Oligarkët Shapllo dhe Orgocka fituan miliona euro duke helmuar Elbasanin, tendera të paracaktuar dhe lidhje politike

15 Dhjetor 2025, 21:27Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Oligarkët Shapllo dhe Orgocka fituan miliona euro duke helmuar Elbasanin

Një aksion i vonuar i Policisë së Elbasanit ka faktuar me dokumente ndotjen alarmante në zonën e Metalurgjikut. Prej shumë vitesh, firma të caktuara digjnin në natyrë dhe pa asnjë masë mbrojtëse lëndë djegëse, duke helmuar qindra mijëra banorë të të gjithë qytetit apo edhe të zonave përreth. Ndotja shkonte deri në Cërrik apo Peqin, teksa e gjithë zona mbulohej nga re të mëdha tymi. Por, institucionet shtetërore, pushteti lokal apo inspektoriatet e mjedisit, as nuk merrnin mundimin ta ndalonin këtë ndotje galopante.

Në një njoftim për shtyp, Policia e Shtetit tha se e kishte monitoruar zonën prej 2 vitesh, teksa duket mjaft e çuditshme mungesa e ndërhyrjes. Nëse efektivët e policisë shihnin materiale duke u djegur në natyrë, që nxirrnin shtëllunga të mëdha tymi apo bloze, përse nuk ndërhynin?! Natyrisht që precedenti i KURUM-it rëndonte edhe në firmat e tjera që operojnë në zonë, të cilat pa asnjë përjashtim janë bërë një burim i madh i ndotjes, që asnjë qeveri nuk ka marrë guximin për ta ndalur.

Një projekt i Korporatës së Investimeve Shqiptare synon rehabilitimin dhe dhënien në përdorim të truallit të Metalurgjikut, por deri më tani projekti është në letra dhe asnjë veprim s’është marrë. Ndoshta oligarkë të tjera ia kanë vënë syrin, duke qenë se zona është në afërsi të Tiranës apo edhe vetë Portit të Durrësit. Ndoshta mund të ketë qenë edhe një operacion i sponsorizuar, por ajo që bie erë është se dy oligarkë të tjerë, të cilët fitojnë dhjetëra miliona euro në vit, arritën që të vijonin të punonin në atë zonë duke helmuar Elbasanin.


Në video: Ndotja alarmante e Metalurgjikut në Elbasan, nga dy firma e dhjetëra punonjës shtetëror dhe privatë

VoxNews ka mësuar se mes emrave që janë shpallur në kërkim janë as më pak e as më shumë por Agron Shapllo dhe Serafin Orgocka, të cilët kanë krijuar një rrjet firmash në fushën e energjisë, atë elektrike apo edhe në fushën e metaleve. Të dy janë aksionerë të firmës “GSA”, teksa kjo firmë ka hapur edhe një nënfirmë me emrin “GSA Ferrokrom”. Firma e ferrokromit vepronte në zonën e Metalurgjikut dhe është përgjegjëse për veprimtarinë e saj aspak ligjore, por në shkelje të plotë të të gjitha ligjeve dhe rregulloreve të natyrës.

“Djegia që bëhej kryesisht natën, në qiell të hapur dhe brenda ambienteve të oborrit të kompanisë. Tymi i rëndë dilte gjatë çdo nate brenda kompanive ‘ÇALB’ shpk dhe ‘GSA Ferrokrom’. Për disa muaj me radhë janë mbledhur prova të mjaftueshme të aktivitetit shkatërrues të mjedisit. 16 persona u arrestuan në akuzë për ushtrim të aktivitetit të paligjshëm në përpunimin e mbetjeve dhe prodhimin e ferrokromit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Mësohet se 9 persona janë të huaj dhe 7 të shqiptarë, në role drejtuese, teknikë dhe punonjës në të dy subjektet. Në kërkim janë shpallur 8 persona, aksionarë të dy kompanive që helmuan Elbasanin për të paktën 2 vite me radhë. Ata janë në akuzë për 4 vepra penale, nga ndotja e ajrit, ujërave dhe e tokës, fshehja e të ardhurave, punësimi i paligjshëm dhe pastrimi i parave, kryer në bashkëpunim. Deri më tani, policia nuk ka asnjë informacion për Shapllon dhe Orgockën, pronarë të GSA-së.

