Pas gardianëve, anulohet edhe tenderi 27 milionë euro për të veshur policët (DENONCIMI i VOXNEWS)

16 Qershor 2025, 20:00Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Foto ilustruese

Brenda një kohe të shkurtër, Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka anuluar dy procedura të majme për të veshur “firmato” gardianët dhe policët. Pak ditë më parë, redaksia e VoxNews publikoi dokumentin për anulimin e tenderit për të veshur gardianët. Nuk vonoi shumë dhe i njëjti organ, OBP anuloi edhe tenderin e majmë prej 27 milionë eurosh për të veshur policët.

Duket se, paralajmërimet e redaksisë sonë kanë qenë të bazuara në dokumente dhe kalkulime, ku dukej një fryrje e madhe e kostove. Për të veshur një gardian duheshin plot 3.900 euro, ndërkohë për të veshur një polic do të duheshin 2.400 euro. Madje, në njoftimet e anulimit shkruhet se ka ndryshuar edhe aftësia paguese, çka do të thotë se vlera do të ulet.

Por, anulimi ka zbuluar edhe një skemë që e kanë bërë me vite me radhë punonjës të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe të Ministrisë së Brendshme.

“Mjeshtrat” e këtyre institucioneve bëjnë specifikimet teknike dhe kërkojnë uniforma, teksa në të kaluarën ka pasur procedime penale, të arrestuar, si te burgjet ashtu edhe te policia, për të tillë tendera. Duket një skemë e mirëfilltë, për të favorizuar firma të caktuara, të cilat pavarësisht hetimeve dhe arrestimeve, vijojnë të fitojnë procedura me shumë zero.

Pas gardianëve, anulohet edhe tenderi 27 milionë euro për tëPas gardianëve, anulohet edhe tenderi 27 milionë euro për të

Dokumenti i mësipërm është njoftimi i Operatorit të Blerjeve të Përqendruara, drejtuar Agjencisë së Prokurimit Publik. Ky operator njofton se ka anuluar tenderin me objekt “blerje dhe shpërndarje uniforma dhe këpucë për Policinë e Shtetit”, e ndarë në 2 lote. Loti i parë ishte blerje dhe shpërndarje uniforma, grada, stema dhe shenja për Policinë e Shtetit dhe i dyti blerje dhe shpërndarje këpucë. Në total, të dyja lotët, kanë pasur një vlerë prej 2.724.218.857 lekë pa TVSH, ose mbi 27 milionë euro.

Arsyet e anulimit, shkruan Operatori i Blerjeve të Përqendruara, është “për shkak të rrethanave të paparashikueshme dhe objektive, nevojat ose aftësia paguese e autoritetit ose entit kontraktor kanë ndryshuar”. Fjali që janë në ligjin për APP-në, teksa ajo që lexohet mes rreshtave është se “s’ka para”. Ose një justifikim i tillë për të mbuluar fryrjen e madhe të kostove për të tillë tender. Duket një tërheqje e vetë Operatorit, i cili s’ka dashur që të mbajë barrën e Drejtorisë së Burgjeve apo edhe të Ministrisë së Brendshme.

Mësohet se, në APP dhe OBP ka shkuar një informacion shtesë, ku citohet se “procedura e prokurimit anulohet me kërkesë të autoritetit kontraktor përfitues Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit sipas shkresës nr. 4606 prot, datë 04.06.2025 me lëndë ‘kërkesë për anulim procedure prokurimi’”.

Pas gardianëve, anulohet edhe tenderi 27 milionë euro për të
Njoftimi i anulimit të tenderit për veshjen e gardianëve

Disa ditë më parë, VoxNews publikoi njoftimin e Operatorit të Blerjeve të Përqendruara që kishte anuluar tenderin “blerje uniforma për Policinë e Burgjeve” e ndarë në 2 lote. 12 milionë do të përdoreshin për uniforma dhe 2 milionë euro për këpucët.

“Arsyet e anulimit ishte për ‘shkak të rrethanave të paparashikueshme dhe objektive, nevojat ose aftësia paguese e autoritetit ose entit kontraktor kanë ndryshuar’” thuhej në shkresë. Ndërkohë, edhe në atë rast, kishte një shkresë të Drejtorisë së Burgjeve që kërkonte anulimin.

Në fund të muajit mars 2025, VoxNews publikoi një investigim “SKANDALI i RI/ ‘Hapen tenderët 40 milionë euro’, 2.400 euro për të veshur 1 polic dhe 3.900 euro për 1 gardian”. Në atë kohë, redaksia jonë bëri kalkumime për numrin e policëve dhe gardianëve dhe doli në përfundimin se kostoja e veshjes së tyre ishte shumë e lartë.

©CopyrightVoxNews

Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video