Denoncimi i VoxNews/ Anulohet tenderi i hapur për të veshur gardianët me 3.900 Euro!

9 Qershor 2025, 11:20Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Foto ilustruese

Një tender i denoncuar disa javë më parë nga redaksia jonë, është anuluar nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara. Bëhet fjalë për një procedurë për të veshur “firmato” policët e burgjeve.

Shkak i anulimit është bërë tashmë pamundësia e kryerjes së pagesave. Por më shumë sesa ajo që shkruhet në dokumente, fakt është se bëhet fjalë për një tërheqje të këtij Operatori për shkak të kostove tepër të larta.

Nga kalkulimet e atëhershme të VoxNews, rezultonte se për të veshur një gardian, shteti do të paguante plot 3.900 euro. Shumë herë më tepër sesa veshja e një polici të rendi apo edhe të forcave të tjera. Pikërisht fryrja e kostove ka sjellë anulimin e procedurës.

Denoncimi i VoxNews/ Anulohet tenderi i hapur për të veshur
Faksimile: Njoftimi i anulimit të tenderit për veshjen e gardianëve, për shkak se “s’ka para”

Sipas dokumenteve, Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka anuluar një procedurë të kufizuar mbi kufirin e lartë monetar. Mësohet se kërkohej një firmë për veshjen e policëve të burgjeve, ku do të bëhej një kontratë tip “marrëveshje kuadër”.

Denoncimi i VoxNews/ Anulohet tenderi i hapur për të veshur
Faksimile: Njoftimi i anulimit të tenderit për veshjen e gardianëve, për shkak se “s’ka para”

Objekti i procedurës së tenderit ishte “blerje uniforma për Policinë e Burgjeve” e ndarë në 2 lote. Loti i parë ishte për “blerje uniforma dhe grada për Policinë e Burgjeve” dhe loti i dytë “blerje këpucë për Policinë e Burgjeve”.

Fondi limit për uniformat dhe këpucët ishte plot 1,390,769,925 lekë, ose rreth 14 milionë euro. Një shumë tepër e lartë, nga të cilat 12 milionë do të përdoreshin për uniforma dhe 2 milionë euro për këpucët.

“Arsyet e anulimit është për “shkak të rrethanave të paparashikueshme dhe objektive, nevojat ose aftësia paguese e autoritetit ose entit kontraktor kanë ndryshuar”. Kjo është ajo që shkruhet në dokumente, teksa është dhënë edhe një informacion shtesë sipas së cilit tenderi anulohet për shkak se Drejtoria e Burgjeve me një shkresë me numër 8600 prot, të datës 3 qershor 2025, ka kërkuar “anulimin e procedurës së prokurimit”.

Denoncimi i VoxNews/ Anulohet tenderi i hapur për të veshur
Faksimile: Denoncimi i muajit mars 2025 i redaksisë së VoxNews për tenderët e hapur për uniformat e policisë dhe gardianëve

Tenderët e blerjeve të uniformave, apo atyre me vlera të larta, tashmë bëhen nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara. Organet shtetërore i dërgojnë kërkesat këtij operatori, vlerat dhe përgatisin dokumentet. Më pas, është OBP bën përzgjedhjen e fituesit, me qëllim që mos të ketë influenca te organet.

Edhe skema e përdorur në rastin konkret është e tillë, ku Drejtoria e Burgjeve i dërgoi Operatorit kërkesat për uniforma, numrin e gardianëve, vlerën dhe specifikimet e tjera. Por, vlera për të veshur 1 gardian doli tepër e lartë. Dhe, ndoshta kjo vlerë është bërë shkak për anulimin.

VoxNews e paralajmëroi edhe më parë këtë tender, teksa në fund të marsit redaksia jonë shkroi se “për të veshur 1 gardian kostoja shkon në plot 3900 euro”. Shifra të frikshme, pasi nuk bëhet fjalë për veshje firmato por për veshje fasonerie, ku shpeshherë tenderët e ngjashëm kanë qenë objekt i dosjeve penale.

“Në të njëjtën kohë, Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka hapur një tjetër procedurë kësaj herë për të veshur policët e burgjeve. Vlera e akorduar është plot 1.390.769.925 lekë ose rreth 14 milionë euro. Nëse do të bëjmë një llogari të thjeshtë, ku të gjithë sistemet peniteciare kanë rreth 3500 deri në 3700 efektivë, rezulton se kostoja për të veshur një gardian është plot 3900 euro. Një shumë dukshëm më e lartë se ajo për të veshur policët, teksa OBP nuk ka dhënë specifikimet përkatëse. Por, ashtu siç ka ndodhur edhe me tenderët e policëve, akuza ka pasur edhe në këto procedura, disa të zhvilluara nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve” shkroi VoxNews.

©CopyrightVoxNews

Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video