Partia e Lirisë e shqetësuar për fatin e Arben Ahmetajt

8 February 2023, 18:26Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Partia e Lirisë e shqetësuar për fatin e Arben Ahmetajt
Pamje nga promoja e emisionit Inside Story

Për t’i vënë vulën bindjes se Arben Ahmetaj ka qenë kali i trojës i opozitës brenda kabinetit qeveritar, mjafton të shihet me një sy të ftohtë i gjithë përqendrimi i aksionit politik opozitar i kësaj të mërkure.

Nga Partia e Lirisë, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi u mobilizuan që të dy pas publikimit të promos së emisionit Inside Story. Promoja prezanton emisionin ‘Korrupsioni i Arben Ahmetaj’. Meta e Kryemadhi nuk pritën që të transmetohej i plotë dhe si të kishin marrë urdhra nga Ahmetaj u hodhën në sulm me akuza ndaj inceneratorëve dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Ilir Meta doli në një konferencë për shtyp, ku për 20 minuta nuk tha asgjë të re nga ato që ka deklaruar edhe në të shkuarën. Përmbajtja sugjeron se i gjithë qëllimi ishte shkaktimi i kakofonisë për e zhurmës për të zbehur zërin e së vërtetës së korrupsionit të Ahmetajt.

Po me deklarata e qëndrime të vjetra doli edhe Monika Kryemadhi. Përmes një shkrese ku Erion Veliaj deklaron se është parimisht dakord për ngritjen e inceneratorit dhe zgjidhur problemin e mbetjeve në Sharrë, Kryemadhi sulmon kryebashkiakun duke akuzuar se çdo votë për të është votë e çuar dëm.

Në të dyja deklaratat nuk ka asgjë të re, por muzika e vjetër e akuzave e retorikës boshe opozitare, me qëllim shkaktimin e sa më shumë zhurme për të hequr vëmendjen e publikut nga njohja me faktet që provojnë korrupsionin galopant të Ahmetajt.

Por jo vetëm Partia e Lirisë. E kamufluar me brezin e të rinjve, të njëjtën gjë bëri edhe Partia Demokratike. Të rinjtë FRPD u shfaqën para bashkisë me qese mbetjesh. Por, e gjithë simbolika e të rinjve të PD-së iu kthehet mbrapsht si bumerang. Pse? Së pari, që të paraqitesh para një institucioni për ta fajësuar për diçka, duhet të kesh me vete faktet e të vërtetën.

Faktet sot janë kokëforta dhe askush nuk mund të jetë aq budalla sa të dalë të deklarojë, apo akuzojë se Tirana sot është më e pistë sa u takon mbetjeve nga sa ishte para koncesionit të inceneratorit.

Së dyti, është fakt gjithashtu që për ndërtimin e plotë të veprës afati i vendosur në kontratë është viti 2026, që do të thotë se kompania është brenda këtyre afateve. Së treti, është po aq fakt se dy inceneratorët e tjerë, ai i Elbasanit dhe ai i Fierit janë gati për punë, por siç deklaron Erion Braçe presioni politik i vazhdueshëm po i pengon.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video