Si u shfrynë 430 mln eurot e ‘aferës’ së inceneratorëve

23 February 2022, 22:53Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Si u shfrynë 430 mln eurot e ‘aferës’ së
Kryeministri Edi Rama gjatë dëshmisë së dhënë para Komisionit Hetimor parlamentar për inceneratorët

Dëshmia e gjatë e Kryeministrit Edi Rama para Komisionit Hetimor parlamentar për inceneratorët u karakterizua nga shifra kontradiktore të hedhura mes palëve.

Kur kryetarja e Komisionit, Jorida Tabaku i përmendi pak pas nisjes së dëshmisë shifrën prej 430 mln eurosh, sipas saj, aferë korruptive që u merren shqiptarëve, kreu i Qeverisë i kërkoi shpjegime se nga dilte kjo shifër.

Duke iu referuar shkresave që kishin në tryezë të dyja palët, shifra u ul në më pak se 100 mln euro dhe këtu Tabaku e ndryshoi qëndrimin duke u ndalur te inceneratori i Tiranës, që sipas saj në kundërshtim me kontratën kishte marrë për ndërtim fonde nga buxheti i shtetit.

Sipas llogarive të Tabakut, 24.7 mln euro ishin dhënë për inceneratorin e Elbasanit, 30.6 për inceneratorin e Fierit dhe pjesa tjetër që i afrohej totalit prej 100 mijë eurosh ishte shuma për inceneratorin e Tiranës.

Rama i konfirmoi këtu dy shifrat e para, por shifra e tretë për shifrën e tretë për inceneratorin e Tiranës akuzoi Tabakun se po keqinformonte me dashje publikun. Ai tha se pagesa për këtë incenerator është 36.9 mln euro, por jo për ndërtimin e këtij inceneratori, por si pagesa për shërbimin e ofruar nga kompania; atë të grumbullimit dhe depozitimit të mbetjeve të Tiranës, Durrësit e Kavajës.

Shifra tjetër e përmendur nga Tabaku ishte 45 mln euro për dherat. Edhe këtu, Rama i kërkoi kryetares së Komisionit Hetimor se nga buronte kjo shumë. Deri në fund të seancës dëgjimore, Tabaku nuk ishte në gjendje që të dorëzonte një dokument.

Në fund, Kryeministri akuzoi PD se po fantazonte me shifrën 430 mln euro, duke përfshirë brenda kësaj shume edhe paratë që shteti do të paguajë për depozitimin e mbetjeve në inceneratorin e Tiranës deri në vitin 2047, kur përfundon koncesionit 30-vjeçar.

Pas mbylljes së seancës, Rama doli në një konferencë për gazetarët, ku paralajmëroi se do të padisë për shpifje në gjykatë Jorida Tabakun, por sapo të përmbyllen hetimet e SPAK, për të mos interferuar në këto hetime.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video