
Një dëshmi e një të penduari të drejtësisë ka nxjerr në dritë një emër që endet mes Italisë, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Shqipërisë. Por, ky trekëndësh nuk është për turizëm, por për vrasje, trafik droge dhe jetë luksi.
Dhe, kush mund t’i bënte të gjitha këto?!
Pseudonimi i tij është “Reno i vogël”, ndërkohë që emri i vërtetë është Renato Muska. Emri i tij ka dalë në disa kronika të mediave italiane si një trafikant droge, teksa në Shqipëri përveç indicieve dhe dëshmive, ende nuk është goditur. Ose të paktën, klane të caktuara po e mbrojnë, të paktën deri tani, pasi edhe Prokuroria e Posaçme, SPAK-u, nuk ka lëshuar ndonjë njoftim për “bëmat” e tij.
Në gjithë këtë situatë, çfarë bën “Reno i vogël”?!
Vijon të shijojë jetën e luksit, ku është zhvendosur në Dubai, madje bashkëjeton me një vajzë të Showbizit, teksa asnjë organ ligjzbatues nuk i ka kërkuar Emirateve informacion ose t’i ketë dërguar ndonjë urdhër-arresti.
Mediat italiane e përshkruajnë Renato Muskën si një nga emrat që drejton trafikun dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike në Romë, kryeqytetin italian. Dhe, të drejtojë dhe komandojë një shqiptar një qytet të tillë, do të thotë se fuqia e tij është e madhe. “Dy furnizuesit shqiptarë me kapacitete të jashtëzakonshme, janë Altin Sinomati dhe Renato Muska” shkruajnë mediat italiane.
Po në Shqipëri, për çfarë akuzohet?
Emri i tij ka dalë në dosjen e grupit të Leart Haxhiut, i dënuar me burgim të përjetshëm. Muska, ose me pseudonimin “Reno i vogël”, del si porositës vrasjesh dhe një trafikant i madh i kokainës. Ai kishte kontaktuar me grupin e Haxhiut për të vrarë Renaton e Kalivaçit (Renato Çaushaj) një nga bosët e krimit në Sarandë. Ka dyshime se porosia e tij për të vrarë Çaushajn ka ardhur për shkak të prishjes së pazareve në trafikun e drogës.
Por, kush e përmendi emrin i pari dhe përse s’ka një masë sigurie?!
Personi apo më saktë i penduari i drejtësisë Artan Tafani, një ushtar i bindur i Leart Haxhiut, ka treguar me detaje planin për të vrarë Renato Çaushajn. Mediat kanë nxjerrë edhe dëshminë e tij, ku ai përmend shumë herë “Renon e vogël”.
“Reno këtë ngjarje ia kishte kërkuar ‘Julit të Pashakos’. Juli me parë kishte patur shoqëri të ngushtë me Renaton e Kalivaçit, prandaj nuk e mori përsipër. Por ja ka dhënë si porosi Laertit, ndaj dhe në filluam përgatitjet” ka dëshmuar Tafani.
Ndërkohë, më vonë dëshmon se “dëgjova nga Laerti se do vritej Renato për llogari të një personi që i thërrasin ‘Reno i Vogël’ dhe jeton në Dubai. Kam shkuar 2 herë në Sarandë”.
Dëshmi e qartë e forcës kriminale, por edhe financiare, të “Renos së vogël” që tashmë po bëhej i madh. Ka dyshime dhe informacione se Renato Muska ka një pasuri marramëndëse, miliona euro të investuara në Shqipëri në pasuri të paluajtshme, ndërkohë që jeton mes Shqipërisë, Italisë dhe Emirateve.
©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.