkruar, zemra më rrihte si e zogut, sepse unë pak vite kisha në Amerikë dhe po takoja njeriun më të fuqishëm të botës, presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kisha ankth nga që anglishten nuk e kisha aq mirë. Kongresisti Broomfield ma kuptonte anglishten që flisja, sepse kisha vite që komunikoja me të dhe e kuptonte se çfarë doja të thoja. Më vonë mësova se, si president i SHBA, që funksionon me axhenda të përcaktuara mirë, Richard Nixon i kishte kushtuar shumë kohë të çmuar takimit tonë.
-Në një intervistë të kohëve më parë jeni shprehur se e keni protestuar me pankarta antikomuniste Mehmet Shehun para zyrave të OKB. Por më pas i hodhët pankartat dhe nisët përleshjet me disa protestues grekë. Si është kjo histori?
Në 12 tetor 1960, në Nju Jork erdhi kryeministri shqiptar, Mehmet Shehu. Mërgata politike, e udhëhequr nga Balli Kombëtar, Legaliteti, organizoi përpara selisë së OKB-së një demonstratë të fuqishme, ku hidhte parulla kundër kryeministrit komunist Mehmet Shehu dhe mungesës së lirisë në Shqipërinë komuniste.
Ajo ditë, 12 Tetor 1960, do të mbetet dita e lartësimit të identitetit tonë kombëtar, dinjitetit e krenarisë kombëtare, në të gjithë historinë e diasporës. Rruga, midis të “First Avenue” & 49 Street, u gjakos me gjak shqiptari. Ajo ditë dhe ajo rrugë, do të mbetet rruga e simbolit shqiptar në SHBA, rruga ku diaspora shqiptare, patriotët, atdhetarët e anti-komunistët, që kishin dalë ato ditë kundër Kryeministrit komunist shqiptar, Mehmet Shehut, e harruan atë dhe spontanisht, të motivuar nga një provokacion i rëndë i grupeve shoviniste të diasporës greke, për disa orë u përleshën fizikisht me grekomëdhenjtë, që kishin dalë të protestonin, me parulla dhe flamuj grekë, e që kërkonin nga Kombet e Bashkuara, njohjen e të ashtuquajturit Vorio Epir – Epiri i Veriut.
Kryeministri Mehmet Shehu, ishte përfaqësuesi zyrtar i RPS të Shqipërisë, ndodhej në Nju Jork në Sesionin 15 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Përfaqësues të diasporës greke, të ushqyer nga qarqet shoviniste greke në Amerikë, dhe ato anti-shqiptare minoritare në mërgim, e organizuan këtë demonstratë, me parulla të ashpra provokuese dhe thirrje anti-shqiptare. Ata kishin ngritur zërin duke shfrytëzuar pjesëmarrjen e Mehmet Shehut dhe liderëve nga e gjithë bota, duke kërkuar, sipas tyre, të ashtuquajturat të “drejtat” e nëpërkëmbura të minoritetit grek në Shqipëri, zhdukjen e çështjes çame, dhe mbajtjen në fuqi të Ligjit të Luftës, kërkonin që të merrnin, sipas tyre, gjithë Jugun e Shqipërisë, me pretendime të egra shoviniste, deri në Shkumbin. Diaspora shqiptare ndodhej në të njëjtin shesh, për të protestuar kundër regjimit komunist, që kishte izoluar Shqipërinë dhe dënonte mijëra shqiptarë për fjalën e lirë.
Mehmet Shehu dhe qeveria komuniste në Tiranë ishte armike secilit prej nesh, por Shqipëria na përkiste edhe ne. Mes Shehut dhe Shqipërisë, ne zgjidhnim këtë të fundit dhe nuk mund të lejonim shovinistët grekë, në mesin e Nju Jorkut, të përdhosnin dinjitetin e vendit tonë.
Përplasja filloi duke u goditur fillimisht në distancë, ku në mes qëndronte një rresht me policë amerikanë, ndërsa protestuesit hidhnin mjete të forta dhe parulla fyese e ofenduese, si nga protestuesit shqiptarë dhe turma greke, që ishte më e organizuar dhe e përgatitur për t’ju kundërvënë shqiptarëve, duke menduar se “edhe ata do t’i bashkoheshin atyre, meqenëse kishte ardhur Kryeministri komunist.”
