Fermerët “vlojnë” në gjithë vendin, Ministria: Realizuam 100 për qind planin

15 February 2022, 20:25Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Fermerët “vlojnë” në gjithë vendin, Ministria:

Fermerët po vlojnë anembanë Shqipërisë me protesta e thirrje drejtuar shtetit që të ndërhyjë për të shkatërruar monopolet e tregtarëve, ulë taksat e ndihmojë me skemat e subvencionimit, ndërsa Ministria e Bujqësisë mburret me realizimin 100 për qind të planit të dëgjesave publike.

Në një raport të sajin për konsultimin publik, Ministria e Bujqësisë thotë se ka realizuar planin e vet me dëgjesat e organizuar për tre projektligje, që u miratuan gjatë vitit 2021.

Sipas raportit, MBZHR ka konsultuar 3 akte: Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.105/2016, "Për mbrojtjen e bimëve”. Projektvendim “Për zonat e përcaktuara për akuakulturë” dhe Projektligji “Për organizimin dhe funksionimin e grupeve vendore të veprimit”.

Që të tre projektligjet e konsultuara me grupet e interesit, sipas Ministrisë, lidhen pak ose aspak me fermerin e thjeshtë.

Tallja vazhdon edhe më tej, kur MBZHR thotë se për vitin 2021 ka patur 1182 vizitorë nga publiku dhe se do ta tejkalonte këtë shifër po të mos ishte pandemia.

“Situata e krijuar nga pandemia e COVID-19 ka ndikuar negativisht në pjesëmarrjen aktive të publikut në dhënien e kontributit për përmirësimin e projektligjeve. Ajo që identifikohet nga procesi i konsultimit i realizuar, edhe pse vihet re një përmirësim i këtij procesi gjatë kësaj periudhe, është nevoja për informim më të mirë të publikut dhe pjesëmarrje më aktive e tij. Kjo përbën një ndër sfidat për t’u adresuar edhe më mirë nga institucioni ynë”, thuhet në raport.

Nuk dihet nëse Ministria e Bujqësisë është vënë në dijeni të protestës së fermerëve në Devoll, apo thirrjes së fermerëve të Divjakës, që përmes Erion Braçes në Kuvend kanë ngritur shqetësimin e tyre se po dalin me humbje.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video