Vendimin për të rrëzuar pezullimin nga detyra të zëvendës/Kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, Gjykata Kushtetuese e ka shoqëruar me një arsyetim të kritikuar dhe me gjasë ka shpërfillur precedentë të ngjashëm në të shkuarën.
Sipas shumicës së gjyqtarëve kushtetues, pezullimi i Ballukut rrezikon të sjellë pasoja që prekin interesat shtetërorë gjatë ushtrimit të kompetencave kushtetuese të pushtetit ekzekutiv në drejtim të përcaktimit të politikave të përgjithshme shtetërore.
E thënë më troç: Gjykata Kushtetuese na thotë në vendim se Kryeministri Edi Rama është i zëvendësueshëm, sa kohë që në masë të madhe mbledhjet e Qeverisë i ka drejtuar Belinda Balluku, por zëvendësja e tij, që është po Belinda Balluku është e pazëvendësueshme dhe se pezullimi i saj na shkakton avari shtetërore.
Ky është përfundimi logjik nga arsyetimi i gjykatës. Tani të kalojmë te precedenti që Kushtetuesja e ka anashkaluar. Në fund të vitit 2018 dhe fillim të vitit 2019 ishte kulmi i përplasjes mes Kryeministrisë dhe Presidencës, që në atë kohë drejtohej nga Ilir Meta. Përplasja ishte pothuajse në çdo front. Një front ishte politika e jashtme. Edi Rama kishte çuar për dekretim si ministër të Jashtëm emrin e Gent Cakajt. Meta e refuzoi me arsyetimin se nuk përmbush kriteret ligjore. Në janar të 2019, Rama e zgjidhi ngërçin duke çuar emrin e vet për t’u dekretuar si ministër i Jashtëm dhe pasi mori dekretimin e Metës i delegoi kompetencat e ministrit te Gent Cakaj.
Shembulli mbase nuk është identik, por rasti ‘Cakaj’ na tregon se Kushtetuta dhe legjislacioni në fuqi ka parashikuar mekanizmat për të dalë nga ngërçet e këtij lloji dhe se këto mekanizma u shpërfillën nga pesë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.