Në burg për imazh të drejtësisë, Gjykata e pranon se s’ka prova ndaj Lefter Kokës

15 Prill 2023, 16:42Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Lefter Koka

Provat e paraqitura nga SPAK kundër Lefter Kokës dhe rolit të tij në koncesionin e inceneratorit të Elbasanit nuk e bindën Gjykatën e Posaçme, e cila në arsyetimin e dhënë për caktimin e masës së sigurisë arrest me burg citon edhe imazhin e sistemit të drejtësisë në publik.

Mes materialeve të dosjes, gjykata thotë në vendimin e saj se publiku ka një perceptim sikur sistemi i drejtësisë nuk po bën mjaftueshëm në luftën kundër korrupsionit dhe ky perceptim e besim u ulët që sistemi gëzon mes qytetarëve citohet si argument për mbajtjen e Kokës në qeli.

Por, pse nuk u bind gjykata nga provat e SPAK. Ndaj Lefter Kokës rëndojnë tre akuza, ajo e shpërdorimit të detyrës, korrupsionit dhe e pastrimit të produkteve të veprës penale.

Shpërdorimi i detyrës lidhet me rolin e ndikimin e supozuar nga prokurorët të Lefter Kokës te komisioni 7-anëtarësh i vlerësimit të ofertave, ku Ministria e Mjedisit kishte vetëm 3 anëtarë, pra jo shumicën për vendimmarrje.

Përveç kësaj, të shtatë anëtarët e komisionit, sipas dëshmive të dhëna në SPAK dhe para gjykatës, kur janë pyetur nga prokurorët kanë mohuar njëzëri se ka pasur ndërhyrje, apo ndikim të çfarëdolloji të Lefter Kokës në përcaktimin e llojit të procedurës që do të ndiqej.

Këta dy elementë, pra fakti që Ministria e Mjedisit nuk ka pasur shumicën e anëtarëve në komisionin e vlerësimit të ofertave dhe dëshmitë e shtatë anëtarëve të komisionit që thonë se nuk kanë pasur asnjë ndërhyrje, apo ndikim nga Lefter Koka për përcaktimin e procedurës së koncesionit rrëzojnë gjithë akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Akuza e dytë është ajo e korrupsionit. Lefter Koka akuzohet nga SPAK se ka përfituar para nga një rrjet kompanish përmes lëshimit të faturave fiktive. Por, sipas dosjes prokuroria nuk përcakton dot kohën se kur janë përfituar këto para dhe as lidhjen e këtyre kompanive me ish-ministrin.

Pretendimi i SPAK për faturat fiktive bie nga vetë ekspertiza financiare e prokurorisë së posaçme, që e pranon se investimi në inceneratorin e Elbasanit është kryer, ndërsa në dëshmitë e dhëna të gjithë administratorët e kompanive që akuzohen për lëshim faturash fiktive kanë mohuar lidhjet me Lefter Kokën. Edhe akuza e korrupsionit bie, sipas materialeve që vetë SPAK ka përfshirë në dosje dhe dëshmive të administratorëve.

Akuza e fundit është ajo e pastrimit të produkteve të veprës penale. Kjo akuza lidhet pandashmërisht me akuzën e korrupsionit, që do të thotë se përsa kohë SPAK nuk është në gjendje që të provojë akuzën e korrupsionit, akuza e pastrimit të produkteve të veprës penale bie automatikisht.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video