Diskutimet në Kuvend/ Deputetët duan rritje rroge, por kanë turp ta kërkojnë

25 April 2023, 20:12Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Diskutimet në Kuvend/ Deputetët duan rritje rroge, por kanë turp
Pamje nga nje seance parlamentare

Komisioni i Ekonomisë ka marrë në shqyrtim projektligjin e dorëzuar nga Qeveria për rritjen e pagave të punonjësve të administratës shtetërore. Ligji është pjesë e strategjisë së njoftuar nga Kryeministri Edi Rama për rritjen e pagës mesatare në shtet në 900 euro brenda dy viteve dhe nuk ka lidhje me vendimet e qeverisë për rritjen e pagave në disa kategori që ka hyrë në fuqi më 1 prill.

Seanca u ndërpre gjatë transmetimit live në faqet e Kuvendit në rrjetet sociale, ndërsa diskutimet u shtynë në komision. Arsyeja zyrtare që u tha ishte për t’u lënë kohë deputetëve që të dorëzojnë amendime.

Në lidhje me përmbajtjen e amendimeve nuk u dha asnjë detaj, por gjatë mbledhjes pa kamera, që zyrtarisht thuhet se ishte për shkak të një problem teknik, deputetët e mazhorancës dhe ata të opozitës janë pajtuar në nevojën që në ligj të parashikohet edhe rritja e rrogës për ta.

Socialistët dhe demokratët kanë rënë dakord në këtë pikë, por ajo që nuk kanë rënë dakord është se kush do ta bëjë amendimi. Asnjëra palë nuk ka marrë publikisht guximin që të propozojë këtë amendim, pasi deputetët i druhen reagimit publik për këtë.

Nga PS presin që propozimin ta bëjnë opozitarët, nga opozita presin që propozimin ta bëjnë socialistët. Mbetet për t’u parë nëse në seancat vijuese do të merret guximi nga njëra palë, apo ligji do të kalojë në komision ashtu siç e ka propozuar qeveria, pa rritje rroge për deputetët.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video