Më pas, gjakrat u ndezën, vendin e fjalëve dhe të sendeve të forta, e zuri përleshja, askush nuk qëndronte mënjanë as që nuk mendonim gjë tjetër, veçse të mbronim dinjitetin e kombit tonë.
Kjo situatë vazhdoi për disa orë, derisa përleshja u vu nën kontrollin e policisë njujorkeze, e cila, kërkoi që protestuesit e të dyja palëve të mos afroheshin shumë afër njeri-tjetrit. Demonstratën dhe përleshjen e përgjakshme, e kanë ndjekur për herë të parë gazetarët e gazetave dhe radiove më të mëdha amerikane. Të nesërmen, ishte hera e parë që shqiptarët “pushtuan” lajmet e asaj dite, në faqet e para të gazetave më të njohura të Nju Jorkut. Të gjitha gazetat, radiot më të mëdha amerikane dhe më prestigjiozet e botës e pasqyruan ngjarjen me tituj te mëdhenj dhe në faqe të parë; disa prej tyre shoqëruar edhe me fotografi përshkruanin se çfarë kishte ndodhur dhe sesi kishte ndodhur. “Neë York Times” – “USA Today” – “Ëashington Post” – “St Petersburg (FL) Times” – Associated Press”, “Denver Post”, “Chicago Tribune”, – “Christian Science Monitor” e të tjera në faqe të parë pasqyruan demonstratën dhe ngjarjen, duke e trajtuar atë si lajm kryesor i asaj dite. Disa prej tyre dolën me tituj të tillë si : “Gjakoset rruga përballë Kombeve të Bashkuara”- “Në Neë York, hapet “lufta” midis Greqisë dhe Shqipërisë” – “Nacionalistët, dhe antikomunistët shqiptarë në Amerikë, për hir të Shqipërisë, dalin e “mbrojnë” udhëheqësin komunist, Kryeministrin Mehmet Shehu”, “Për hir të kombit të tyre – emigrantët politikë shqiptarë për pak e harruan udhëheqësin komunist” – “Shqiptarët, treguan se janë nacionalistë të mëdhenj” – e shumë e shumë tituj të tjerë të kësaj ngjarje.
-Jeni një ndër zërat kryesorë të diasporës shqiptare që keni luftuar për çështjen kombëtare, sa të organizuar janë shqiptarët në SHBA?
Roli i diasporës shqiptare ende nuk është çmuar si duhet. Nuk e di pse. Por, them të vërtetën se, pa rolin historik të diasporës shqiptare, sidomos në SHBA, problemet në Shqipëri do të ishin shumë më të mëdha dhe do të vihej në dyshim pavarësia e Kosovës. Diaspora shqiptare në SHBA, mund të kishte ndasi të veta, por për çështjen kombëtare ishte e bashkuar. Figurat më madhore të saj ishin të bashkuar dhe kishin fituar besimin e qeverisë amerikane. Këto personalitete shqiptare në mërgim, arritën të takohen me figurat më të larta të Amerikës, të kenë kontakte të vazhdueshme me to, të krijojnë një sistem mendimi dhe influence. Më ka rastisur të takohem me 6 presidentë amerikanë, t’i mbështes ata dhe të marr falënderime prej tyre, por asnjëherë për çështjet e mia. Kështu edhe të tjerë, njerëz me integritet.
-Cili është roli i SHBA në raport me Shqipërinë? Keni një këshillë se çfarë politike duhet të ndjekim ne për të mbajtur marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara?
Roli i SHBA në raport me Shqipërinë është vendimtar. Askush të mos ketë dyshim. Tri herë Shqipëria ka shpëtuar prej presidentëve amerikanë, nga Uillson, Klinton dhe Xhorxh Bush – i riu.
Për të patur marrëdhënie të qëndrueshme me SHBA, para së gjithash duhet të jemi seriozë, të ndjekim politikën euroatlantike, të heqim dorë nga “lëshimet” ballkanike”, sajesat e çastit… Shqipëria nuk bëhet nga pjesa, por nga tërësia e mendimit europian.
