A po rikthehet ligji "Anti-shpifje"? PS ngre komision parlamentar për dezinformim!

3 Prill 2024, 11:25Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kryeministri Edi Rama

Ditën e sotme është mbledhur Konferenca e Kryetarëve në kryesinë e Kuvendit.

rendin e ditës është për diskutim edhe ngritja e komisionit parlamentar për dezinformimin dhe ndërhyrjet e huaja në Shqipëri.

Partia Socialiste i ka paraqitur një kërkesë Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë për krijimin e një komisioni të posaçëm parlamentar me fokus koordinimin dhe mbikëqyrjen e të gjitha përpjekjeve institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike në Shqipëri.

Përmes një deklarate për mediet, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi, bëri të ditur se Komisioni i Posaçëm do të zbatojë një qasje holistike dhe afatgjatë për adresimin e ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike.

Ky Komision i Posaçëm parlamentar vjen pas marrëveshjes ndërmjet Shqipërisë dhe SHBA-ve, rekomandimet e BE-së dhe deklaratës së Samitit Ukrainë-Evropë Juglindore mbajtur në Tiranë.

Sipas tch, në krye të këtij komisioni mund të jetë ish-zëvendës kryeministri, Erion Braçe ose ish-kryeministri, Pandeli Majko.

Një vit më parë qeveria shqiptare u tërhoq zyrtarisht nga ligji anti-shpifje.

Ish-kryetari i Grupit Parlamentar të Socialistëve, Taulant Balla, gjatë punimeve të Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asocimit BE-Shqipëri tha se qeveria ka hequr dorë.

“Qeveria e ka tërhequr ligjin anti-shpifje. Tërheqja e ligjit i është komunikuar konferencës së kryetarëve dhe është pranuar, ashtu si edhe gjatë seancës plenare. Kjo verifikohet lehtësisht”, theksoi Balla.

Ligji anti-shpifje

Në vitin 2018 kryeministri shqiptar Edi Rama propozoi dy ndryshime në ligjin e medias që preknin median online përmes një pakete të njohur si anti-shpifja.

Në të përfshihej detyrimi i portaleve për t’u regjistruar, gjoba të larta kur konsumohej shpifja dhe ngritja e Këshillit të Ankesave si pjesë e AMA-s dhe disa rregulla të tjera.

Propozimet shkaktuan pakënaqësi e kundërshtime nga ndërkombëtarët.

Përpjekjet për ndryshimin e ligjit mori disa rekomandime aspak në favor të qeverisë nga Komisioni Venecias në vitin 2019.

©CopyrightVoxNews

Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video