Qeveria fal kontributet e pensionistëve ‘biznesmenë’, 97 për qind e të punësuarve mbi 65 vjeç nuk përfitojnë

3 April 2023, 19:45Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Qeveria fal kontributet e pensionistëve ‘biznesmenë’, 97
Kryeministri Edi Rama

Kur prezantonte rezultatin e këshillimit kombëtar, një vit më parë, Kryeministri Edi Rama u zotua se do të shtynte përpara nisma ligjore që të përmbushte atë që mbi gjysmë milioni shqiptarë kishin miratuar në këtë proces.

Për ata që s’e mbajnë mend, këshillimi kombëtar ishte një pyetësor me 12 pyetje. Ai plotësohej online, në një faqe të posaçme që u hap për këtë qëllim, e që sot është e paarritshme, por formulari u shpërnda edhe derë më derë me postë për ata që nuk kishin qasje në internet.

Mes pyetjeve kishte nga ato për amnistinë fiskale e penale, legalizimin e hashashit, apo edhe Ballkani i Hapur. Për të gjitha, qeveria Rama mori miratimin nga shumica e qytetarëve, sipas përgjigjeve që publikoi.

Por, mes pyetjeve ishte po ashtu edhe njëra që kërkonte mendimin e qytetarëve nëse pensionistët e punësuar duhej të paguanin, apo jo kontribute shoqërore. Përgjigja e 332 mijë qytetarëve, ose 66 për qind e të anketuarve ishte që jo.

Qeveria fal kontributet e pensionistëve ‘biznesmenë’, 97

Para se të publikonte përgjigjet, kryeministri Edi Rama u zotua që të zbatonte atë që kishin kërkuar qytetarët. Megjithatë, propozimi për përjashtimin nga kontributet shoqërore të pensionistëve të punësuar është larg idesë së dhënë nga Këshillimi Kombëtar.

Sipas propozimit të hedhur për konsultim publik më shumë se 97 për qind e pensionistëve total të punësuar nuk përfitojnë nga përjashtimi i pagesës së kontributeve shoqërore. Ata që përfitojnë janë vetëm pensionistët e vetëpunësuar, pra ata që kanë një biznes të tyrin.

Numri i tyre përllogaritet në rreth 1500, ndërkohë që sipas të dhënave të INSTAT, në fund të vitit të kaluar, numri total i pensionistëve të punësuar ishte 54 mijë e 500 vetë.

Kjo do të thotë se as 3 nga 100 pensionistë të punësuar do të përjashtohen nga pagesa e kontributeve, pjesa tjetër që janë të punësuar në kompani private do të vazhdojnë njësoj.

Propozimi ngre dyshime për diskriminim. Kur ngrihej pyetja e Këshillimit Kombëtar, shpjegimi që jepej për përjashtimin e pensionistëve të punësuar nga kontributet ishte me faktin që ata i kishin shlyer detyrimet e tyre në skemën e sigurimeve shoqërore dhe nuk duhej të paguanin më.

Detyrimet janë shlyer njësoj si nga pensionistët e vetëpunësuar, apo pensionistët biznesmenë, ashtu edhe nga pensionistët e punësuar në biznesin e dikujt tjetër. Prandaj, trajtimi i diferencuar i tyre, siç bëhet në këtë projektligj është diskriminues.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video