A i shpëton dot Shqipëria gjobës me dënimin e Beketit?

28 February 2022, 18:33Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
A i shpëton dot Shqipëria gjobës me dënimin e Beketit?
Biznesmeni italian Francesco Becchetti dhe kryeministri Edi Rama

Fill pas vendimit të Arbitrazhit të Bankës Botërore, pranverën e vitit të kaluar, ku Shqipëria u gjobit me 100 mln euro në procesin gjyqësor ndaj Françesko Beketit, biznesmeni kontravers italian nisi proceset e përmbarimit në disa vende europiane në përpjekje për të vjelë gjobën e majme.

Në Austri, Belgjikë dhe Holandë u kërkuan fillimisht informacione mbi asete të mundshme të shtetit shqiptar dhe sekuestrimin e tyre. Sekuestrimi më i bujshëm ishte ai i llogarive të AlbControl në Eurocontrol në Bruksel, sipas një urdhri të një gjykate belge.

Përmes Avokaturës së Shtetit dhe zyrave ligjore ndërkombëtare të kontraktuara nga kjo Avokaturë, Shqipëria është përpjekur që t’i kundërshtojë këto vendime. Tani, për të kundërshtuar Beketin dhe gjobën e vendosur, pala shqiptare ka ndërmend që të përdorë edhe faktin që biznesmeni italian u dënua me 17 vite burg nga drejtësia shqiptare për evazion fiskal, skemë mashtrimi me TVSh dhe fshehje pasurie.

Burime të voxnews.al, familjarë me dosjen e Beketit në Avokaturën e Shtetit thonë se shpresat që ky dënim të ndikojë te gjykatat e huaja janë të vakta, por fakti do të përdoret, duke filluar që me një gjykatë Apeli në Belgjikë, për të kundërshtuar bllokimin e llogarive të AlbControl.

Burimet thonë se pritshmëritë e ulëta lidhen me faktin që vendimet e drejtësisë shqiptare nuk gëzojnë një ‘imazh’ të mirë te gjykatat europiane dhe si shembull sjellin vendimin e gjykatave britanike.

“Kur Shqipëria kërkoi ekstradimin e Beketit për t’u përballur me këto akuza që u dënua me burg, gjykatat angleze e rrëzuan kërkesën për ekstradim duke arsyetuar se procesi ishte i nxitur politikisht”, thonë burimet.

Nga ana tjetër, burimet thonë se duhet pasur parasysh edhe faktin që mes dy çështjeve, pra mes Arbitrazhit ndërkombëtar dhe dënimit të Beketit nga pala shqiptare ka një diferencë të mëdha, sepse procesi i parë është krejtësisht civil dhe buron nga një kontratë e nënshkruar mes qeverisë shqiptare dhe biznesmenit italian. Çështja e dytë është një çështje penale.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video