Gerian Kuka, biznesmeni nën hetim nga SPAK, Agim Zeqo dhe Ilir Shtufi fitojnë statusin e investitorit strategjik në Korçë

21 July 2023, 14:06Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Gerian Kuka, biznesmeni nën hetim nga SPAK, Agim Zeqo dhe Ilir Shtufi
Ne foto: Biznesmenet Gerian Kuka dhe Agim Zeqo

Qeveria i ka dhënë statusin e investitorit strategjik “Investment and Development Albania” për ndërtimin e një hoteli luksoz në Korçë, duke vënë në dispozicion edhe 10 mijë metra katrorë pronë shtetërore.

“Prona e përmendur vihet në dispozicion për zhvillimin dhe realizimin e projektit investues strategjik “Green House Korça Resort”, me subjekt investues “Investment and Development Albania”, sh.p.k., me NUIS L91703053C” thuhet në vendimin e qeverisë.

Sipas databazës, opencorporate.al kompania zotërohet nga biznesmenët Agim Zeqo, ish presidenti i sport klub Skënderbeu, që është aksioneri më i madh me 40 % të aksioneve, dhe ortakët Gerian Kuka dhe Ilir Shtufi të cilët kanë respektivisht nga 30 % të aksioneve.

Më datë 01/02/2023 Komiteti i Investimeve Strategjike, me vendimin nr 29/ 4, miratoi statusin “Investim/Investitor strategjik procedurë e veçantë”, për projektin e investimit “GREEN HOUSE KORCA RESORT” që parashikon realizimin e investimit në sektorin strategjik të turizmit.

Ky projekt do të zhvillohet nga subjekti “Investment and Development Albania” NUIS L91703053C dhe parashikon ndërtimin e një resorti, që do të ketë në përbërje një hotel me kapacitet total prej 94 (nëntëdhjetë e katër) dhomash, restorante, bare, SP.

Vlera e investimit të projektit të investimit “Green House Korça Resort” i parashikohet të jetë 18,106,741 (tetëmbëdhjetë milion e njëqind e gjashtë mijë e shtatëqind e dyzet e një) Euro. Statusi “Investim/Investitor Strategjik Procedurë e Asistuar” i jepet projektit të investimit “Green House Korça Resort”, për një periudhë 4 (katër) vjeçare.

©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video