Lëmshi në Kadastrën e Durrësit, drejtuesja e re zëvendëson profesionistët me njerëzit e vet

26 Janar 2023, 19:45Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kadastra e Durrësit

Kadastra e Durrësit është përmendur shpesh nga Artan Lame si më problematikja në vend, duke cituar paaftësinë, korrupsionin e nepotizmin ndër vite për situatën aktuale. Megjithatë, ndryshimet në fund të vitit të kaluar krye të kësaj kadastre jo vetëm që nuk po japin ndonjë sinjal për përmirësim të situatës, por përkundrazi.

Menaxhimi nga drejtorja e re e kësaj drejtorie, Xheni Agolli ka sjellë një mori dorëheqjesh nga ky institucion të specialistëve, që nuk kanë pranuar lëvizjet e rrokadat në pozicionet e caktuara prej saj.

Vendet e atyre që po largohen dyshohet se po plotësohen prej saj me njerëz të njohur, persona që janë larguar nën dyshimet e paaftësisë dhe korrupsionit, që janë nën hetim, të dënuar, madje që janë konstatuar me shkelje të rënda në raportet antikorrupsion të Ministrisë së Drejtësisë.

Përveç kësaj, procedura e ndjekur nga drejtorja Agolli, qoftë në rastet e shkarkimeve, qoftë në ato të lëvizjes së punonjësve e specialistëve që ka nën varësi është e dyshimtë. Ajo nuk i njofton paraprakisht përmes njoftimit për largim, por i zëvendëson direkt me njerëzit e vet.

Nga ana e punonjësve të kesaj drejtorie jemi kontaktuar se kanë presion, intimidohen, kërcënohen, nuk respektohen. Qëndrojnë jashtë orari vetëm se ashtu e do drejtoresha. Mes akuzave, ka edhe pretendime se Agolli qëndron e mbyllur në zyrën e saj me një mbështetëse të zjarrtë të Sali Berishës dhe në biseda konfidenciale e quajnë qeverinë aktuale si ‘qeveri e djallit’.

Shqetësimet janë ngritur në Drejtorinë e Përgjithshme, të Kryeministri i vendit dhe Ministri i Drejtësisë.

Ndërkohë, Agolli nga ana tjetër ka fshehur dokumentacionet e Ministrisë së Drejtësisë që provojnë se të paktën një pjesë e njerëzve që ajo ka marrë në punë janë të dënuar me vendime të gjykatave, ose të larguar nga puna për shkelje të rënda.

E gjithë situata e krijuar ka shtuar edhe më tej problematikat në këtë zyrë, ku qytetarëve që presin prej vitesh marrjen e dokumentacioneve u shtohen edhe të paktën 1 mijë të tjerë që kanë aplikuar javët e fundit për shërbimet e Kadastrës.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video