E vërteta e Edi Ramës në 3 televizione për aferën “McGonigal”, kë të besojmë?

3 Shkurt 2023, 12:36Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Në foto: Kryeministri Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka qenë në një lidhje direkte me tre televizione njëri pas tjetrit nisi në emisionin Top Story me Grida Dumën, më pas në "Të Paekspozuarit" me Ylli Rakipin dhe e mbylli me 'NOW' nga Erla Mëhilli, ku foli për takimet e tij me ish-agjentin e FBI, Charles McGonigal, i cili tani po përballet me akuza penale në SHBA.

Rama evitoi përballjen e tij me Sali Berishën edhe pse ky I fundit kërkonte që të përballeshin 5 minuta për ti treguar të vërtetat e tyre. VoxNews ndoqi të treja daljet e Ramës në televizione ku sqaronte se si ishte takuar me ish-agjentin e FBI dhe pse emri i tij përmendej 14 herë në akt-akuzën e ngritur nga hetimet në SHBA.

Ajo që u vu re ishte se kryeministri nuk pranonte pyetje nga të ftuarit në emision, përveçse te ‘Të Paekspozuarit’ ku pranoi të pyetej. Por cilat ishin argumentat e kryeministrit Rama, se si ishte takuar me ish-agjentin e FBI, Charles McGonigal.

Në emisioni ‘Top Story’ me Grida Dumën, Rama tregoi se se nuk ka të bëje fare me këtë çështje dhe se akuzat që po ngrihen ndaj tij janë të pabaza dhe dashakeqëse nga apozita.

E vërteta e Edi Ramës në 3 televizione për aferën
Në foto: Edi Rama në emisioni Top Story

Ai tha se e ka takuar ish-zyrtarin e larët të FBI-së disa herë për qëllime pune. Një ndër herët, ai tha se zyrtari amerikan ishte së bashku me një mikun e tij shqiptaro-amerikan.

Teksa është pyetur nga moderatorja Duma nëse ky qytetar i pranishëm në takimin e tyre ka përfituar favorizim nga qeveria, kryeministri tha se nga ai vetë nuk ka pasur asnjë lloj favori.

‘Atë e kam takuar me kërkesë të tij, e kam pritur në zyrë kemi pasur bashkëbisedim miqësor në terma të përgjithshëm, më ka treguar se puna e tij ka në fokus influencën ruse, kemi folur për rajonin dhe influencën ruse dhe pastaj takimet e tjera kanë qenë takime që kanë ardhur si rezultat i pranisë së tij këtu ose pranisë time Në SHBA dhe më ka ftuar në zyrat e FBI-së në New York. Nuk shof asgjë të jashtëzakonshme përveç një marrëdhënie normale, skam pasur asnjë detyrim të lajmëroj ambasadën amerikane se është pjesë e detyrës time’, tha Rama në Top Story.

Në emisionin ‘Të Paekspozuarit’ me Ylli Rakipin, Rama deklaroi se e ka takuar ish agjentin e FBI, me kërkesë të këtij të fundit dhe njohja me shqiptaro-amerikanin, Agron Neza.

‘E kam takuar me kërkesë të tij në zyrën time. Agron Nezën e kam njohur sepse më ka ardhur bashkë me zyrtarin e lartë të FBI i cili ma ka prezantuar si bashkëpunëtorin dhe mikun e tij. Ai ma ka prezantuar si bashkëpunëtor dhe mik i tij. Në të gjithë rastet e kam takuar kur kam qenë me të’, tha Rama në Të Paekpozuarit.

E vërteta e Edi Ramës në 3 televizione për aferën
Edi Rama në Të Paekspozuarit

Në emisionin ‘NOW’ me Erla Mëhillin Rama tha se është takuar në zyrë me ish-zyrtarin e FBI-së, ku i pranishëm ishte dhe Agron Neza, i cili ishte shoqëruesi i McGonigal.

E vërteta e Edi Ramës në 3 televizione për aferën
Në foto: Edi Rama në NOW

Ish-kryeministri u shpreh se  nuk i ka dhënë asnjë dokument ish-zyrtarit të FBI-së për financimet ruse në Partinë Demokratike. Ai shtoi se takimet me agjentë të kundërzbulimit janë pjesë e punës së tij dhe për këtë nuk i jep llogari asnjë njeriu.

“Ai ka kërkuar takim me mua dhe nuk kam takuar vetëm atë por takoj dhe plotë të tjerë nga kundërzbulimi dhe nuk i jap llogari asnjë njeriu. Nuk kam takuar biznesmen privat në takimin me të. Ai ka ardhur me një person, për të cilin flitet gjërë e gjatë, herë me lidhje herë pa lidhje në ditët e sotme Ma ka prezantuar ai mua dhe më ka thënë “ky është bashkëpunëtori dhe miku im, a mund të jetë dhe ky në takim”? “Po patjetër”, i kam thënë, dhe ishte dhe ai në takim", tha Rama në NOW.

Përgjigjet e Ramës në të tre televizionet kanë qenë të afërta me njëra-tjetrën se kë ka besuar publiku mazhorancën apo opozitën këtë do e shikojmë në protestën e thirrur nga Sali Berisha me 11-shkurt. Kujtojmë se çështja e McGonigal dhe lidhjet e tij me kryeministrin Edi Rama kanë 'bashkuar', dy kampet e Partisë Demokratike.

Me firmën e 42 deputetëve, opozita ka kërkuar ngritjen e një komision hetimor që do të verifikojë kontaktet dhe marrëdhëniet e kryeministrit Edi Rama me ish agjentin special të FBI-së, Charles McGonigal.

Komisioni hetimor do të verifikojë edhe “nxitjen, ndikimin, porositjen, përdorimin, përfshirjen përmes premtimit dhe ofrimit të favoreve, ryshfetit apo pasurive publike ndaj agjentit special të FBI-së Charles McGonigal dhe ose agjentë të tjerë të përfshirë për përfitime politike të kryeministrit Edi Rama dhe goditjen apo dëmtimin politik të opozitës shqiptare”.

Kërkesën e ka dorëzuar sot zyrtarisht në kryesinë e Kuvendit, deputeti Luçiano Boçi dhe deputetja Albana Vokshi. Nga kryesi Boçi u shpreh se Rama e ka detyrim ligjor dhe kushtetues që të japë llogari para Kuvendit në lidhje me çështjen.

©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video