Zgjidhja e konflikteve tregtare / Shqipëria ngre gjykatë arbitrazhi, si do të funksionojë

20 April 2023, 16:57Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Zgjidhja e konflikteve tregtare / Shqipëria ngre gjykatë arbitrazhi,
Kryeministria

Qeveria ka miratuar projektligjin që ngre gjykatat e arbitrazhit në vendin tonë, duke u dhënë mundësi bizneseve mundësi zgjedhjeje në rastet kur kanë mosmarrëveshje.

Projektligji përcakton si kusht themelor që arbitrazhi ngrihet vetëm në rastet kur dy biznese kanë nënshkruar më parë një ujdi që e përcakton atë si një zgjidhje të mundshme për mosmarrëveshjet, duke shmangur në këtë mënyrë gjykatat administrative vendase, apo edhe arbitrazhet ndërkombëtare.

Drafti përcakton se arbitrazhi shqiptar do të funksionojë duke njohur si të drejtën ndërkombëtare private, ashtu edhe legjislacionin shqiptar në fuqi, sipas zgjedhjes që bëjnë mes tyre kompanitë.

Institucioni i arbitrazhit themelohet dhe regjistrohet si person juridik, sipas legjislacionit shqiptar. Ai e fillon ushtrimin e aktivitetit pas regjistrimit në Regjistrin e Institucioneve të Arbitrazhit që do të ngrihet pranë Ministrisë së Drejtësisë.

Vetëm pas regjistrimit një institucion arbitrazhi mund të fillojë të gjykojë mosmarrëveshjet tregtare mes palëve dhe vendimet e tij janë të detyrueshme për zbatim dhe nuk mund të apelohen në gjykatat tradicionale me përjashtim të rasteve ku vërehet shkelje proceduriale.

Gjykatat e Arbitrazhit shqiptar, sipas përcaktimeve të ligjit mund të përbëhen me një, ose më shumë anëtarë, mjafton që numri i trupës të jetë tek. Për ilustrim, shumica e arbitrazheve ndërkombëtare funksionojnë sot me 3 arbitra. Dy zgjidhen nga palët e përfshira në konflikt, ndërsa i treti zgjidhet nga dy anëtarët në fjalë.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video