
Për të katërtin vit me radhë, shumica e shqiptarëve besojnë se korrupsioni është kërcënimi kryesor për sigurinë kombëtare, duke lënë pas krimin e organizuar, vjedhjet e rëndomta, apo kërcënime të tjera rajonale.
Një anketim kombëtar i titulluar “Barometri i Sigurisë së Shqipërisë”, zbatuar nga Qëndra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes me mbështetjen e fondacionit gjerman “Friedrich Ebert Stiftung”, u prezantua të martën paradite.
Sipas anketimit shumica dërrmuese e qytetarëve, prej 39.3 për qind perceptojnë se korrupsioni është kërcënimi më serioz për sigurinë, ndjekur nga lufta me vendet fqinje si kërcënimi i dytë më serioz me 30.2 për qind.
Në pyetje janë marrë 1110 qytetarë në të 61 bashkitë e vendit në periudhën mars-prill. Më shumë se gjysma mendojnë se në pesë vitet e fundit korrupsioni është rritur ndjeshëm, ndërkohë që qytetarët mendojnë se qeveria nuk është serioze në angazhimin e saj për ta luftuar korrupsionin. Sipas anketës 45% e të anketuarve mendojnë se korrupsioni është rrënjosur aq thellë sa denoncimi i tij nuk do të sillte ndryshim.
Shkaqet kryesore të korrupsionit në vendin tonë sipas perceptimit të qytetarëve janë institucionet e dobëta dhe pushteti i oligarkëve. Tre të katërtat e qytetarëve fajësojnë politikanët për nivelin e korrupsionit.
Shumica e qytetarëve besojnë se organizatat kriminale përdorin korrupsionin për të kapur institucionet publike dhe vendimmarrjen e tyre.