Pse do t’i paguajmë si ‘çeço’ 110 mln eurot e gjobës së Becchetti-t

5 April 2023, 15:33Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

 

Pse do t’i paguajmë si ‘çeço’ 110 mln eurot
Becchetti dhe Rama

 

Vendimet e gjykatave të arbitrazhit janë të detyrueshme për të gjitha palët që kanë nënshkruar Konventën e Arbitrazhit të Bankës Botërore. Shqipëria e ka nënshkruar këtë konventë, që do të thotë se duhet të respektojë vendimin e dhënë. Por, ka raste kur vendimi mund të refuzohet, duke cituar të drejtën e sovranitetit. Kësaj ideje i mëshoi edhe zv.Kryeministrja Belinda Balluku.

Vetë Arbitrazhi i Bankës Botërore nuk ka asnjë mjet përforcues për ekzekutimin e vendimeve. I vetmi mjet i tij është kontakti me palën humbëse për të marrë informacion se në çfarë faze është ekzekutimi i vendimeve që jep.

Çështja është se në të tilla raste, pala fituese në Arbitrazh, në rastin e Shqipërisë Francesco Becchetti ka të drejtë të kërkojë zbatimin me forcë të vendimit në vendet e tjera anëtare të Konventës së Arbitrazhit të Bankës Botërore.

Becchetti u përpoq ta realizonte këtë para se vendimi të merrte një formë të prerë, përmes padive për identifikimin dhe bllokimin e aseteve të Shqipërisë nëpër vendet europiane, duke nisur nga Holanda, Belgjika e Austria. Gjykata e këtyre vendeve i dhanë të drejt fillimisht, por më pas pezulluan ekzekutimin e vendimeve pasi u njohën me kërkesën e Shqipërisë në Arbitrazh për rishikim dhe anulim të gjobës.

Tashmë kjo pengesë nuk ekziton dhe Becchetti i ka duart e zgjidhura ligjërisht që të bllokojë asetet e shtetit shqiptar nëpër botë.

Kjo mund të jetë lëvizja e tij pas këtij vendimi, nisur nga qëndrimi i Qeverisë shqiptare që tha këtë të mërkurë se mund të aplikojë të drejtën e sovranitetit, ashtu siç ka bërë më herët qeveria britanike.

Megjithatë, edhe pse thotë se nuk do t’i paguajë asnjë qindarkë Francesco Becchettit në buxhetin e këtij viti, Ministria e Financave ka parashikuar një fond prej 176 milionë euro si fatura të gjyqeve të arbitrazhit. Sipas buxhetit, 60 milionë euro konsiderohen të humbura, ndërsa pjesa tjetër prej 116 milionë eurosh janë fond kontigjencë për gjyqet në proces, ku njëri prej tyre në kohën që është hartuar e votuar ligji ishte edhe ky me Becchettin.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Pse do t’i paguajmë si ‘çeço’ 110 mln eurot


Video