Politika, krimi dhe pasuria “prodhojnë” gjyqtarë: Miliarderi Lulzim Hamitaj synon Kushtetuesen!

26 Maj 2025, 19:38Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Lulzim Hamitaj

Në vitin 2017, pakkush e kishte dëgjuar emrin e Lulzim Hamitajt. Me një CV modeste, ai rikthehej për t’i shërbyer vendlindjes, në procesin e Vetingut, ku me emrin dhe firmën u shkarkuan qindra prokurorë dhe gjyqtarë. Hamitaj vinte nga bota e avokatisë, teksa ai zhvillonte aktivitetin në Romë, Itali, duke bashkëpunuar me një nga emrat më kontrovers të mazhorancës, Ëngjëll Agaçin, Sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë.

I propozuar nga Agaçi, Hamitaj u katapultua në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, duke u emëruar nga Kuvendi i Shqipërisë para 8 viteve. Më pas, vlonjati mori vendime tepër të diskutuara, duke u bërë një nga njerëzit më të besuar të mazhorancës.

Por, ajo që bie në sy në gjithë këtë rikthim, nuk është drejtësia. Por, pasuria e tij prej miliona metër katrorë në zonën e Dukatit, deri në Detin Jon. Lidhjet e tij me mazhorancën i kanë dhënë një pasuri të stërmadhe, duke u bërë edhe “Beu i Vlorës”, pasi me disa vendime, Agjencia e Trajtimit të Pronave, kjo edhe me vendime të gjykatave po i kthen familjes së Hamitajt një pasuri të stërmadhe.

Ndërkohë, edhe lidhjet me botën e krimit, e kanë ndihmuar që të “lulëzojë”. Lulzim Hamitaj ka lidhje gjaku me Ksenofon Bodon, i cili pavarësisht mbiemrit, e ka djalë xhaxhai. Nëse do të bëjmë një kërkim të thjeshtë rezulton se Bodo bashkëpunon me grupet më të mëdha të trafikut të kokainës, nga veriu në jug. Nga “kapelja” e Vlorës deri në Fushëkuqe, ku Bodo bashkëpunonte me Gëzim Çelën në grupin e tij të stërmadh.

Pikërisht këto lidhje të fuqishme, me politikën (Agaçin), krimin (Bodon) dhe pasuria (deri në bregdet), e kanë bërë Lulzim Hamitajn një nga rioshët e drejtësisë së re. Aq sa tashmë synon edhe Gjykatën Kushtetuese, duke u bërë pjesë e kupolës së drejtësisë. Duket se, përjashtimi i qindra gjyqtarëve dhe prokurorëve nga Vetingu, ka sjellë këtë situatë, ku postin e Kushtetueses e synojnë ata që kanë shërbyer më shumë, në politikë, krim apo edhe pasuri.

Nëse synimi i Vetingut ishte heqja e gjyqtarëve dhe prokurorëve “kriminelë”, përse tashmë postet e kupolës i synojnë emra që kanë lidhje me shumë botë?!

Politika, krimi dhe pasuria “prodhojnë” gjyqtarë:

Politika, krimi dhe pasuria “prodhojnë” gjyqtarë:
Faksimile: Deklarata fillestare e pasurisë së Lulzim Hamitajt, ku deklaron miliona metër katrorë pronë në Vlorë

Me vendime që mbajnë firmën e tij, Lulzim Hamitaj ka përjashtuar nga sistemi gjyqtarë dhe prokurorë që nuk justifikonin rreth 20 mijë euro. Madje, ka hequr edhe të tjerë që kishin vetëm një shtëpi, atë strehë ku edhe jetonin, madje në periferi të Tiranës apo edhe në rrethe.

Ndërkohë, vetë Hamitaj ka deklaruar para Inspektoriatit të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive një mori pronash, kursime, pasuri të luajtshme dhe paluajtshme, mes Italisë dhe Shqipërisë. Pasuri që do t’i kishin zili edhe biznesmenët më të mëdhenj të Shqipërisë, vlera e së cilës i kalon disa dhjetëra miliona euro.

Por, nëse për apartamentet dhe zyrat në Itali, nuk mund të hamendësojmë asnjë burim, redaksia e VoxNews është ndalur te pasuria e Hamitajt në Shqipëri.

Hamitaj rezulton pronar i një apartamenti me sipërfaqe 86 m2 në Romë, me vlerë 180 mijë euro. Ka edhe një garsionere po në Romë me vlerë 60 mijë euro.

