1+1 = 3! Tenderët e çuditshëm të mbetjeve spitalore, Allajbeu fiton gjithmonë me ofertë më të lartë!

29 Maj 2025, 07:53Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Klodjan Allajbeu

Tregu i asgjësimit të mbetjeve spitalore mori kthesë tjetër në momentin që në “treg” u fut një oligark, Klodjan Allajbeu i Spitalit Amerikan. Biznesmeni beratas ka çështje të hapur në SPAK, ndërkohë që Kosova ka avancuar me hetimet.

Dhe, në gjithë këtë vorbull, Allajbeu është futur me forcë në asgjesimin e mbetjeve spitalore, një “punë” me fitime kolosale. Që nga momenti që ai mori “frenat” e firmës ECO Riciklim nga Arbër Teqja, ka fituar pothuajse mbi 90 % të fondeve.

Fitoi tenderin e majmë nga QSUT-ja, tendera të tjerë në Fier dhe në disa spitale rajonalë dhe lokalë. Madje, bashkëpunoi në një rast edhe me firmën konkurrente Vale për një procedurë.

Por, si i fiton këto para?

Në këto radhë, VoxNews do të publikojë dokumentet e një tenderi për asgjesimin e mbetjeve te Materniteti “Koço Glozheni”. Një procedurë normale tenderimi, por zyrtarët ia kanë dhënë fitoren pavarësisht se ECO e Allajbeut kishte ofertën më të lartë!

1+1 = 3! Tenderët e çuditshëm të mbetjeve spitalore,
Faksimile: Njoftimi i fituesit të tenderit për asgjesimin e mbetjeve te Materniteti “Koço Glozheni” u fitua nga ECO me ofertën më të lartë

Pikëzimi i futur i solli fitoren, teksa veprimi matematikor 1+1 në këtë rast doli 3!

Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, në datën 27 maj 2025, firma ECO është shpallur fituese e një tenderi. Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Shërbimi i eleminimit të mbetjeve të rrezikshme spitalore në Spitalin Universitar Obstetrik Gjinekologjik ‘Koço Gliozheni’, Tiranë, me fond limit 31,689,705 lekë, pa TVSH”, me afat 36 muaj nga nënshkrimi i marrëveshjes kuadër.

1+1 = 3! Tenderët e çuditshëm të mbetjeve spitalore,


Faksimile: “ECO RICIKLIM” i Klodjan Allajbeut ofroi 28,470,000 lekë pa TVSH, dukshëm më lartë sesa oferta e parë

Në tender ishin vendosur edhe kriteret e përzgjedhjes së fituesit. “Oferta ekonomikisht më e favorshme, bazuar në kosto” ishte kriteri.

Ofertën më të ulët e kishte “MEDI -TEL” me vlerë 23,790,000 lekë. Kjo firmë mori vetëm 210 pikë nga “mësuesit” e tenderëve.

Ndërkohë, “ECO RICIKLIM” i Klodjan Allajbeut ofroi 28,470,000 lekë pa TVSH, dukshëm më le artë sesa oferta e parë. Por, “mësuesit” i dhanë në provim plot 264.30 pikë. Nëse do të bëjmë një krahasim, oferta e ECO ishte rreth 50 mijë euro më e lartë dhe pavarësisht kësaj u shpall edhe fituese!

Një skemë e përdorur rëndom edhe në tenderët e tjerë të mbetjeve, që tashmë ka filluar t’i fitojë në masë Klodjan Allajbeu.

Pak ditë më parë, VoxNews publikoi dokumentet e një tenderi që shpalli Senaoriumi për asgjesimin e mbetjeve spitalore. Çuditërisht, fitues doli bashkimi i operatorëve ekonomikë “V.A.L.E RECYCLING” me adresë në Fushë Kuqe, Kurbin, dhe “ECO RICIKLIM” me adresë në zonën e Metalurgjisë në Elbasan, me një vlerë prej 115 milionë lekësh, ose rreth 1.2 milionë euro.

Këto dy firma kanë qenë “armike” me njëra-tjetrën, por tashmë bashkëpunojnë në këtë treg, ku ECO po u lë disa thërrime firmave të tjera.

VoxNews ka publikuar edhe një investigim sesi biznesmeni Klodjan Allajbeu, që ka dosje në organet ligjzbatuese në Shqipëri dhe Kosovë, bleu për 60 mijë euro aksionet e Arbër Teqjas te Eco Rciklim dhe pas transaksionit fitoi tenderin 1.7 mln euro nga QSUT.

©CopyrightVoxNews

Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video