Oligarkët Shapllo dhe Orgocka fituan miliona euro duke helmuar Elbasanin,
Faksimile: Në vitin 2024, kompania mëmë GSA doli me një fitim prej 2.5 milionë euro

Burime nga Policia e Shtetit thanë për VoxNews se dy pronarët e GSA Ferrokrom janë amnistuar për vite me radhë, për shkak se kanë pasur dhe kanë lidhje të forta politike. Ata kanë krijuar një rrjet të mirëfilltë firmash, duke marrë me lehtësi tendera dhe duke vijuar aktivitetin në fushën e metaleve. Të dy, kanë xhiruar miliona euro në dëm të qytetarëve të thjeshtë, nga ky aktivitet.

Hetimet e policisë patjetër duhet të shtrihen te fitimet e firmave të tyre. Helmimi i elbasanllinjve ka qenë tepër fitimprurës për ta, pasi në vitin 2024 firma mëmë GSA ka dalë me një fitim prej 2.5 milionë euro.

Oligarkët Shapllo dhe Orgocka fituan miliona euro duke helmuar Elbasanin,
Faksimile: Në vitin 2024, firma që helmoi Elbasanin doli me një fitim prej 1.7 milionë eurosh

Normalisht që helmimi i elbasanllinjve ka një kosto të madhe, qoftë shëndetësore dhe të natyrës. Organet ligjzbatuese duhet të vendosin sekuestro ndaj firmës, duke e detyruar që të paguajë të gjithë fitimin. Ky fitim mund të përdoret më pas në investime në spitale, çerdhe apo shkolla. Megjithatë një gjë e tillë ka pak gjasa të ndodhë, pasi si në çdo rast, njerëzit me pushtet apo me para ia hedhin paq drejtësisë, për të mos thënë se ndoshta Shapllo dhe Orgocka i kanë rregulluar “letrat” gjatë shkrimit të këtyre radhëve.

Në bilancin e vitit 2024, firma GSA Ferrokrom doli me një fitim prej 1.7 milionë eurosh. Me kaq para rregullohen disa qendra shëndetësore apo edhe kopshte dhe çerdhe. Por, duket se paratë mund të jenë të destinuara për vetë organet ligjzbatuese, mbylljen e proceseve hetimore apo gjyqësore.

Oligarkët Shapllo dhe Orgocka fituan miliona euro duke helmuar Elbasanin,
Faksimile: Shapllo dhe Orgocka u denoncuan disa javë më parë nga VoxNews se për 3 vite fituan 10 milionë euro të paracaktuara

Disa muaj më parë, redaksia e VoxNews denoncoi me dokumente se dy oligarkët e rinj kanë fituar tendera të paracaktuar, kryesisht nga institucionet që prodhojnë, transmetojnë dhe tregtojnë energjinë elektrike. Firma GSA ka fituar lehtësisht tendera të shpallura nga OSSH, OSHEE dhe OST, të cilat janë kompani shtetërore. Të gjitha tenderët i ka fituar pa garë dhe me dyshime të forta të paracaktuara.

Sipas dokumenteve që ka hulumtuar redaksia e VoxNews, dy oligarkët që renditen në top 10-shën e njerëzve më të pasur në Shqipëri, për 3 vite kanë marrë nga këto institucione plot 10 milionë euro. Dokumentet e hartuara nga këto institucione duket se i janë përshtatur më së miri GSA-së, e cila dita-ditës po zgjerohet edhe në fusha të tjera, duke u kthyer në një “lavatriçe” të mëdha të parave.

Duket se, drejtorët e institucioneve që prodhojnë, transmetojnë dhe tregtojnë energjinë, i përshtasin dokumentet si ti duan Shapllo dhe Orgocka. GSA-ja renditet kompania më e madhe që blen energjinë nga KESH dhe më pas ia shet OSHEE-së. Por, ajo shet dhe bën biznes me OSHEE-në për matësat e energjisë elektrike. Madje, e njëjta firmë bën edhe mbikëqyrjen e procesit. Nëse një firmë private i bën të gjitha këto, për çfarë shërbejnë zyrat shtetërore? Apo për të bërë dokumente dhe për të shpërndarë paratë sipas interesit të tyre.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.



Video