Deputetja, ministrja dhe zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, për të cilën Prokuroria e Posaçme ka kërkuar në Kuvendin e Shqipërisë që t’i hiqet mandati, ka braktisur Fierin për Tiranën. Në një kohë që numri dy i qeverisë është nën akuzë zyrtare nga SPAK-u, teksa ka edhe masë sigurie ndalim i udhëtimit jashtë Shqipërisë, ajo ka menduar që të sistemojë gjendjen civile.
Aktualisht, Balluku është rikthyer në detyrë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe, kur u duke një betejë e fituar, SPAK-u hapi një tjetër front, kësaj herë duke kërkuar një masë izoluese, teksa po diskutohet arresti shtëpiak apo arresti me burg. Nga ana tjetër, deri më tani, të paktën publikisht, qeveria me në krye Edi Ramën ka mbajtur një qendrim disi mbrojtës, por gjërat mund të evolojnë dhe të ndryshojnë, ku vetë Balluku ka vijuar me masat paraprake.
E gjendur pas kërkesës së SPAK-ut, madje edhe me akuza e prova të reja, Balluku ka menduar që të paktën të ndryshojë adresën e banimit. Nëse Gjykata e Posaçme, pas miratimit të kërkesës së Prokurorisë për t’i hequr mandatin, vendos arrest në shtëpi, Balluku do t’a kryejë këtë masë në banesën në Tiranë dhe jo në Fier, ashtu siç edhe u pa në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Ditën e zgjedhjeve, mediat kapën foto dhe video nga momenti i votimit të zv.kryeministres në qytetin e Fierit. VoxNews ka mësuar se qytetarja Belinda Çlirim Balluku, e datëlindjes 9 tetor 1973, është banuese në Bashkinë e Fierit, lagja “Kastriot”.

Ndryshimet e gjendjes civile u bënë para zgjedhjeve parlamentare, si një masë paraprake dhe për ti shtuar vetes apo të besuarve të saj vota. Të njëjtën masë e morën edhe të besuarit e ministres së Infrastrukturës. Në dokument shkruhet se zonja Balluku votoi në shkollën “Janaq Kilica”, godina e vjetër.

Javët e fundit, ministrja është munduar të sistemojë gjendjen civile, duke qenë se rrezikon edhe një masë sigurie “arrest në shtëpi”. Natyrisht, nëse do vendosej një masë e tillë, menjëherë pas zgjedhjeve, ajo do ta kryente në Fier, në adresën që u regjistrua për të votuar.
Por, situata ka ndryshuar dhe në kërkesën që SPAK-u i ka dërguar Kuvendit me titull “heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministrit, Belinda Balluku”, rezulton se “lindur dhe banuese në Tiranë, e cila ushtron funksionin e deputetit, ministrit, zëvendëskryeministrit të Republikës së Shqipërisë”.
Pra, e ka paraprirë dhe ka menduar që të qëndrojë në Tiranë, gjithmonë nëse pas miratimit të kërkesës, Gjykata e Posaçme vendos një masë të tillë sigurie.

Disa javë më parë, redaksia e VoxNews denoncoi se 8 zyrtarë të lartë të administratës shtetërore, të gjithë vartës besnikë të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, janë shpallur në “kërkim” nga qytetarët e thjeshtë. Ata janë njerëzit e ngushtë të zv.kryeministres, ndaj të cilës Prokuroria e Posaçme ngriti akuzë zyrtare duke e marrë të pandehur, por që prej veprimit të SPAK-ut të gjitha janë larguar nga zonat zgjedhore.
VoxNews ka mësuar se 8 besnikët kanë qenë në role drejtuese në 4 rajone në Fier, duke mbuluar çdo territor dhe duke koordinuar një grup të madh zyrtarësh qendrorë dhe lokalë, para, gjatë dhe pas zgjedhjeve. Makineria shtetërore u stacionua disa muaj para zgjedhjeve të 11 majit në Fier, duke marrë kontrollin e gjithçkaje.
VoxNews ka siguruar ekskluzivisht listën e brendshme të Partisë Socialiste të Fierit, ku rezulton se rajoni numër 1 kryesohej nga Diana Gjonçaj, nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Klodjan Mema, ish-drejtor i Ujësjellës Kanalizimeve në Fier. Në rajonin numër 2 ishin emëruar Evis Mamaj, drejtor i Financave në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Endrit Yzeiraj, zëvendësministër i Ekonomisë.
Në rajonin numër 3 ishte një emër i njohur, Spartak Kovaçi, ish-drejtor i Ujësjellësit në Durrës. Në të njëjtin rajon, ishte edhe një kryepatronazhiste e fuqishme si Blerta Guxha, drejtoreshë e Përgjithshme e Tatimeve. Në rajonin numër katër ishin bashkëkryetarë Arta Gurabardhi, nëndrejtoreshë në KESH-it dhe Besjan Kadiu, zv.ministër në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.