
Ligji për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese përcakton në nenin 7 të tij kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët për t’u zgjedhur anëtare të kësaj gjykate.
Në pikën 2 të nenit 7 fraksion A, ligji thotë se mes kritereve që duhet të plotësojnë kandidatët të jetë edhe përvoja në punë jo më pak se 15 vite gjyqtar, prokuror, avokat, profesor, ose lektor i së drejtës, apo jurist i nivelit të lartë në administratën publike.
Kriteret janë të qarta në këtë pikë. Por, ajo që është e paqartë nga jetëshkrimi i anëtares së sapozgjedhur të Kushtetueses, Holta Zaçaj është nëse i plotëson apo jo.
Në jetëshkrimin e dorëzuar prej saj në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, Zaçaj nuk saktëson me data konkrete përvojat e saj si lektore, juriste e nivelit të lartë, apo avokate. Nga një vështrim i përgjithshëm i jetëshkrimit krijohet përshtypja që ajo e plotëson kriterin e vjetërsisë prej 15 vitesh, sipas kriterit të vendosur në ligjin për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese.
Ajo deklaron se në 2008-2009 ka trajnuar gjyqtarë dhe prokurorë për zbatimin e Kodit të Familjes, atij civil dhe të procedurave civile nga një këndvështrim i të drejtave të fëmijëve pranë Shkollës së Magjistraturës.
Më tej, deklaron një sërë përvojash në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë si avokate e juriste e nivelit të lartë.
Por, megjithëse në jetëshkrim thuhet se ka ushtruar profesionin e avokates prej vitesh, në sistemin e tatimeve rezulton se Holta Zaçaj nuk ka derdhur asnjë kontribut në formë taksimi për profesionin e ushtruar.
Edhe në Qendrën Kombëtare të Bizneseve, nëse kërkohet me emrin e Holta Zaçajt nuk rezulton asnjë aktivitet i regjistruar me NIPT që të përforcojë përvojën e saj si avokate.
/Burimi: Top News