
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur fituese kompaninë “A & E ENGINEERING”, me ofertën më të lartë prej 81.46 milionë lekë që do të hartojë projektin e bypassit të Elbasanit.
Në garën e hapur nga ARRSH morën pjesë 6 kompani , të cilat 4 prej tyre kishin ofertën me çmim më të ulët, por janë vlerësuar me më pak pikë nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave.
Kompania fituese ‘A & E ENGINEERING‘, sipas SCAN ka dhënë ofertën shumë pranë fondit limit prej 81.83 milionë lekësh të vendosur në dispozicion nga ARRSH për kryerjen e këtij shërbimi.
Referuar kritereve të tenderit, pas nënshkrimit të kontratës kompania do të ketë në dispozicion 22 muaj për hartimin e projektit.
Kjo do të thotë se vetëm pas 2 vitesh do të mund të hapet tenderi për përzgjedhjen e kompanisë që do të kryejë punimet për ndërtimin e kësaj vepre infrastrukturore, ndërkohë që kohëzgjatja e tyre ende nuk dihet.
Në dokumentet e tenderit thuhej se ky është një nga akset më të rëndësishëm jo vetëm rrugorë, por edhe nga pikëpamja ekonomike.
Ai është pjesë e Korridorit VIII, duke lidhur Portin e Durrësit me Qafë Thanën. Sipas dokumente të tenderit, unaza aktuale e qytetit të Elbasanit, nuk ka parametrat e nevojshëm për të përballuar trafikun në rritje të këtij korridori ndërkombëtar.
Projekti është menduar të nisë nga përfundimi i autostradës Tiranë-Elbasan dhe të përfundojë në dalje të qytetit në segmentin Elbasan-Përrenjas.
Operatorët ekonomikë që morën pjesë në garë dhe ofertat:
1. BOE “ARCHICPHACE” & “TAULANT SHPK” & “A V E CONSULTING”
Oferta-73,495,346.28 lekë, pa TVSH
2. BOE “P.C.S.COMPANY” & “INVICTUS” & “STUDIO-REBUS”& “HYDRO-ENG-CONSULTING”
Oferta-74,905,000.00 lekë, pa TVSH
3. BOE “SEED CONSULTING” & “ATELIER 4” & “DERBI-E”
Oferta-75,294,000.00 lekë, pa TVSH
4. BOE “INFRATRANSPROJECT” & “ENGINEERING CONSULTING GROUP” Oferta-78,840,000.00 lekë, pa TVSH
5. OE “A & E ENGINEERING sh.p.k”
Oferta-81,460,000 Lekë pa TVSH
6.“GJEOKONSULT & CO”
Oferta-81,800,000.00 lekë, pa TVSH
Duke qenë se aktualisht për këtë zonë po zbatohet edhe një projekt tjetër siç është “Zgjerimi i segmentit rrugor Elbasan-Qafë-Thanë” rreth 1 440 m larg fshatit Labinot Fushë kjo pikë është një tjetër alternativë për përfundimin e Bypassit.
Rruga është menduar që të ketë dy korsi kalimi me 3.75 gjerësi secila, një korsi emergjence, bankinë të asfaltuar, si dhe ishull trafik./VoxNews