Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, për t’i hequr pezullimin nga detyra ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, vetëm sa ka zvarritur agoninë. Institucioni që duhet të sigurojë zbatimit e vetë dokumentit themeltar të funksionimit të shtetit, ka dhënë një vendim sa absurd, qesharak apo edhe skandaloz.
Masa e sigurisë “pezullim nga detyra”, e dhënë nga Gjykata e Posaçme, ishte në fakt që masë shtrënguese që të mos cënohej hetimi apo edhe provat, që ndodhen në ministrinë e Infrastrukturës apo edhe në Autoritetin Rrugor Shqiptar. Por, që të pezullosh pezullimin, pezullim i cili është bërë për të garantuar procesin e rregullt të gjyqësorit, vetëm në këtë vendin tonë të vogël mund të ndodhë!
Vendimi i Gjykatës së Posaçme ishte që të mos dëmtohej pjesa e hetimit, pasi vetë koncepti që pezullohesh është që të mos dëmtohen interesat, mos të cënohen provat, dëshmitë. Drejtësia apo hetimet duhet të liheshin të lira, deri në fund të rrugëtimit. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i datës 12 dhjetor 2025, nuk ka një precedent, jo vetëm në Shqipëri, por zor se mund të ketë në vendet demokratike ku ne aspirojmë që të jemi në të ardhmen.
Precedenti i vendosur nga Kushtetuesja i hap “rrugë” qeverisë që të ankimojë vendime të veçanta, kur preken anëtarët e saj, në Kushtetuese. Madje, i hap rrugë edhe vetë të pandehurve që t’i drejtohen gjykatës “roje” të Kushtetutës!
Megjithatë, më shumë sesa një vendim përfundimtar, kalimi në shqyrtim i ankesës së qeverisë është vetëm një “sigurim padie”, çka do të thotë se, përveç rikthimit në detyrë të Belinda Ballukut, asnjë e re s’ka ndodhur. Dosja është nën hetim, dy drejtorët e saj, ai i ARRSH-së apo KESH-it vijojnë të jenë me masë sigurie “arrest shtëpie”. Madje, edhe statusi ligjor i zonjës Balluku vijon të jetë “e pandehur”, e akuzuar për dy episode kriminale.
Vendimi i Kushtetueses ka zgjatur më shumë agoninë, ka ngritur shumë pikëpyetje dhe një mori absurditetesh. Por nëse rrëzohet masa e pezullimit nga detyra, siç u rrezua në “sigurimin e padisë”, dhe Prokuroria e Posaçme kërkon një masë tjetër sigurie dhe gjykata e aprovon arrest në shtëpi apo me burg (nëse jep lejen Parlamenti), a do t’a zbatojë policia?!
Më shumë sesa një fitore, vendimi i Kushtetueses është “fitim kohe” nga mazhoranca për riformatimin e qeverisë. Provat janë evidente, dosja është e plotë dhe Kushtetuesja vetëm sa ka kaluar për shqyrtim një kërkesë absurde të qeverisë.
Kjo kohë duhet t’i shërbejë vetë “të pandehurës” apo eprorit të saj, që të vendosin pikat mbi “i”. Nëse dje ankoheshin që s’ka kush zëvendëson drejtorin e ARRSH-së apo të KESH-it, tashmë ministrja “e pandehur” mund të urdhërojë shkarkimin dhe zëvendësimin e tyre. Më pas, i takon kryeministrit që të shkarkojë dhe të emërojë pasardhësin e vetë ministres Balluku.
Nëse Balluku apo edhe vetë Rama e fituan këtë betejë, ndoshta e fitojnë edhe betejën tjetër të 22 janarit, a do t’i shpallin luftë totale Prokurorisë së Posaçme? A do t’i dalin kundër Amerikës apo edhe BE-së që mbështesin fuqimisht SPAK-un?!
Më shumë sesa një fitore, Kushtetuesja duket se ka plotësuar një dëshirë të vetë kryeministrit, i cili duke u ndjerë i detyruar në takimin shumëorësh me Ballukun, vendosi të bëjë kundërpadi për t’a mbrojtur. Por, koha kalon dhe ashtu siç është treguar edhe më të tjerë, për të s’kanë rëndësi emrat, por jetëgjatësia në pushtet, që me këtë opozitë, zor se largohet para kohe apo në mandatin e ardhshëm.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.