Një vit nga përjashtimi i Berishës, PD e izoluar dhe e përçarë

12 September 2022, 21:35Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Një vit nga përjashtimi i Berishës, PD e izoluar dhe e
Lulzim Basha dhe Sali Berisha

Kur njoftoi përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike më 9 shtator të 2021-it pa marrë më parë mendimin dhe miratimin e forumeve të partisë, Lulzim Basha e arsyetonte vendimin personal si marrje përgjegjësie për të shmangur përçarjen.

Lulzim Basha dhe mbështetësit e tij nuk i kishin bërë mirë llogaritë. Vendimi jo vetëm që nuk e shmangu përçarjen, por i hëngri edhe kokën Bashës. Sali Berisha nisi ‘Foltoren’ në bazë, që kulmoi me Kuvendin e 11 dhjetorit, në të cilin përjashtoi Bashën, ndërsa në zgjedhjet e 6 marsit e detyroi që të largohej.

Pas këtyre zgjedhjeve, Sali Berisha hyri në selinë e PD-së dhe në fund të majit u votua si kryetar i saj, në një proces që de jure ende nuk njihet nga gjykatat. Por, edhe Berisha i bëri llogaritë gabim, jo me Lulzim Bashën, por me amerikanët.

PD-së së tij sot i është pezulluar e drejta e votës në Partitë Popullore Europiane, partitë e djathta të kontinentit, selinë e shmangin diplomatët e huaj të atashuar në Tiranë, apo ata që vizitojnë kryeqytetin shqiptar, ndërsa beteja e Bashës vijon në grupin parlamentar, që drejtohet nga Enkelejd Alibeaj.

Si bilanc, Sali Berisha e mori varkën e PD-së për të shpëtuar nga shpallja non grata dhe izolimi personal dhe si kusur po e çon partinë më të madhe të opozitës në një shpallje de fakto non grata.

Përfundimi deri më tani tregon që procesi që ndezi Lulzim Basha me arsyetimin e shmangies së përçarjes së partisë, e që e vazhdoi Sali Berisha po me të njëjtin arsyetim, sot ka prodhuar një Parti Demokratike më të përçarë se asnjëherë tjetër, më të izoluar ndërkombëtarisht dhe më të dobët.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video