Askush nuk mund ta kërcënojë Amerikën, aq më tepër nuk mund ta bëjnë këtë politikanë liliputë shqiptarë.
-Me ndërrimin e sistemit politik, ju u kthyet në vendlindjen tuaj në Shqipëri. Kishin kaluar thuajse katër dekada, përse vendosët të riktheheshit?
Po unë e kisha ëndërruar kthimin në Shqipëri. Mezi kisha pritur. Isha i gatshëm të kthehesha, dhe u ktheva, nga të parët. Kisha mbështetur proceset demokratike në Shqipëri, bile jam ndër të parët, në mos i pari, që kam organizuar ardhjen në Kongresin Amerikan të figurave kryesore të opozitës së vitit 1991, edhe me shpenzimet e mia, i kam shoqëruar, kam organizuar takime, megjithëse kisha shokë që më zemëroheshin se, ata, liderët e opozitës, kishin qenë komunistë dhe nga familje komuniste.
Duke i afruar dhe ndihmuar këta përfaqësues, pata kritika nga të djathtët e Diasporës së Amerikës. Ata mendonin se nuk duhej bashkëpunim me këta përfaqësues të Partisë Demokratike, sepse e kishin prejardhjen nga nomenklatura komuniste e regjimit të Enver Hoxhës.
Madje ata më akuzuan si tradhtar pse po mbështesja përfaqësues komunistë nga Shqipëria. Por, i rritur nën frymën e demokracisë amerikane, unë kisha kuptuar se luftën e klasave që Enver Hoxha e ngriti në Shqipëri për 45 vjet, duhet ta linim pas dhe të shikonim përpara për interesat e vendit tonë. Madje kryetari i Unionit Demokrat Botëror, Alois Mock, më ishte shprehur se “dihet që liderët e Partisë Demokratike të Shqipërisë vijnë nga një e kaluar komuniste, por ne duhet t’u japim atyre shansin dhe mundësinë që të tregojnë se duan realisht të ndërtojnë demokracinë në vendin e tyre dhe të japin prova për këtë”. Unë mendoja se në Shqipëri nuk kishte alternativë tjetër dhe ne duhet t’i mbështesnim ata. E dija shumë mirë se Gramoz Pashko vinte nga një familje komuniste, babai i tij, Josif Pashko kishte qenë Prokuror i Përgjithshëm, i cili kishte dhënë vetëm dënime me vdekje. Por djalit të tij, Gramozit, unë nuk mund t’ia mohoja të drejtën që ai të ishte demokrat dhe të luftonte për demokracinë. Prandaj dhe unë i prita dhe i kontaktova në SHBA me politikanë të lartë, si në Departamentin e Shtetit ashtu dhe në Kongres. Për Sali Berishën nuk kisha dëgjuar shumë dhe nuk e njihja. Dija vetëm se ishte mjek i zoti dhe anëtar i Partisë Komuniste.
Perse u ktheva?
U ktheva për të investuar, për të jetuar, për të qenë përsëri në vendin tim. Dyzet vite në Amerikë nuk ishin të humbura, por tani doja vite në Shqipëri. Dhe erdha.
-Z. Bardha, ne si popull e duam shumë Amerikën, është një nga vendet ku synojmë më tepër të emigrojmë dhe i besojmë shumë amerikanëve kur vijnë në Shqipëri. Ju keni takuar shumë personalitete në Amerikë, po ata a e njohin Shqipërinë dhe si shprehen për këtë vend?
Të jemi të vërtetë. Në fillim kishte pak ose aspak njohuri për Shqipërinë, e aq më pak për Kosovën. Po ju tregoj një rast që flet shumë…
Në vitin 1960, vetëm katër vite pasi unë kisha mbërritur në SHBA, në Detroit, organizova një takim në zyrën e senatorit Philip Hart, i cili përfaqësonte Partinë Demokratike.
Në këtë takim më shoqëronte edhe profesor Luan Gashi, anëtar i Komitetit Qendror të Lidhjes Kosovare, nga Kosova dhe zoti Astrit Sako.
