
Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj ka dorëzuar dorëheqjen nga posti. Kërkesa për t’u larguar nga Qeveria është në tryezën e Edi Ramës, që do të vendosë nëse do ta pranojë apo jo atë.
Burime të sigurta të Voxnews.al pohojnë se Ibrahimaj ka dorëzuar dorëheqjen javën e kaluar. Vendimi, thonë burimet, ka si shtysë hetimin e nisur ndaj Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave.
Zyrtarisht nga qeveria kanë heshtur në lidhje me këtë dorëheqje. Jozyrtarisht, Voxneës.al mëson se në një nga mbledhjet e fundit të kabinetit qeveritar, ku mungonte Edi Rama dhe të drejtuar nga zv.Kryeministrja Belinda Balluku ka pasur debate të forta.
Ndërkohë, veç dorëheqjes ende të pazyrtarizuar nga Qeveria, Delina Ibrahimaj është shkarkuar edhe si koordinatore politike e Partisë Socialiste në njësinë 5 në Tiranë. Vendimi është marrë po javën e kaluar.
Distancimi i Delina Ibrahimajt u vu re edhe në ceremoninë e nënshkrimit të dy marrëveshjeve të fundit që i hapin rrugë ndërtimit të Portit të Durrësit nga Alabbar.
Ministria e Financave ka një rol kyç në këtë projekt, si menaxhuese e 33 për qind të aksioneve që ka shteti shqiptar në ndërtimin e këtij porti. Përveç kësaj, kur diskutohej në nëntor të vitit të kaluar në Kuvend projektligji për këtë koncesion, Delina Ibrahimaj ishte ndër mbrojtëset më të zellshme të këtij investimi.
Për më tepër, Ibrahimaj ka marrë pjesë si folëse, apo në panel në të gjitha takimet e ngjashme, ndërsa në nënshkrimin e marrëveshjes finale ajo mungoi, duke u përfaqësuar nga zv.ministri Besart Kadia.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.