Në Shqipëri, ai figuron pronar i një apartamenti në Vlorë me sipërfaqe 113 m2, të blerë në vitin 2010 me vlerë 70 mijë euro. Ka një shtëpi në një fshat të Vlorës, me sipërfaqe 185 m2 dhe me tokë 3.500 m2. Ka në Tiranë apartament 6 m2 të blerë në vitin 2017 me vlerë 34 mijë euro.

Politika, krimi dhe pasuria “prodhojnë” gjyqtarë:

Politika, krimi dhe pasuria “prodhojnë” gjyqtarë:
Faksimile: Në deklaratën fillestare Hamitaj ka deklaruar se ka të trashëguar qindra mijëra m2, që synon t’i marrë me dokumente

Por, duke shfletuar deklaratat e pasurisë, ato që bien në sy janë sipërfaqet e stërmëdha në zonën e Dukatit në Vlorë. Ai thotë se ëstë pronar me 1\3 e një sipërfaqe preh 21.300 m2, që është në proces regjistrimit. Gjithashtu edhe trashëgimtar me të njëjtën përqindje të sipërfaqes 7.900 m2, apo edhe pronar me pjesë takuese 1\9 e një prone në Vlorë me sipërfaqe prej 33.000 m2. “Pasuria është në proces njohje dhe kthimi të pronës nga agjencia përkatëse dhe autoritetet e tjera kompetente sipas rezultanzave të AQSH-së” thuhet në deklaratat e pasurisë.

Ndërkohë lista vijon se ai është pronar me pjesë takuese 1/9 e një pasurie të paluajtshme në Vlorë, tokë kullotë me sipërfaqe 300.000 m2, të përfituar nëpërmjet trashëgimisë. Sërish, pasuria është në proces njohje dhe kthimi të pronës nga agjencia përkatëse. Është pronar me pjesë takuese 1/9 edhe e një sipërfaqe 22.000 m2.

Ai ka deklaruar se është pronar me pjesë takuese 1/60 e një pasurie të paluajtshme në Vlorë, tokë kullotë/pyll me sipërfaqe 870.000 m2 të përfituar nëpërmjet trashëgimisë. Pasuria është në proces njohje dhe kthimi të pronës. Gjithashtu, edhe pronar me pjesë takuese 1/18 e një pasurie të paluajtshme në Vlorë, tokë kullotë me sipërfaqe rreth 24 hektarë të përfituar nëpërmjet trashëgimisë.

Pronat e tij shkojnë deri në detin Jon.

Hamitaj ka deklaruar se është pronar me pjesë takuese 1/60 e një pasurie të paluajtshme në malin e Dukatit-Vlorë (deri në Detin Jon), tokë kullotë dhe pyll me sipërfaqe rreth 38 hektarë të përfituar nëpërmjet trashëgimisë.

Si po tenton që t’i marrë këto pasuri Hamitaj?

VoxNews ka mësuar se ai po përdor disa skema. E para është marrja direkt nga ATP-ja dhe e dyta është marrja me vendime gjykate. Pra, me gjyqtarët që i kaloi në Veting, ai po merr miliona m2 në Vlorë, duke e shndërruar në një miliarder, që do t’a kishin zili edhe oligarkët e Shqipërisë.

Para emërimit të tij si komisioner i KPK-së, Hamitaj ishte një i panjohur. Në CV-në e tij ai ka deklaruar se është diplomuar si jurist në Romë, por ka diplomë edhe nga Spanja. Ka qenë avokat në Itali si dhe bashkëjeton me znj. Feruze Shakaj, një pedagoge në Shqipëri.

Megjithatë, këto janë ato çka ai ka deklaruar, pasi nuk ka shkruar në CV se ka pasuri dhjetëra miliona euro, ka njohje me Agaçin apo ka kushëririn trafikant droge. 

Burime nga sistemi i drejtësisë i thanë VoxNews se kushëriri i parë i Lulzim Hamitajt është Ksenofon Bodo, një emër shumë i njohur i botës së krimit, i proceduar disa herë për akuza të rënda. Madje, për bashkëpunime me trafikantë të mëdhenj shqiptar. Mediat kanë raportuar se Bodo, vetëm në një rast, ka bashkëpunuar me grupin e drejtuar nga Gëzim Çelaj i Fushëkuqes në Kurbin, për të trafikuar plot 1500 kg hashash në Itali. Gjithashtu, Bodo bashkëpunonte edhe me vlonjatin Arben Dalipaj, i njohur ndryshe me nofkën “Kapelja”, për trafikun.

Ksenofoni është arrestuar në vitin 2024, teksa procesi i hetimit dhe gjykimit është në ndjekje, ku kushëriri i tij me njohje edhe mund t’a ndihmojë.

©CopyrightVoxNews

Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video