Arsyeja e takimit ishte që të njihnim senatorin amerikan me abuzimet e mëdha që po ndodhnin me shqiptarët në Kosovë. Pasi i shpjeguam me fakte dhe dokumente dhunën, persekutimet ndaj vëllezërve tanë në Kosovë, senatori me shumë sinqeritet tha se nuk kishte asnjë dijeni dhe nuk kishte dëgjuar më parë se ku ndodhej Kosova. Ne kishim marrë me vete një hartë (që duket) dhe ku i shpjeguam pozicionin gjeografik të Kosovës etj. Bëmë edhe një fotografi duke i treguar hartën.
Senatori Hart, pasi dëgjoi gjithçka mbi faktet që ne paraqitëm, na premtoi se të gjitha këto fakte do t’ia kalonte politikës së Uashingtonit, si dhe na siguroi se personalisht do të ngrinte zërin e tij në senat mbi të drejtat e njeriut, sepse nuk mund të lejohej që të shkeleshin ato në mënyrë aq flagrante.
Ishte njëri ndër takimet e para me një personalitet të lartë të politikës amerikane. Senatori Hart, ndryshe nga sa kisha menduar më herët, të dukej se e kishe njohur prej kohësh dhe se me të mund të flisje krejt lirisht. I qetë në pamjen e tij, serioz dhe me një integritet të lartë, politik e moral, ai të krijonte mjedisin e duhur, për të biseduar lirisht, hapur, me sinqeritet dhe pa droje.
-Por pas viteve ‘90 ju investuat në Shqipëri, në një restorant që edhe sot shërben si pikë referimi, Piazza, gjithashtu prodhoni një nga verërat më të mira në Shqipëri. Keni dashur patjetër të punoni edhe në këtë vend?
Po, kam dashur me patjetër. Jo vetëm unë, por edhe fëmijët e mi. Kam dashur të punoj në atë punë që bëj më mirë, ku kam pasur më shumë sukses. Dhe hapa restorantin “Piazza”, që u bë më i miri. Por edhe vend takimesh të figurave të njohura. Kur ndodhi eksodi i madh i shqiptarëve të Kosovës, viti 1999, restoranti ynë, Piazza, nën drejtimin e Donikës, siguronte çdo ditë ushqim për 220 të ardhur, plotësisht me investimet tona, dhe këtë e kishte gjënë më normale në botë.
-Ndryshe nga ju, shumë biznesmenë të tjerë ngurojnë që të vijnë në Shqipëri, madje disa që kanë provuar janë larguar sërish. Pse ndodh kjo?
Përse nuk vijnë? Mendoj se është e qartë. Pengesat që u dalin përpara. Ne, unë dhe Donika bija ime, kemi ftuar dhe kemi sjellë, që në fillimet e ndryshimeve demokratike, biznesmenë të njohur, shqiptarë dhe amerikanë. Që donin dhe duan përsëri të investojnë. Të kthehen të punojnë në vendin e tyre. Dhe, çfarë ndodh? Këtu gjetën prokurorë të korruptuar, gjyqtarë të korruptuar, drejtues te korruptuar. Ata ua prenë rrugën, dhe këta biznesmenë shkuan më pas të investonin në Malin e Zi apo në Maqedoni.
Drejtuesi i një dikasteri, i një drejtorie, më parë i pyet për fitimet e tij, se sa për fitimet e shtetit. Cili biznesmen i huaj i hyn këtyre gjërave? Jo kushdo mund të ketë durimin tim për të kaluar pengesat e shumta. Prandaj edhe ngurrojnë të vijnë.
Kjo praktikë duhet të marrë fund. Sa më parë, aq më mirë.
-Zoti Bardha, sot Shqipëria është një vend me emigracion shumë të lartë. Nëse ju keni ikur për arsye politike sot të rinjtë ikin për arsye ekonomike. Keni një apel për ata që drejtojnë vendin, por dhe për të rinjtë që kanë një vrull të madh për t’u larguar?
