Bordi i naftës u miratua me sytë mbyllur, pa një studim për çmimet në treg!

10 April 2023, 15:41Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Bordi i naftës u miratua me sytë mbyllur, pa një studim për
Në foto: Biznesmeni Shefqet Kastrati

Qeveria e propozoi me sy mbyllur ngritjen e bordit të kontrollit të çmimeve të ushqimeve, pa pasur një studim të mirëfilltë të tregut dhe ndikimit që kishte te çmimet nisja e luftës në Ukrainë.

Ky është argumenti kryesor me anë të të cilit Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar aktin normative të miratuar një vit më parë për kontrollin e çmimit të ushqimeve në tregje.

Aktet normative të nxjerra nga Qeveria marrin fuqinë e ligjit menjëherë. Por, ndryshe nga ligjet ato shmangin konsultimin publik dhe kalojnë me procedurë të përshpejtuar në Kuvend pasi diskutohen në komisionet përkatëse parlamentare.

Në rastin e bordit të ushqimeve, Kushtetuesja thotë se diskutimet në Kuvend kanë qenë formale dhe të pabazuara në studim të tregut.

“Gjykata evidenton se relacionet shoqëruese të akteve normative të kundërshtuara nuk përmbajnë një vlerësim të ndikimit konkret në tregun kombëtar dhe konsumatorin shqiptar nga situata e krijuar në tregun ndërkombëtar dhe të efekteve të luftës Rusi-Ukrainë në këtë situatë, madje në relacionin e aktit normativ lufta në Ukrainë as nuk përmendet si shkak urgjence”, thuhet në vendimin e zbardhur të Kushtetueses.

Gjykata rrëzoi më 22 shkurt bordin e ushqimeve, ndërkohë që ka ende nën shqyrtim bordin e transparencës për karburantet, i akuzuar për vendosje çmimesh fiktive, që nuk reflektojnë luhatjet e tyre në tregjet ndërkombëtare dhe se është nën kontrollin e oligarkëve.

E njëjta procedurë si bordi i ushqimeve është ndjekur edhe për bordin e karburanteve, ku gjatë shqyrtimit të aktit normativ në Kuvend nuk ka asnjë studim shoqërues në relacion që të sqarojë ndikimet e luftës në Ukrainë.

©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video