
Sali Berisha ka shpallur mobilizimin e opozitës në protesta, që thotë se nuk do të mbyllen pa larguar Edi Ramën nga pushteti.
Kauza e ngritur prej tij është çështja McGonigal, por që më shumë se kauzë tingëllon si kapje pas fijes së barit, përsa kohë nga SHBA Edi Rama nuk rezulton i lidhur me këtë dosje, të paktën nga sa është publikuar deri më tani.
Megjithatë, Berisha sërish kapet pas kësaj fijeje bari duke anashkaluar me, ose pa dashje traun në Tiranë. Kur u pyet se përse opozita nuk e përmend Arben Ahmetajn dhe aferat e tij korruptive, ish-Kryeministri e mohoi këtë.
Por, edhe duke e mohuar sërish e mori në mbrojtje. Ai fajësoi këdo, që nga SPAK e deri te Edi Rama se pse Ahmetaj sot nuk është i pandehur në asnjërën prej aferave të përfolura, duke shmangur në çdo rast përgjegjësinë madhore të ish-ministrit të Financave.
Veç llogarive të hapura që ka me inceneratorët, ku është mpleksur me firmosjen dhe përfitimin e pagesave nga Klodian Zoto, të provuara tashmë në kallëzimin e gazetarit Adriatik Doçi, Arben Ahmetaj rrezikon që të përfundojë me një tjetër dosje në SPAK.
Këtë herë janë dosjet që lidhen me abuzimet me procesin e rindërtimit. Dëshmia e pastrueses Rozeta Dobi, që tha se paratë vinin me çanta në shtëpinë e Alda Klosit, ish-shefe kabineti e Ahmetajt dhe se vjedhja ishte në inskenim janë një sinjal se këto para mund të kenë burim korrupsion.
Por, Berisha e shmangu sërish Ahmetajn dhe u mor me Alda Klosin. Roli i saj në procesin e rindërtimit si shefe e kabinetit të Ahmetajt mund të ketë qenë i madh, por asnjëherë vendimtar në procedurat e tenderimit në kuadër të këtij procesi.
Vendimet për këtë janë kurdisur nga vetë Arben Ahmetaj. Berisha duhet ta dijë me siguri këtë, por sërish e kurseu ish-ministrin dhe u ndal te vartësja e tij.
E thënë më thjesht, në publik ish-Kryeministri përpiqet që t’u mbushë mendjen qytetarëve që ta mbështesin në protestën kundër Edi Ramës, por kursen njeriun që është përfolur më shumë për korrupsion në qeverisjen e Ramës, por që asnjëherë nuk ka dhënë llogari.
Ky qëndrim i Berishës ja rrëzon të gjithë retorikën antikorrupsion e anti-qeveri.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.