Irani “sulmoi” Shqipërinë duke paralizuar Bashkinë e Tiranës: Ku shpenzohen mln euro për mbrojtjen kibernetike?

23 Qershor 2025, 22:09Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Irani “sulmon” Shqipërinë, paralizon Bashkinë e Tiranës; Bien sistemet miliona euro, as gjoba dhe as regjistrime ...

Republika e Iranit ka “sulmuar” edhe Shqipërinë, jo me bomba, por me goditjen e sistemeve online të Bashkisë së Tiranës. “Lufta” kibernetike po zhvillohet në të njëjtën kohë me predhat dhe bombat në Lindjen e Mesme dhe Gjirin Persik. Burime nga Bashkia e Tiranës i thanë VoxNews se sistemet që kanë kushtuar miliona euro, për regjistrime apo edhe për vendosjen e gjobave, kanë rënë. Prej disa ditësh, Policia Bashkiake e Tiranës është paralizuar dhe nuk bën dot asnjë veprim në sistemet e saj.

Madje, punonjësit dhe inspektorët as nuk hedhin dot në sistem edhe ato gjoba që anë vendosur në Tiranë, duke krijuar një kaos. Madje, edhe sistemet e tjera që transferojnë të dhënat nga Policia Bashkiake drejt aparatit qendror të bashkisë kanë rënë, ku mijëra të dhëna dhe dokumente janë tashmë në “dorë” të hakerave iranianë. Jo zyrtarisht ka informacione se sulmi ka ardhur nga Irani, madje këtë sulm ata e kanë publikuar edhe në kanalet në platformën “Telegram”.

Irani “sulmoi” Shqipërinë duke paralizuar Bashkinë e
Në foto: Njoftimet e iranianëve për sulmin ndaj Bashkisë së Tiranës

Prej disa ditësh, hakerat iranianë kanë publikuar të dhëna sensitive për veprimet e Bashkisë së Tiranës. “Po, kishe të drejtë! Të gjitha aktivitetet u kryen nga Bashkia e Tiranës dhe ata sot po ndëshkohen për veprimet e tyre. Ne kemi hequr faqen e tyre të internetit, kemi nxjerrë të dhënat e tyre dhe kemi fshirë serverat e tyre” thuhet në njërin njoftim.

Ndërkohë, më pas deklarojnë se “Bashkia e Tiranës është jashtë mundësive tani, shërbimet e qytetit janë ndërprerë”. Këto sulme, hakerat iranianë ia atribuojnë qëndrimit të shtetit shqiptar me strehimin e opozitës iraniane në Durrës. “Ju i njohët ata si refugjatë të ligjshëm dhe u dhatë lehtësira të tilla si letërnjoftime dhe pasaporta të falsifikuara. Situata aktuale është shkaktuar nga udhëheqësit e qeverisë shqiptare. Përshëndetje ndërprerjes së shërbimeve dhe trafikut të qytetit” vijojnë ata më tej.

Irani “sulmoi” Shqipërinë duke paralizuar Bashkinë e
Në foto: Njoftimet e iranianëve për sulmin ndaj Bashkisë së Tiranës

Dhjetëra njoftime janë publikuar nga hakerat, ku të gjitha  referohen sulmit që ata i bënë sistemeve të Bashkisë së Tiranës. “Bashkia e dashur e Tiranës është e jona tani! Gjithë ky korrupsion i frikshëm për një bashki të thjeshtë?! E pabesueshme! Ja çfarë ndodh kur pjesa më e madhe e buxhetit tuaj i dedikohet mirëqenies së terroristëve të MEK-ut” vijojnë ata.

“Shërbimet bashkiake, duke përfshirë shërbimet rrugore dhe të transportit, lëshimin e licencave dhe pasaportave, dhe shërbimet jetësore për jetën e njerëzve u ndërprenë dhe do të ndërpresin edhe më shumë. Cili ishte shkaku i këtyre ngjarjeve?! Egoizmi i një oligarkie komuniste egoiste që hapi krahët për një grup terrorist-komunist” shkruajnë hakerat.

Ata deklarojnë se kanë nën kontroll një sasi të madhe të dhënash. “Informacioni në dispozicion përfshin 2726 kompjutera dhe 4720 përdorues nën mbrojtjen e internetit ‘Symantec’ nga bashkia dhe nënkategori të tjera” vijojnë ata.

Por, a nuk shpenzohet miliona euro për mbrojtjen kibernetike?!

Sulmet e vazhdueshme të hakerave iranianë kanë nxjerrë zbuluar sistemet e qeverisë dhe pushtetit lokal. Megjithëse AKSHI apo edhe vetë bashkitë shpenzojnë miliona euro për ti ngritur dhe mirëmbajtur sistemet, lehtësia në të cilën ato merren nga hakerat, ka zbuluar abuzime të mundshme të firmave që duhet t’i mirëmbajnë. Por, nëse ato kushtojnë miliona euro, si mund të hakerohen? Për më tepër, aq thjeshtë!

Duket se “lufta” e Shqipërisë me Iranin është te kibernetika, ku shpeshherë sistemet shtetërore kanë rënë. Fillimisht Policia e Shtetit, më pas Tatimet, Transporti Rrugor, Ministria e Brendshme e tani radha i erdhi Bashkisë së Tiranës.

©CopyrightVoxNews

Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video