
Voxnews.al mbushi një vjeç. Fiks më 31 janar të 2022 ideja për të sjellë në tregun e mbipopulluar të portaleve dhe faqeve informative online në Shqipëri u materializua.
Objektivat ishin të qarta, por materializimi i tyre ishte sfidues dhe njëvjetori është koha e duhur për të bërë një bilanc, edhe pse bilanci më i mirë sot janë lexuesit, janë ata qindra-mijëra që na kanë zgjedhur si dritare informative përmes telefonit, kompjuterit, tabletit, apo përmes rrjeteve sociale.
E nisëm si një dritare e vogël, e re, pa peshë dhe me paragjykimet e rëndomta që kanë karakterizuar tregun e medias në përgjithësi dhe atë online në veçanti. Por, një vit më vonë, Voxnews.al ka me se të krenohet.
Për një vit, ‘Voksi’, siç na pëlqen ta quajmë në redaksi ka një bilanc për t’u krenuar. Sot ‘Voksi’ ka arritur atë që shumë media të tjera online përpiqen ta realizojnë prej vitesh. Sot ‘Voksi’ ngjall zili jo vetëm te konkurrenca e mediave online, por edhe prej mediave tradicionale vizive e audio-vizive. Sot Voxnews.al është zgjedhja në telefonin dhe pajisjet e lidhura me internet për investigimet, denoncimet, videot ekskluzive të kronikës, aktualitetit, ekonomisë, sportit e të tjerave.
Parimi që ka udhëhequr Voxnews.al në këtë vit të parë (ashtu siç do të vijojë ta udhëheqë edhe në shumë vite që do të pasojnë) është qasja te lexuesi përmes shkrimeve e materialeve audio-vizive autentike.
Ka qenë qasja dhe denoncimi i vazhdueshëm, pa u trembur, pa u shitur e pa u blerë ndaj problemit të vërtetë që ka sot shoqëria shqiptare: kapjen e ekonomisë nga një grusht personash që po u marrin frymën e tjerëve.
Që në ditën e dytë të themelimit, kur të gjithë të tjerët ende po heshtnin për rritjen abuzive të çmimit të karburanteve, Voxnews.al solli me argumente e prova se si një grusht oligarkësh të karburanteve kontrollonin tregun dhe si oligopol përdornin alibinë e luftës në Ukrainë për të rrjepur qytetarët.
Tre javë më vonë nisën protestat e para qytetare kundër oligarkëve. Nuk pretendojmë se ishim ne që ngritëm shqiptarët në protestë, por një kontribut thelbësor në këtë revoltë të drejtë qytetare e kemi pasur.
Shkrimi u mor nga portale të tjera, me më shumë vite përvojë në treg. Ca na cituan, shumë jo, ndërsa nga oligarkët nisën përpjekjet për të na mbyllur gojën përmes shantazhit, apo përmes shumave të parave.
Voxnews.al shpërfilli shantazhin dhe i rezistoi tundimit financiar përballë interesit të qytetarëve. Shkrimet kundër rritjes abuzive të çmimit të karburanteve vijuan edhe më fort dhe vijon ende, këtë herë të fshehura pas vendimeve të një bordi.
‘Bordi i Çetit’ e kemi cilësuar në një pjesë të madhe të shkrimeve denoncuese për të përcjellë te qytetarët të vërtetën se ai grup individësh e zyrtarësh që qëndron pas një vendimmarrjeje se sa do të shitet litri i naftës nuk mbron qytetarët, por oligarkët…siç është Shefqet Kastrati.
Voxnews.al ka denoncuar kapjen e shtetit nga oligarkët e të gjitha fushave, nga ata të grurit e miellit, deri te investigimi më i fundit mbi koncesionin e pullave fiskale dhe se si një biznes parazit ka zhvatur gati 70 milionë euro në 10 vite bizneseve të tjera.
Kemi denoncuar se si oligarkët po copëtojnë pronat publike, nga Porti i Limionit në jug, te ai i Vlorës e më tej i Durrësit e Lezhës. Kemi denoncuar se si është privatizuar prona shtetërore në kundërshtim me ligjet e vendit, apo se si oligarkët marrin kompetenca administrative duke shkuar deri aty sa të ndryshojnë kufijtë ndarës të bashkive, si në rastin e Samir Manes me Univers City.
Moria e denoncimeve dhe rreshtimi i palëkundur në anën e drejtë; atë të interesit publik na ka shtuar rreshtin e ‘armiqëve’, apo të atyre që ‘nuk na duan të mirën’. Por, po ky rreshtim na ka shtuar mijëra herë më shumë mbështetjen e qytetarëve, atyre që na lexojnë prej ditës së parë dhe të tjerëve që na bashkohen dita-ditës.
Ky është Voxnews.al, që ka zgjedhur prej ditës së parë që t’u ofrojë shqiptarëve jo lajmin, por se çfarë fshihet pas lajmit. Ky është slogani ynë me të cilin nuk bëjmë kompromis.