Kolegji i Posaçëm i Apelimit do të vihet në një provë integriteti paraditen e së martës, në datë 8 korrik 2025, në orën 10:00, kur duhet të gjykojë një nga gjyqtaret veterane të Gjykatës së Tiranës. Teuta Hoxha është shkarkuar me të drejtë nga detyra nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më datë 22 nëntor 2022, për një mori shkeljesh, që nga pasuria e pajustifikuar e deri te konflikti i interesit në gjykimin e disa çështjeve.
Por, pavarësisht shkeljeve të renditura dhe të analizuara në vendimin e KPK-së, sërish Teuta Hoxha, e cila për rreth 23 vite me radhë gjykoi në Tiranë, ka lëvizur çdo gur!
Burime nga organet e Vetingut i thanë redaksisë së VoxNews se Hoxha, bashkëshorti i saj avokat apo edhe kunati i saj biznesmen, kanë tentuar dhe kanë premtuar që nëse e afërmja e tyre e kalon Vetingun, çdo person do të shpërblehet.
Natyrisht, pas këtij “premtimi” integriteti i kalon plotësisht trupës gjykues të KPA-së, e cila më datë 8 korrik do të vihet përballë dy zgjedhjeve; të lërë në fuqi një vendim të drejtë apo të “njollosë” përfundimisht të gjithë sistemin. Indiciet janë të forta për një mori njerëzish që janë angazhuar për Teuta Hoxhën, ku krahas familjarëve, në lëvizje janë vënë edhe palë të treta, ato që kanë interes dhe lobojnë fortë që ajo të qëndrojë në Gjykatën e Tiranës.
Prapaskenat janë të mëdha në ambientet rreth Gjykatës Kushtetuese, ku operon edhe KPA, ku persona të ndryshëm po takojnë çdokënd, për të marrë të paktën 3 vota.

Por, kush do t’a gjykojë (kryesues, relator dhe anëtarë) veteranen e Gjykatës së Tiranës, Teuta Hoxha?! KPA ka njoftuar në faqen e saj të internetit se “ditën e martë, më datë 8 korrik 2025, ora 10:00, do të gjykohet në dhomë këshillimi çështja (JR) nr. 4/2023, datë 2 shkurt 2023, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Teuta Hoxha kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 587, datë 22 nëntor 2022”.
Sipas saj, trupi gjykues për gjykimin e kësaj çështjeje përbëhet nga kryesuese Albana Shtylla dhe relatore Rezarta Schuetz. Anëtarë janë Ina Rama, Mimoza Tasi dhe Natasha Mulaj. Padyshim emra të rëndë, që kanë vendosur deri më tani shkarkimin e dhjetëra gjyqtarëve, prokurorëve, apo ndihmësve ligjore. Por, që kanë konfirmuar dhjetëra të tjerë. Koha kaloi dhe të martën, do të kenë edhe provën e zjarrit; do të kenë integritet apo do të tundohen?!

Pas informacioneve që mbërritën në redaksi për tentativat e njëpasnjëshme për të ndërhyrë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, VoxNews shfletoi edhe vendimin e muajit shkurt 2023 për shkarkimin e gjyqtares Teuta Hoxha. Asnjë paqartësi, pasi mes rreshtave është analizuar se gjyqtarja nuk justifikon qindra mijëra euro si dhe apartamente apo zyra.
Madje, në vendim shkruhet se ajo ka gënjyer se ka qenë me qira, kur në fakt ka qëndruar te një apartament që e ka pasur në pronësi. “Në deklaratën Vetting subjekti ka deklaruar apartament me sipërfaqe 91 metër katrorë. Si pronar ka deklaruar babanë e bashkëshortit. Në disa deklarata vjetore nuk e kishte deklaruar përdorimin dhe në disa kishte deklaruar marrëdhënie qiraje dhe pagesë të qirasë” thuhet në vendim.


Ndërkohë, në vendim shkruhet se familja e gjyqtares ka në pronësi edhe një apartament 57 metër katrorë në Golem, Kavajë. Apartamenti me këtë sipërfaqe është blerë për vetëm 2.1 milionë lekë.
Gjyqtarja është justifikuar se çmimi u ul nga 30 mijë euro në 2.1 milionë lekë për shkak se bashkëshorti i saj, avokat, do të mbronte pronarin e pallatit në disa çështje gjyqësore.
Gjithkush është i habitur për çmimin, por nga analiza financiare që ka bërë KPK gjyqtarja dhe burri i saj nuk i justifikojnë paratë për t’a blerë.

Ndërkohë, familja ka në pronësi edhe një zyrë me sipërfaqe 74.5 m2 në mes të Tiranës. Apartamenti është blerë për vlerën e rreth 9 milionë lekëve në vitin 2008. Vetingu i bëri një analizë të mirëfilltë financiare të ardhurave dhe kursimeve ku arriti në konkluzionin se ka një “pamundësi financiare për blerje apartamenti në vlerën e 6,355,782 lekë”.
Por, nuk mbarojnë këtu shkeljet pasi për blerjen e apartamentit çifti ka deklaruar edhe kontrata huaje me disa biznesmenë dhe pronarë firmash. Këtu nis edhe konflikti i interesit, pasi këta biznesmenë kanë bërë padira në Gjykatën e Tiranës dhe i ka gjykuar pikërisht Teuta Hoxha.
A mos vallë kontratat e huas, kontratat e përfaqësimit të burrit të saj avokatë nga këta biznesmenë, janë “ryshfeti” që i është dhënë?
Dhe tashmë kur shkalla e parë e ka dhënë verdiktin, barra e madhe e integritetit i ka rënë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, ku “ryshfetet” që dyshohet se mori gjyqtarja po tentohen që të riciklohen në KPA.
©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.