E kuptoj ikjen e tyre, por nuk e miratoj ikjen e tyre. Kush do e bëjë këtë vend? Shkollat po mbyllen, të rinjtë mendojnë për ikjen dhe jo për punën. Ku po venë? Po shteti, ata që drejtojnë vendin, nuk mendojnë për këtë. Rreth 1 milion e 700 mijë shqiptarë janë larguar në tri dekada. Një e treta është larguar. Ata që drejtojnë vendin duhet të dinë se këta njerëz, për të jetuar, me dinjitet e jo si raja, duan punë, duan siguri, duan perspektivë. Rotacioni në pushtet i të njëjtëve njerëz nuk është zgjidhje e besueshme dhe, të rinjtë, duke mos besuar tek shteti dhe tek politika, largohen, pa e ditur se bota nuk pret askënd me lule.
-Në këto tre dekada që Shqipëria është në pluralizëm politik, kemi parë shumë njerëz që janë futur në politikë të varfër dhe kanë dalë si biznesmenë, dhe s’kemi thuajse asnjë rast të kenë hyrë biznesmen dhe të jenë larguar të varfër. A janë shqiptarët njerëz të lidhur me paranë?
Poeti Ali Asllani e ka një thënie të mrekullueshme për këtë… për ata politikanë që në mëngjes janë pa brekë dhe në darkë janë milionerë.
Politika në Shqipëri është kapitalizuar. Mendja është lënë jashtë politikës. Kushdo është i lidhur me paranë, por me paranë e ndershme. Ndërsa politika në Shqipëri nuk është e ndershme. Tashmë kemi tridhjetë vite pluralizëm. Ka ardhur koha ta gjejmë fajin edhe tek vetja e jo vetëm tek sistemi që iku e tek Enver Hoxha. Politika po shfaqet gllabëruese. Kam shumë frikë se edhe në rastin e tërmetit do të shfaqet lakmia.
Jetoj prej 60 viteve në demokracinë amerikane dhe ajo më ka mësuar shumë gjëra. Më ka mësuar se duhet të protestosh, por jo me zjarr, flakë, bomba molotov. Kam qenë dhe mbetem kundër çdo zgjidhje të tillë, në të gjitha kohërat dhe në të gjithë sistemet. Shqipëria nuk duhet të preket. Çfarë demokracie është kjo, kur i vihet zjarr dhe njerëzit sulmohen. Nuk e kuptoj kështu demokracinë.
Unë jam për pajtim kombëtar, për zgjidhje sociale, për bashkëjetesë, për mendim të ndryshëm, por jo thirrje lufte, vjedhje, korrupsion…
-Z. Bardha a ju kanë propozuar ndonjëherë të bëheni pjesë e politikës në Shqipëri? Pse keni refuzuar?
Më kanë propozuar, por unë, që ditën kur kam zbritur për herë të parë në aeroportin e Tiranës, i jam përgjigjur kësaj pyetjeje, se, “Unë i takoj së djathtës, por partia ime është Shqipëria”. I këtij mendimi jam edhe sot, pavarësisht se tridhjetë vite më parë, kur ishte fillesa e pluralizmit, kisha oferta të ndryshme.
-Çfarë mendimi keni për emigrantët shqiptarë në Amerikë?
Janë njerëz të mirë që po organizohen, po fillojnë të kenë bizneset e tyre, të krijojnë një lidhje të ndjeshme dhe të mendojnë edhe për vendin e tyre, që është atdheu ynë i përbashkët.
-A jemi më punëtor kur jetojmë dhe punojmë jashtë?
Pa dyshim, jashtë Shqipërisë jemi më punëtorë dhe më të rregullt. Kjo tregon e mund të punojmë ndryshe dhe të jetojmë ndryshe, nëse vendoset me të vërtetë shteti ligjor.
-A ktheheni në vendlindjen tuaj në Kolonjë dhe si e kujtoni fëmijërinë?
Kthehem në Kolonjë shpesh. Edhe këto ditë isha atje, me djalin tim, Ilirin, që është kineast dhe po përgatit një dokumentar për vendlindjen tonë. Fëmijëria ime ka qenë përmes dy botëve, që e kam shkruar në librin tim, “Pranë dhe larg Shqipërisë”. Pra, ka qenë me dritëhijet e saj, por gjithsesi e bukur.
-Keni mall?
Oh, shumë mall.
Ju faleminderit për kohën dhe përgjigjet që ndatë me lexuesit tanë!