SHBA shpall ‘non grata’ Ilir Metën...nga rrjetet sociale

16 February 2022, 18:54Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

SHBA shpall ‘non grata’ Ilir Metën...nga rrjetet sociale

Zërat se Presidenti Ilir Meta do të shpallet non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës pa zbritur ende mirë nga shkallët e Presidencës janë shtuar këto ditë dhe këta zëra i ka ushqyer edhe vetë politika, njëri prej të cilëve Lulzim Basha.

Por, nëse ligjërisht dhe publikisht Ilir Meta nuk është shpallur ende non grata, nga rrjetet sociale, të paktën Ambasada Amerikane në Tiranë e ka bërë.

Ambasadorja Yuri Kim postoi këtë të mërkurë një reagim pas dekretimit që Meta i bëri gjyqtares Arbena Ahmeti si anëtare në Gjykatën e Lartë. Reagimi shoqërohej me linkun nga faqja zyrtare e Presidencës, por reagimin e Ambasadores shmanget emri i Ilir Metës.

“Mirëpresim bashkëpunimin e vazhdueshëm mes institucioneve drejt zbatimit të reformës në drejtësi, përfshirë emërimin nga Presidenca të gjyqtarit të dhjetë të Gjykatës së Lartë. Kjo rrit funksionimin e Gjykatës së Lartë për të mundësuar që Gjykata e Lartë të emërojë anëtarët në Gjykatën Kushtetuese”, shkruan Kim në Twitter.

Ambasadorja shmang si përdorimin e emrit, ashtu edhe “tag”-un për Ilir Metën, i cili gjithashtu ka një llogari zyrtare në këtë rrjet social, e të cilin Yuri Kim i bënte ‘tag’ gjatë postimeve që lidheshin me aktualitetin politik në Shqipëri, si në rastin e 28 nëntorit 2020.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video