Pas vendimit të Kushtetueses, Meta bëhet më amerikan se Yuri Kim

21 February 2022, 20:54Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

 

Pas vendimit të Kushtetueses, Meta bëhet më amerikan se Yuri Kim

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që nuk e shkarkoi nga detyra, presidenti Ilir Meta ka ndryshuar tërësisht fjalor ndaj Shteteve të Bashkuara Amerikës.

Duket se në Pallatin Presidencial fryn një erë më amerikane sesa në selinë e Rrugës së Elbasanit.

Presidenti Meta ka zbuluar se sot se është Dita e Presidentëve, një festë zyrtare e SHBA, në nderim të Presidentit të Parë, George Washington dhe ka shkruar një himn të vërtetë për presidentët amerikanë.

Për më tepër lexoni shënimin e presidentit Meta:

“TA DUAM KUSHTETUTËN TONË, SIÇ E DONTE GEORGE WASHINGTON KUSHTETUTËN E VENDIT TË TIJ!

Sot, me rastin e Ditës së Presidentëve, një festë zyrtare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendosur në nderim të Presidentit të Parë, George Washington, kujtojmë me nderim dhe mirënjohje të gjithë krerët e shtetit amerikan të cilët kanë lënë një shembull dhe trashëgimi drejtimi tejet frymëzuese.

Kujtojmë në veçanti Presidentin Woodrow Wilson i cili nuk e pranoi ndarjen e Shqipërisë duke luajtur një rol vendimtar në Pavarësinë e vendit tonë.

Presidentët Reagan dhe Bush i Parë që punuan pa reshtur për rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri, Europë dhe kudo në botë.

Nderojmë sot Presidentin Bill Clinton, mikun e madh të kombit tonë, i cili udhëhoqi energjikisht nismat vendimtare për ndalimin e gjenocidit të regjimit kriminal të Millosheviçit ndaj popullit të Kosovës.

Kujtojmë vizitën historike të Presidentit George W. Bush në vitin 2007, i pari kryetari shteti i SHBA që vizitoi Shqipërinë dhe që lajmëroi nga Tirana shpalljen e Pavarësisë së Kosovës.

Mirënjohje të gjithë krerëve të SHBA për kontributin e vyer të dhënë për forcimin marrëdhënieve të shkëlqyera me vendin tonë.

Shqipëria është e vendosur për të qëndruar krah për krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke ndarë vlerat e përbashkëta euro-atlantike dhe demokratike, në të mirë të interesit të përbashkët të dy popujve tanë miq, si dhe për të zhvilluar akoma edhe më tej lidhjet tona strategjike!”


Video