Rusia bllokon rezolutën shqiptaro-amerikane në KS, Kina abstenon

26 February 2022, 08:05Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Rusia bllokon rezolutën shqiptaro-amerikane në KS, Kina abstenon

Rusia ka vendosur veton ndaj një rezolute shqiptaro-amerikane në Këshillin e Sigurimit, që dënonte ofensivën e ushtarake në Ukrainë dhe i bënte thirrje Kremlinit që të urdhëronte menjëherë tërheqjen e trupave prej andej.

Mbledhja u shoqërua me debate dhe zgjati për më shumë se katër orë.

Në të, Ambasadorja e SHBA në KS, Linda Thomas i kërkoi homologut të saj rus, Vasili Nebenzia që të tërhiqej nga posti i Presidentit të Këshillit të Sigurimit, që i takon sipas radhës periodike këtë post.

SHBA u përpoq që të përjashtonte Rusinë nga votimi për këtë rezolutë, me arsyetimin se Rusia ishte agresorja. Por, nuk gjeti mbështetjen e nevojshme në KS për ta bërë këtë. Rusia tha se rezoluta ishte antiruse dhe vijim i propagandës së Perëndimit kundër saj.

Ndërkohë, Kina zgjodhi të abstenojë në këtë rezolutë. Rezoluta e propozuar nga Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së i kërkonte Rusisë që të ndalojë menjëherë të gjitha veprimet ushtarake në Ukrainë dhe të anulojë të gjitha vendimet e veprimet e ndërmarra pas 2014-s, përfshi këtu edhe aneksimin e Krimesë.

Draftrezoluta dënon deklaratën e luftës së Presidentit rus, Vladimir Putin dhe shpreh shqetësime të mëdha për raportimet e humbjeve të jetës së civilëve. Ajo vëren se situata në Ukrainë përbën një shkelje flagrante të ligjit, paqes dhe sigurisë ndërkombëtare dhe se Rusia ka kryer akte agresioni ndaj Ukrainës.

Rezoluta njeh sovranitetin, pavarësinë, unitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës sipas kufijve që njihen ndërkombëtarisht. Rusia duhet të ndalë menjëherë përdorimin e forcës ndaj Ukrainës dhe të vetëpërmbahet në gjuhën kërcënuese, apo të përdorimit të forcës ndaj kundrejt anëtarëve të tjerë të OKB-së.

Rezoluta kërkonte që Rusia të tërhiqet jo vetëm nga Kievi, por edhe nga Krimea, Luhansku dhe Donetsku dhe t’ja kthejë këto rajonë Ukrainës. Drafti u bënte thirrje të gjitha palëve që të rinisin sa më parë bisedimet e paqes dhe të respektojnë marrëveshjen e Minskut.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 


Video