Në PS pllakos heshtja dhe nis gjetja e fajtorit për Metën

17 February 2022, 13:20Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Në PS pllakos heshtja dhe nis gjetja e fajtorit për Metën
Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj në Kuvend

Në Partinë Socialiste ka pllakosur heshtja pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të mos shkarkuar Ilir Metën.

I vetmi që ka folur pak pas këtij vendimi është kreu i grupit parlamentar, Taulant Balla, që për të mbuluar dështimin e akuzave e pretendimeve të forta që ngritën kundër Presidentit në parlamentin e kaluar më shumë se sa gjeti mangësi, shpiku ‘anën pozitive’.

Balla e lexoi vendimin si dëshmi që rrëzon akuzat e opozitës dhe të vetë Ilir Metës se mazhoranca ka kapur Gjykatën Kushtetuese.

Por, pavarësisht kapjes pas fijes së barit që ‘zbuloi’ Balla brenda partisë po vlojnë ujërat, jo sepse nuk u shkarkua Meta, por sepse e gjithë retorika, akuzat, investimi me Komision Hetimor Parlamentar me një raport prej 96 faqesh ranë me një goditje çekiçi.

Deri para këtij vendimi socialistët ishin të bindur se Meta duhej shkarkuar dhe do të shkarkohej, aq sa ata nuk flisnin vetëm për shkarkim, por edhe për ndjekje penale për nxitje dhune në rastin e deklaratës së bërë prej Metës para 25 prillit për ‘kapje sfurqesh në mbrojtje të votës’.

Por, vendimi thuajse unanim i Gjykatës Kushtetuese, ku mes të tjerave kundër raportit të Kuvendit thuhet se ka votuar edhe anëtarja Fiona Papajorgji, të cilën Meta e ka paditur në KPA për çështjen e zgjedhjeve të vendore të 30 qershorit shkërmoq të gjitha pritshmëritë e retorikën e socialistëve.

Kjo është arsyeja, që sipas burimeve të Voxnews.al, brenda Partisë Socialiste po kërkohet fajtori dhe burimet thonë se për të gjetur fajtorin ka nisur edhe gjuetia e shtrigave. ‘I dyshuari’ kryesor, sipas burimeve, është Fatmir Xhafaj, që dyshohet se ka dhënë orientimin në Gjykatën Kushtetuese për të mos e shkarkuar Metën.

Që Fatmir Xhafaj është parë si ‘mish i huaj’ brenda Partisë Socialiste pas 25 prillit kjo nuk është gjë e re dhe dyshohet se ‘klane’ brenda socialistëve, të njëjtat që e vendosën të 23-n në listën e Tiranës në zgjedhjet e 25 prillit po i mveshin edhe sot përgjegjësinë e dështimit të shkarkimit të Metës në Kushtetuese.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video